Formulari prej 7 faqesh që duhet të aplikojmë kandidatët që duan të bëhen pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ndodhet në faqen zyrtare të BKH-së. Shumë prej nesh mund të jenë kuriozë se çfarë të dhënash duhet të plotësojnë apo kriteret që duhet të përmbushin anëtarët e FBI-së shqiptare.
Kandidatët duhet të plotësojnë gjeneralitetet që kërkohen si emri, mbiemri, adresa e banimit, numri i telefonit, vendi i lindjes apo numri i pasaportës, data e lindjes së babait dhe nënës, çdo e dhënë për kolegjin, gjimnazin apo universitetin. Gjithashtu në formular ka edhe pyetje interesante si pesha, ngjyra e flokëve, ngjyra e syve.
Për çdo punë të mëparshme që ata mund të kenë bërë apo kanë aplikuar, duhen të dhëna apo kontakte për ndonjë koleg apo drejtues për të bërë të mundur marrjen e informacioneve për ta. Vërtetimet se ku ka punuar apo nëse është shkarkuar nga puna dhe arsyet e shkarkimit.
Gjithashtu duhet të japin informacion nëse kanë ndonjë shqetësim shëndetësor, ndonjë sëmundje nga e cila vuajnë, nëse marrin mjekime rregullisht Në formular duhet të plotësohet nëse ndonjë i afërm i tyre është emëruar në BKH.
Nëse ata janë në gjykim apo hetim, anëtar të ndonjë partie politike, apo simpatizantë. Çdo formular është personal për çdo aplikant, i cili me anë të këtij formulari mundësohet verifikimi i të dhënave të aplikimit.
Pas plotësimit të të gjitha të dhënave, duhet të kalohet edhe testi i ushtrimeve fizike si edhe të verifikohet pastërtia e figurës. Të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm sepse shumë persona janë përjashtuar pasi nuk i kanë plotësuar të gjitha detajet e formularit.
Pas përfundimit të aplikimeve, 60 kandidatët do të marrin distinktivin, do të testohen në makinën e së vërtetës, pasi ta kalojnë edhe këtë procedurë ata do të trajnohen me agjentët e FBI- së në SHBA.
Kujtojmë se më 8 shtator është hapur gara për 60 hetuesit që do të përzgjidhen për të qenë agjentët special të BKH-së.
Ditën e djeshme Ambasada e SHBA-së përmes një postimi ka përshëndetur hapjen e garës për hetuesit e BKH-së duke theksuar se Shqipëria meriton një drejtësi transparente dhe profesionale .
Gjithashtu dje ambasdori i BE-së, Luigi Soreca u takua me Aida Hajnaj, i cili i konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për prioritetet e byrosë që janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin.
Për krijimin sa më të shpejtë të BKH-së, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dy ditë më parë më parë ka zhvilluar takime me Aida Hajnaj drejtuesen e këtij institucioni të ri të dalë nga reforma në drejtësi dhe Arben Krajën, drejtuesin e SPAK. Në fokus të takimeve ishte pikërisht vënia në punë sa më shpejt të kësaj byroje që do të luaj rolin e një FBI-je shqiptare dhe veprimin e drejtësisë duke luftuar korrupsionin
(Kliko këtu) Formulari i plotë aplikimit për në BKH