Asnjë automjet nuk do të futet më në pistën e aeroportit të Rinasit pa marrë dakordësin e Policisë së Shtetit. Punonjësit e kompanive që kanë të lidhur punën e tyre me pistën nuk do mund të përdorin celularët.

Janë këto disa nga masat shtesë të marra nga Policia e Shtetit, e cila prej 2 javësh tashmë thuajse ka marrë në mbikëqyrje të gjithë pikat e hyrje-daljeve në aeroport si dhe monitorimin e kamerave të sigurisë së bashku me stafin e ICTS.

ReportTv mëson se këto masa do të jenë afatgjata ndërsa kanë nisur zbatimin pas urdhrit të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të rikthyer rendin e sigurinë pas grabitjes së 9 prillit 2019.

Po ashtu të gjithë punonjësit që futen në pistë dhe në zonën e tranzitit janë caktuar dy kontrolle policie, një në nisje të punës dhe një në mbyllje të saj, kontrolle të cilat do të bëhen nga Policia e Shtetit.

Çdo punonjësi në pistën e aeroportit dhe rreth saj në varësi të institucioneve shtetërore apo private, u është kërkuar që brenda 10 ditëve të depozitojnë në Policinë e Rinasit gjeneralitetet, të dhënat e ID, numrin e telefonit si dhe kontratat e punës me subjektet punëdhënëse.

Kjo - sqaron policia - bëhet për të verifikuar se kush punon në pistë duke qenë se është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe me ligj është e ndaluar të ketë persona me të shkuar problematike apo me precedent penal.

Në bashkëpunim me kompanitë ajrore, policia ka pezulluar përkohësisht dhe transportin e vlerave monetare jashtë vendit, deri në rregullimin e masave të reja të sigurisë dhe shoqërimit të parave për të shmangur një grabitje të tretë në pistë.

Ndërsa aktualisht në patrullim në pistën e Rinasit ndodhen patrullat e ICTS dhe grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, dhe jashtë saj sërish FNSH dhe Policia Ushtarake.