Dy persona në Tiranë kanë përfunduar në pranga për prodhim dhe shitje të ekstazisë gjatë operacionit “Blue Punisher”.

Bujar Lezo, 59 vjeç dhe Elvis Lezo, 42 vjeç, janë xhaxha e nip që prej disa kohësh ishin përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e drogës, kryesisht të llojit ekstazi. Lënda sillej nga Italia në rrugë tokësore. Në shtetin fqinj ata siguronin kokrra ekstazie, por dhe pluhur që më pas e përgatisnin në banesën e tyre në “Ali Dem”.

Emri i operacionit është vendosur pikërisht nga mbishkrimi që mbanin kokrrat e ekstazisë sipër. Elvis Lezo dyshohet se është personi që kishte lidhjet me një tjetër grup në Itali. Ai gjithashtu figuron me precedent penal.

Ekstazia shitej kryesisht në lokalet e natës. Një kokërr shitej 3 mijë lekë të reja.

“Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA) dhe 2 celularë”, thuhet në njoftimin e policisë.   

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.