Shoqata Speleologjike Shqiptare zhvilloi një ekspeditë eksploruese në shpellën "Sterra e Kujunxhiut", e cila ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Llogara.
Eksplorimi evidentoi një zgavër me rreth 70 metra thellësi vertikale, ndërsa hyrja e saj ndodhet në një lartësi prej 750 metrash mbi nivelin e detit.
Në fund të shpellës u konstatua një grumbull i madh gurësh, i cili mund të ketë bllokuar vazhdimin natyror të saj, duke lënë të hapur mundësinë për eksplorime të mëtejshme në të ardhmen.
Një tjetër element me interes të veçantë ishte prania e eshtrave të kafshëve të ndryshme, mes tyre dre, derr i egër, dhi, dhelpër, ujk dhe specie të tjera, të cilat mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme për historinë natyrore dhe ekologjinë e zonës.
Çdo eksplorim speleologjik zbulon një pjesë të panjohur të trashëgimisë sonë natyrore dhe nënvizon rëndësinë e studimit, dokumentimit dhe mbrojtjes së shpellave shqiptare.
Komente









