Zbulohen dy shkrimet e para
të Fishtës botuar më 1899-n

Zbulohen dy shkrimet e para<br />të Fishtës botuar më 1899-n
Disa studiues po grumbullojnë të dhëna për prejardhjen e të parëve të Gjergj Fishtës. Ata mendojnë se trungu është në Dom Gjon të Mirditës. Mendojnë, gjithashtu, se stërgjyshërit e Fishtës rrjedhin nga fisi i Pacajve. Në raste të tilla mua më vjen nëpër mend një aforizëm i Niçes. Ai ka thënë diku se një popull nuk vlerësohet nga numri i njerëzve të shquar që ka nxjerrë nga gjiri i tij, por nga qëndrimi që ai popull mban ndaj figurave të veta të shquara.

Qëndrimi që kanë mbajtur mirditorët ndaj Fishtës është si për njeriun e tyre: e duan Poetin Kombëtar dhe veprën e tij. Shumëkush ka ditur vargje të tëra përmendësh nga “Lahuta e Malcis” dhe i ka përcjellë ata gojë më gojë edhe atëherë kur vepra e Fishtës ishte e ndaluar dhe bënte fajësi të dënueshme për agjitacion e propagandë për këdo që e lexonte qoftë edhe për kënaqësi vetjake.

Lidhjet e mirditorëve me Poetin e Madh bëhen më të qarta duke analizuar dy të dhëna të pavlerësuara sa duhet deri sot. E para ka të bëjë me shoqërinë “Bashkimi” e themeluesin e saj Abat Doçin dhe, e dyta, me botimet e para të Gjergj Fishtës, që sipas gjasave, vijnë si rrjedhojë e aktivizimit të Gjergj Fishtës në shoqërinë “Bashkimi”.

Për të parën, pra, për themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, “Kalendari i Maleve” i vitit 1900 i Faik Konicës shkruante:
“Ma e madhia ndodhinë për kombin shqiptar më 1899, asht krijimi i shoqnisë “Bashkimi” ne Shkoder, per përparimin e gjuhës kombetare.  Kjo shoqni zgjodhi për kryetar Imzot Prenn Doçin, Abatin e Mirditës. I shkëlqyeshmi Abat i Mirdites ka me vedi besimin edhe uzdajen e gjith shqyptarve, te shka do fes qi ne qofshim.”

Një tekst i tillë nuk ka nevojë për koment kur është fjala për rolin e Mirditës dhe të njerëzve të saj të shquar si Prend Doçi në historinë e Shqipërisë.
Më tej do të rrekem t’i japim një përgjigje të pranueshme pyetjes që shtrova më sipër: si ka ndikuar shoqëria “Bashkimi” në fillimet letrare të një poeti e shkrimtari si Fishta?
Gjergj Fishta ka qenë njëri ndër themeluesit e shoqërisë “Bashkimi”, ku bënin pjesë personalitete të letrave shqipe, si: Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Ndoc Nikaj, Mati Logoreci etj.

 Aso kohe ai ishte famullitar i Gomsiqes, që i përkiste Abacisë së Doçit. Ajo që unë dua të theksoj këtu është fakti se shkrimi i parë i Fishtës, më saktë, dy shkrimet e para të botuara të tij datojnë në nëntor të vitit 1899, disa muaj pas themelimit të shoqërisë “Bashkimi” (janar-qershor 1899). Shkrimi i  pari është një poezi satirike që titullohet “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë” dhe, i dyti, një ese e shkurtër që titullohet “Një hije e zezë” (N’I HIE’ E’ ZEZE).  Të dy shkrimet botohen në revistën “Albania” të Faik Konicës kur Fishta ishte 28 vjeç. Botohen me alfabetin e revistës (jo si është thënë ndonjë herë me alfabetin e klerit katolik të Shkodrës) dhe i pari mban pseudonimin E Popullit, ndërsa i dyti është pa emrin e autorit dhe pa ndonjë pseudonim të tij.

Anselmo Lorecchio na del, kështu, personazhi i parë qysh në nismat letrare të Fishtës. Në numrin e njëmbëdhjetë të revistës “Albania” të vitit 1899, emrin e tij e gjejmë qysh në titull të poezisë (Zoti Anselmo Lorecchio në Vjenë), por edhe eseja, që botohet në të njëjtin numër (f.19-21) me titull “Një hije e zezë”, ka në qendër, d.m.th., ka si hije të zezë Anselmo Lorecchio-n, tashmë jo në Vjenë, por në Romë, ku paska qenë zhvilluar një kongres gjuhëtarësh që trajtojnë edhe probleme të gjuhës shqipe.

Lorecchio e propozon Shqipërinë si pjesë të Greqisë, prandaj Fishta e bën atë hije të zezë dhe ngrihet kundër tij, ndryshe nga qëndrimi që mban në vargjet satirike, ku ndihet edhe një farë krenarie etnike (e të qenit shqiptar) të një njeriu që është i zoti edhe të përziejë punë të mëdha në mes të shteteve si Italia e Austro-Hungaria.

Se si u gjenden të dy shkrimet e para të Fishtës në të njëjtin numër të revistës “Albania” të Faik Konicës, unë nuk jem në gjendje të formuloj ndonjë përgjigje të argumentuar për mungesë informacioni të domosdoshëm. Por mund të them se poezia “Zoti Anselmo Lorecchio në Vjenë” është botuar në pjesën e pasme të kopertinës së parë dhe ka shënimin në kllapa: “Kasnik për Vitin e Ri”, si dhe në fund: “Kjo vjershë asht e qitun ka Kalendari i Maleve me zbukurime, per 1900...”. pra, si kuptohet nuk janë dërguar për botim nga autori për të njëjtin numër të revistës “Albania”.

Viti 1899 shënon themelimin e shoqërisë “Bashkimi” nga abat Doçi i Mirditës si dhe fillimet letrare të Fishtës, duke paralajmëruar Poetin Kombëtar të shqiptarëve, që, sipas studiuesit gjerman Maksimilian Lamberc, gjuha shqipe e ka si “nji fat të madh e të jashtëzakonshëm, çka nuk e patën popujt e tjerë, veçse mbas qindra vjetsh të një jete letrare”. Prandaj kanë të drejtë mirditorët që e duan Poetin e tyre Kombëtar, por jo vetëm ata.

Gjergj Fishta i ri
Gjergj Fishta
Zoti Anselmo Lorecchio në Vjenë
(Kasnik[1] për Vitin e Ri)
Loreki, një trim Ilti[2],
Shtie Taljant[3] në gjemi[4],
Në Trieste po don me hi,
Me çartë Nemc’[5] me ba Itali.

U çart Nemc’, u banë makaronat,
N’Bec e n’Bud[6] u rrëzuen fronat.
Loreki po dredh mustakun,
N’Bec mbrenda do të derdh gjakun.

Kush po shkon në Adriatik?
Loreki tue shti frikë,
Tue shti frikë, tue pre krerë:
Se ç’të gjet, mori Nemce e mjerë!
Ne Hofburg[7] na vajti fjala:
Se ç’na ra Anselmo-palla!

Mori Nemce me fiorita,
Të hangra e të përpita!
Nuk i njofte gojët tonat
Që me grusht hamë makaronat!
Dalin Nemcet e bertasin:
O Anselm, ç’faj t’kemi pasun?
Mori Nemce vet e dini:
Shqypëninë ku ma kini?
                   E Popullit.
fishta


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç