Gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Amantias kanë sjellë zbulime të reja që hedhin më shumë dritë mbi historinë dhe zhvillimin e këtij qyteti antik.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili njoftoi përfundimin e fazës së fundit të kërkimeve të kryera nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Sipas tij, gjatë gërmimeve është zbuluar një godinë antike në zonën e agorasë, që besohet se ka qenë qendra e jetës publike dhe ekonomike të qytetit. Po ashtu, arkeologët kanë siguruar të dhëna të reja edhe mbi sistemin e fortifikimit të qytetit të poshtëm.

Zbulimet e fundit dëshmojnë vazhdimësinë e jetës në Amantia për një periudhë të gjatë historike, nga shekulli III para Krishtit deri në shekullin VI pas Krishtit.

Sipas Gonxhes, kërkimet arkeologjike do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, paralelisht me ndërhyrjet restauruese që synojnë ruajtjen dhe promovimin e këtij siti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare.

"Përfunduan gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Amantias, të cilat sollën zbulime të rëndësishme për njohjen e organizimit urbanistik dhe historisë së këtij qyteti antik. Gërmimet e zhvilluara nga DRTK Vlorë dhe IKTK, nxorën në dritë një godinë antike në zonën e agorasë, si edhe të dhëna të reja mbi fortifikimin e qytetit të poshtëm, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës dhe zhvillimit të Amantias nga shek. III p.Kr. deri në shek. VI m.Kr. Kërkimet do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, së bashku me ndërhyrje restauruese që synojnë ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore" tha Gonxhja.

Parku Arkeologjik i Amantias ndodhet pranë fshatit Ploçë në Bashkinë Selenicë dhe është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë së Jugut.

I themeluar rreth shekullit V para erës sonë, Amantia ishte një qytet ilir që luajti rol të madh politik dhe kulturor dhe më vonë, në periudhën romake, u zhvillua duke fituar statusin e qytetit. Brenda parkut vizitorët mund të shohin stadiumin antik të ndërtuar në shekullin III p.e.s., i cili është ndër më të mirët e ruajtur në Ballkan, si edhe muret rrethuese monumentale që dëshmojnë për fuqinë mbrojtëse të qytetit.

Gjithashtu aty ndodhen rrënojat e Tempullit të Afërditës, nekropoli i qytetit dhe mbetjet e akropolit, që tregojnë për jetën dhe besimet e banorëve të asaj kohe.

Parku shtrihet mbi kodra me pamje të mrekullueshme drejt luginës së Vjosës, duke kombinuar historinë e lashtë me bukurinë natyrore dhe duke e bërë një destinacion të veçantë për vizitorët që duan të përjetojnë trashëgiminë ilire në një ambient të gjallë kulturor dhe natyror.