'Pistoleta, silenciator e kallashnikovë', zbulohet një depo për modifikim armësh në Tiranë, 2 të arrestuar, u kapën duke punuar në punishte! Do shiteshin për vrasje (EMRAT)

TIRANË- Një arsenal armësh me pistoleta, kallashnikov, silenciatorë e municion luftarak u zbulua nga Policia e Tiranës në një bazë prodhimi dhe modifikimi të armëve kamufluar brenda një vile e katëshe në Kodër Mëzez të Tiranës.

Elvis Bakalli 30 vjeç dhe Dorian Kalo 45 vjeç, të konsideruar nga policia persona me precedentë të theksuar kriminalë, u arrestuan në flagrancë duke punuar brenda punishtes së armëve në banesën në pronësi të Bakallit. Aty, dy personat e arrestuar prodhonin dhe modifikonin armë, dhe sipas drejtuesit të Policisë së Tiranës, ia shisnin me porosi grupeve të tjera kriminale për të kryer vrasje.

‘Në një ambient brenda rrethimit të banesës përshtatur si punishte, u konstatuan makineri si: torno, freza dhe vegla të tjera pune që shërbenin për prodhimin dhe modifikimin e  pjesëve/mekanizmave të armëve të zjarrit, si dhe për prodhimin e silenciatorëve të armëve.’- tha Lorenc Paganika, drejtor i Policisë së Tiranës.

Report Tv ishte në shtëpinë e Elvi Bakallit në rrugën “Shaqir Shima”.  Në pamje të parë duket një banesë 3 katëshe për banim, dhe deri dje, Bakalli e Kalo punonin qetësisht mes armëve.

Në oborrin e saj policia gjeti të parkuar një automjet në përdorim nga 30-vjeçari Bakalli. Sipas policisë, të gjithë aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve kanë ardhur në Shqipëri në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.

Emri i Dorian Kalos nuk është krejtësisht i panjohur për policinë. Në prill të vitit 2021, Enver Jamaku, një vrasës me pagesë i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, përmendi Dorian Kalon si një nga personat që ka bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme, duke i riparuar dhe duke i ndërruar pjesët.

Enver Jamaku u arrestua pas tentativës së dështuar për të ekzekutuar me shpërthim tritoli në makinë, biznesmenin Gjon Mena në Kamëz, me porosi të të konsideruarit i “Forti i Myslim Shyrit”, Gjergj Cukali kundrejt 30 mijë eurove, akuza që Cukali i ka mohuar por aktualisht është i arrestuar dhe në gjykim nga GJKKO.

Dëshmia e Jamakut çoi disa persona në pranga dhe zbuloi 19 baza armatimi në Tiranë të vrasësve me pagesë. Dëshmia e tij më e fortë ishte ajo për ekzekutimin e Domart Konjarit (sot në arrati), për të cilin është shprehur se i kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash Flor Abazi, Blendi dhe Paris Deda.  Në tetor të vitit 2019, gjithçka ishte organizuar deri në perfeksion, duke u vendosur dy mina me telekomandë në makinë, por pati një ngatërresë. Në makinën e blinduar që shpërtheu, nuk ndodhej Konjari, por burri i motrës së tij, Artion Bylyku, i cili fatmirësisht i shpëtoi atentatit.

Baza e 20 e armëve zbuluar në Kodër Mëzez, i jep shpresë policisë për zbardhjen e një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në vend por edhe jashtë kufijve, të cilat janë pa autorë. Ekspertiza që do t’i bëhet armëve në Institutin e Policisë Shkencore pritet të hedhë dritë nëse janë përdorur apo jo në ngjarje të bujshme kriminale.  

Të arrestuarit do të përballen me drejtësinë për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

U sekuestruan:

8 pistoleta

3 automatik

4 zhurmues

Silenciatorë

Thikë

Makineri për prodhimin/modifikimin e armëve

Municion luftarak

Një valixhe me pjesë armësh

Një sasi parash

Një makinë e parkuar në oborr

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:32
Dalin pamjet, momenti kur policia bastis bazën e prodhimit të armëve në Tiranë! Pistoletat silenciator të futura në çanta, gati për t’iu shitur kriminelëve

 

Janë publikuar pamje e operacionit ‘Silent” për shkatërrimin e depos së modifikimit të armëve në fshatin Kodër- Mëzez në Tiranë.

Në pamje duken armët e paketuara të futura brenda në çanta gati për t’u shitur tek grupet kriminale. Po ashtu shihet edhe automjeti i Elvis Bakallit, një nga personat e arrestuar nga ky aksion.

Bashkë me Bakallin në pranga u vu edhe Dorian Kalo. Ata u kapën brenda banesës duke punuar për modifikimin e armëve që siguroheshin nga persona me të shkuar kriminale.

 

Ora 12:19
Depoja për prodhim armësh në Tiranë, aksesorët për modifikimin e silenciatorëve futeshin ilegalisht nga jashtë! Policia po heton nëse me to janë kryer krime jashtë vendit

 

Të gjitha aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve ne depon e zbuluar në Kodër-Mëzez, vinin në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.

Policia thotë se të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë. 

Sipas policisë, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të zbardhur këtë aktivitet kriminal, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se këto armë bliheshin nga persona me precedent të theksuar kriminal, anëtarë të grupeve kriminale, me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale kundër personit.

Ora 12:11
Report Tv sjell videon, kjo është shtëpia 3-katëshe që ishte shndërruar në një depo armësh

 

Report Tv sjell video, kjo është shtëpia 3-katëshe e cila ishte shndërruar në një depo për prodhimin dhe shitjen e armëve. Mësohet se kati i parë i kësaj godine është i banueshëm. 

Ora 11:52
Iu zbulua depoja në Tiranë/ Kush është Dorian Kalo, i penduari drejtësisë Enver Jamaku nxori emrin e tij se merrej me prodhimin e armëve

Emri i Dorian Kalos ka dalë nga dëshmia e një bashkëpunëtori të drejtësisë Enver Jamakut, që e ka përmendur pikërisht si një nga personat që ka bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme, duke i riparuar dhe duke i ndërruar pjesët.

Dëshmia e tij specifikonte se armët e prodhuara dhe modifikuara, Dorian Kalo dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale që Jamaku përmend, i shisnin armët me porosi tek grupe të tjera kriminale, që më pas i përdorinin në krime kundër jetëes.

Rrëfimi i Enver Jamakut çoi disa persona në pranga dhe zbuloi 18 baza armatimi në Tiranë. Dëshmia e tij më e fortë ishte ajo për ekzekutimin e Domart Konjarit (sot në arrati), për të cilin është shprehur se i kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash Flor Abazi, Blendi dhe Paris Deda.  Në tetor të vitit 2019, gjithçka ishte organizuar deri në perfeksion, duke u vendosur dy mina me telekomandë në makinë, por pati një ngatërresë. Në makinën e blinduar që shpërtheu, nuk ndodhej Konjari, por burri i motrës së tij, Artion Bylyku, i cili fatmirësisht i shpëtoi atentatit.

Ora 11:34
Depo për prodhimin dhe modifikimin e armëve në Tiranë, kush janë dy të arrestuarit

 Policia e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e policisë, ku u zbulua një depo për modifikimin dhe prodhimin e armëve të zjarrit.

'Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, pjesë silenciatori dhe pjesë të ndryshme armësh. Vihen në pranga 2 shtetas.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues i Parë Lorenc Panganika, në konferencë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Silent”, i zhvilluar nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si rezultat i të cilit u sekuestruan arsenal armësh, municione luftarake, si dhe u zbulua dhe u shkatërrua një punishte që shërbente për modifikimin e armëve të zjarrit, silenciator dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Jemi sot këtu, për të bërë prezent finalizimin e një operacioni shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me parandalimin e tregtimit të armëve të zjarrit dhe prodhimit e modifikimit të silenciatorëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Silent”, në kuadër të të cilit është zbuluar një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Si rezultat janë sekuestruar arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh etj. 

Në datën 15.06.2022, mbi bazën e informacioneve policore, nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, se në një banesë në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez, ushtrohej aktivitet kriminal për prodhimin, shitjen dhe tregtimin e armëve të zjarrit, u organizua puna dhe u finalizua me sukeses operacioni policor i koduar “Silent”, gjatë të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

1.     Ervis Bakalli, 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ’’Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim;

2.     Dorian Kalo, 45 vjeç, banues në Tiranë,  për veprën penale ’’Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim. 
 
Pas verifikimeve të informacioneve policore, në datën 15.06.2022 u organizua puna dhe u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit Ervis Bakalli, në rrugën “Shaqir Shima”, në Kodër Mëzez. Në një ambient brenda rrethimit të banesës së këtij shtetasi, të përshtatur si punishte, u konstatuan makineri si: torno, freza dhe vegla të tjera pune që shërbenin për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve/mekanizmave të armëve të zjarrit, si dhe për prodhimin e silenciatorëve të armëve.

Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në këtë ambient janë gjetur duke punuar shtetasit Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Gjatë kontrollit të ambienteve të punishtes dhe ambientit përpara rrethimit të banesës së shtetasit Ervis Bakalli, ku ishte i parkuar dhe automjeti në përdorim nga ky shtetas, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndyshme armësh, një thikë, makineria që shërbente për  prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, municion luftarak dhe sende të tjera prej metali që përdoren për modifikimin dhe prodhimin e silenciatorëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.
 
Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Theksojmë se aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve vijnë në rrugë ilegale, nga jashtë vendit. 

Strukturat hetimore të Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal që cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. 

Po punohet intensivisht, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të zbardhur këtë aktivitet kriminal, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se këto armë bliheshin nga persona me precedent të theksuar kriminal, anëtarë të grupeve kriminale, me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale kundër personit.
 
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, po punon intensivisht duke angazhuar specialistët më të mirë të Policisë Kriminale, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin në përgjithsësi dhe atë të organizuar në veçanti  dhe në këtë kuadër kërkon edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në 112,  çdo rast të paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti social sa më të sigurt.'- njofton policia.

Ora 11:20
Dalin pamjet nga arsenali i municioneve dhe armëve të zbuluara në depon në Yzberisht

 

Pistoleta dhe pjesë të ndryshme të municioneve luftarake për montimin e armëve janë zbuluar në Yzberisht në Tiranë. Report Tv sjell pamjet nga arsenali i armëve dhe municioneve të zbuluara.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 17/06/2022 02:20

    20 baza modifikimi vetem ne Tirane,po ne qytetet e tjera,per te mos folur sa kapen ne rruge duke i tranportuar keto e te tjera si eksploziv ?! Akuza nuk eshte e plote,duhet shtuar bashkepunim me vetedije me grupet kriminale per krime te mundeshme,sepse keto nuk ishin arme gjuetie,ishin arme qe mund te perdoren ne vrasje dhe keta e dinin shume mire ku do te perdoreshin,si dhe trafikim e shitje te paligjshme te armeve,sepse nuk kane licence per prodhim,shitje,transport armesh.

    Përgjigju
  • Opgj: 16/06/2022 16:25

    Kto kane 20 vjet, shkojne e i kapin sot ne 2022! Kto kane furnizu gjithe bandat e shqiperise me arme Dhe jane vra njerez pafund.. Por kur fls ne neper drejtori na thoje shhhhhhh.

    Përgjigju
  • sergi: 16/06/2022 12:49

    Shqiperi ,aty ku burrat luajne luftash .......lot lot

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 16/06/2022 11:56

    Kjo paska qene uzine sekrete kush e di sa te tjera mund te jene ane e mbane vendit ja ku u paskan prodhuar armet per vrasjet qe po ndodhin kohet e fundit.

    Përgjigju
  • Kasem: 16/06/2022 11:48

    Ju pata than qe yzberishi ash cerdhe kriminelash germoni se ken tjer akoma

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?