Valdrin Pejtri pritet të jetë kandidati i Partisë Socialiste për kryebashkiak të Shkodrës për zgjedhjet lokale, konfirmojnë burime për Report Televizion. Sot, Pjetri, i cili mbante detyrën e Kryeregjistruesit, mori detyrën e Prefektit të Shkodrës, në një vendim të marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Valdrin Pjetri u lirua nga detyra e Kryeregjistruesit pas shkrirjes së institucionit te ALUIZNI-t me Hipotekën në një të vetëm, që do të jetë Kadastra dhe do të drejtohet nga Artan Lame.

Bashkia e Shkodrës një bastion i djathtë që aktualisht drejtohet nga kryetarja Voltana Ademi, është një nga bashkitë e 'nxehta' që Partia Socialiste ka shprehur vendosmërinë për ta fituar në përballjen elektorale të 30 qershorit 2019. Ndër emrat që PS kishte menduar fillimisht për kandidate ishte edhe Senida Mesi, ish-zv.kryeministre, por që së fundi socialistët pritet të zyrtarizojnë emrin e Valdrin Pjetrit i cili nga sot nis detyrën e Prefektit të qytetit të Shkodrës.