EMRAT/ Zbulohet kompania e parë me pronar shqiptar, e lidhur me 'Pandora Papers'! Kontraktori i OST-së transferoi miliona euro për kompaninë ‘offshore’ të konsulencës

'Pandora Papers' fillon të bëjë 'kurbanët' e parë që lidhen me Shqipërinë. Pasi dje u raportua për një politikan shqiptar rezulton mes 336 politikanëve në të gjithë botën që kanë lidhje me llogaritë offshore, sot është zbuluar emri i një biznesmeni shqiptar që ka transferuar miliona euro për  një kompani ‘offshore’ të konsulencës

Dokumentet e publikuar nga BIRN zbulojnë se kompania boshnjake ‘Energoinvest’, e cila ndërtoi linjën e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, i pagoi miliona euro një firme të vogël konsulence në Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga një biznesmen shqiptar. Kompania kishte firmosur një kontratë prej 29 milionë euro me OST në Shqipëri në prill të vitit 2014 për të ndërtuar pjesën e linjës që shtrihej në Shqipëri, e cila mbaroi në mes të vitit 2016.

Dokumentet zbulojnë se një firmë e vogël konsulence e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe një muaj më parë, kompania ‘AL Energy Transmission’ e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi, ka marrë nga Energoinvest një shifër prej 3.6 milionë eurosh.  

Sipas dokumenteve e përfshirë në këtë kompani është një 40 vjeçare nga Tirana e quajtur Jola Duro, si përfituese fundore. Ndërsa sipas planit të biznesit të kompanisë, të hartuar në shkurt 2013, përpara regjistrimit të saj, Duro listohet si menaxherja e zyrës dhe Kallupi si menaxher projekti. Sipas faqes në internet të kompanisë, Kallupi është themelues dhe administrator.

Sipas planit të biznesit kompania u themelua me një kosto fillestare prej 8,600 euro me qëllimin të ofronte shërbime konsulence në sektorin e energjisë.

Dokumentet përfshijnë gjithashtu një deklaratë të llogarisë bankare të Al Energy Transmission nga banka Bendura me qendër në Lichtenstein, e cila mbulon transaksionit në periudhën nga viti 2013 deri në 2019. Sipas deklaratës, Energoinvest bëri 39 pagesa ndaj kompanisë së konsulencës për një vlerë prej më shumë se 3.6 milionë euro.  Transferta më e madhe prej 1.5 milionë euro, është bërë me 26 prill 2013, një muaj pasi AL Energy Transmission u regjistrua.

Sipas BIRN shumica e parave nga llogaria janë tërhequr nëpërmjet një kartë debiti për udhëtime, por ka edhe transferta për llogari të Vasil Kallupit, gruas së tij Dëshira dhe nipit të saj, Sokol Sferdelli. Për disa njerëz në Shqipëri Kallupi njihet si ‘Vasili i Vienës’ për shkak se ai ka jetuar në kryeqytetin e Austrisë në vitet 1990.

Linja e interkonjeksionit midis Kosovës dhe Shqipërisë ishte një investim i rëndësishëm, jo vetëm sepse rriste potencialin e transmetimit të energjisë elektrike midis dy vendeve por gjithashtu përbënte themelin e nje blloku të ri transmetimi të integruar në tregun rajonal.  Tenderi i parë për ndërtimin e linjës u mbajt nga OST ne mars 2011. Kompania kroate Dalekovod ofroi ta ndërtonte linjën për 36 milionë euro dhe Energoinvest për 29 milionë euro. Dalekovod u përzgjodh si fituese për shkak të ofertës më të mirë teknike. KfW dha dritën jeshile, por OST refuzoi ta nënshkruante kontratën.

Kur ndryshoi qeveria dhe socialistët e kryeministrit Edi Rama erdhën në pushtet, një tender i dytë u mbajt dhe në dhjetor 2013 oferta e Energoinvest prej 29 milionë euro u përzgjodh. OST-ja e nënshkroi kontratën në prill 2014 dhe Energoinvest e përfundoi pjesën prej 151-kilometra të linjës, midis Tiranës dhe kufirit me Kosovën në qershor 2016. Dalekovod ndërtoi pjesën kosovare të linjës së interkonjeksionit.

'Pandora Papers' është një rrjedhje e gati 12 milionë dokumenteve dhe dosjeve që ekspozojnë pasurinë e fshehtë dhe marrëdhëniet e udhëheqësve botërorë, politikanëve dhe miliarderëve. Të dhënat janë marrë nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues në Uashington DC dhe kanë çuar në një nga hetimet më të mëdha globale ndonjëherë. Rezultatet e hetimit, i cili zgjati gati dy vjet, janë fryt i punës të mbi 600 gazetarëve nga 150 gazeta ndërkombëtare. 

Profili në LinkedIn i biznesmenit Vasil Kallupi. 
 

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'