Zef Brozi: Lini imunitetin
Opozita të mos ketë frikë

Zef Brozi: Lini imunitetin <br />Opozita të mos ketë frikë
Aktualisht në Shqipëri si pozita ashtu edhe opozita po flasin shumë për heqjen e imunitetit për qeveritarët, deputetët, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarë të tjerë të shtetit. Disa janë pro dhe disa kundër. Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, institucionet Perëndimore e sidomos Bashkimi Europian ka kohë që e theksojnë me forcë një kërkesë të tillë jetike për fatet e një shteti ligjor e demokratik. Kjo bëhet edhe më urgjente dhe e domosdoshme në mënyrë të veçantë për të forcuar dhe bërë efektive luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe lidhjeve te mafias kombëtare e ndërkombëtare me pushtetin e politikën. Kjo është e domosdoshme sidomos për të hequr barrierat proçeduriale që i vihen policisë, prokurorisë, gjykatave dhe organeve të tjera për zbulimin, ndjekjen, hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve me imunitet. Për fat të keq gjatë këtyre 20 viteve ka pasur vetëm fjalë, fjalë të pafund, demagogji dhe akte sa për konsum publik. Mazhoranca gjithnjë e ka përdorur gogolin e imunitetit për motive politike, për të shantazhuar, trembur e terrorizuar jo vetëm opozitën, por edhe pjestarë të saj. Kjo loje duhet të marrë fund pa vonesa të mëtejshme.

Përshëndes nismën parlamentare të këtyre ditëve lidhur me imunitetin dhe uroj që kjo nismë të mos jetë sa për bujë, apo largim të vëmendjes nga reforma zgjedhore e parlamentare, të cilat janë vonuar pa shkaqe të arsyeshme. Debati për imunitetin duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe në të duhet të dëgjohet edhe zëri e sugjerimet e shoqërisë civile, shtypit e medias. Amendamenti kushtetutes nuk duhet bërë nxitimthi, me ligësi dhe në fshehtësi si masakrimi barbar që iu bë Kushtetutës më 2008-ën. Mendoj se menjëherë pas miratimit të reformës zgjedhore e parlamentare duhet të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese për imunitetin. Sugjeroj që bashkë me amendamentin për imunitetin, në Kushtetutë duhet bërë edhe amendamenti që Presidenti të zgjidhet nga populli. Duke pasur parasysh edhe tragji-komedinë e fundit presidenciale kjo zgjidhje është kërkesë imperative.

Po kush e ka penguar a mund ta pengojë heqjen e imunitetit nga Kushtetuta? E pengojnë ata pushtetarë e politikanë që kanë frikë se mund të përballen me drejtësine. Më e interesuar për pasjen e imunitetit është mazhoranca, sepse opozita si me imunitet si pa të nuk i ka shpëtuar ndjekjes penale. Imuniteti i opozitarëve hiqet sa herë kërkohet, madje edhe për akuza të pabazuara në prova, siç është rasti i tre deputetëve socialistë që prokuroria i mori të pandehur lidhur me protestën e 21 Janarit 2011, ndërkohë që është alarmant e zhgënjyes fakti se prokuroria nuk ka marrë akoma si të pandehur më kryesorët, e sëpari urdhëruesin e këtij akti terrorist shtetëror- kryeministrin Berisha, i cili e ka pranuar edhe vetë publikisht një akt të tillë. Prandaj opozita nuk duhet të jetë naive dhe të besojë se imuniteti e mbron nga ndëshkimi dhe hakmarrja politike e pushtetit. Mendoj se janë të rrezikshme dhe jo bindëse argumentet se sot nuk duhet hequr imuniteti për sa kohë është Berisha kryeministër sepse kjo do t'i shërbejë atij për të filluar luftën e shtrigave kundër opozitës dhe kundërshtarëve. Frikën e opozitës nuk duhet ta vuajë Shqipëria dhe të pengohen ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Një opozitë që ka frikë nuk mund të jetë opozitë.

Çështja e imunitetit rregullohet vetem permes ndryshimeve dhe amendamenteve Kushtetuese dhe jo me ligj të zakonshëm apo marrëveshje politike. Amendamenti Kushtetues për imunitetin duhet të jetë i thjeshtë, shumë i qartë dhe të mos lejë asnjë shteg për dykuptime e keqintepretime dredhuese, siç ka ndodhur shpesh në Shqipëri. Jam i bindur se ekspertët e shkëlqyer që ka Shqipëria, ku do të veçoja ish Gjykatësin e nderuar te Gjykatës Europiane, Kristaq Traja, nëse do të lihen të punojnë sipas bindjeve të tyre profesionale dhe jo urdhërave të politikës, brenda disa ditësh mund t'i japin Parlamentit draftin përkatës, apo ripunimin e draftit që i ështe paraqitur Komisionit të Ligjeve për shqyrtim. Ky nen mendoj unë mund të formulohet si vijon:

"1. Presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, gjyqtarët, prokurorët dhe çdo zyrtar tjetër i shtetit përgjigjen penalisht, hetohen e gjykohen pa asnjë pengesë dhe si të gjithë qytetarët e tjerë kur kryejnë vepra penale të parashikuar nga Kodi Penal a ligjet e tjera.

2. Këta zyrtare gëzojnë imunitet vetëm për vendimet dhe aktet që lidhen me përmbushjen e detyrave dhe veprimtarisë se tyre në përputhje me kompetencat që u janë dhënë me Kushtetutë, ligje dhe akte të tjera nënligjore.

3. Deputeti gëzon imunitet për votën pro, kundër apo abstenim, për kritikat dhe opinionet qe shfaq ndaj qeverise e kujtdo tjeter, per fjalën dhe debatet në Parlament që lidhen me rolin e tij/saj ligjvënës e parlamentar."

Në Shqipëri imuniteti është shpërdoruar, keqkuptuar dhe kthyer në një mburoje-bunker për pushtetarët dhe politikanët të cilët edhe kur kryejnë krime e korrupsion, nuk vihen para përgjegjësisë penale se i mbron koraca politike e pushtetare e imunitetit. Është kjo koracë që ka mbrojtur dhe mbron ata që duhet të përgjigjen për vrasjet terroriste të 21 Janarit 2011, për Gërdecin, për përgjakjen e shkatërrimin e Shqipërisë me 1997 dhe për një mal me akuza për korrupsion e krime të tjera. Shqipëria sot përjeton një realitet të frikshëm dhe të dhimbshëm ku forca e ligjit dhe dora e hekurt e pushtetit vepron vetëm mbi qytetarët e thjeshtë edhe për vepra penale të lehta, mbi gazetarët median dhe ata që guxojnë të protestojnë e denoncojnë korrupsionin dhe krimet e qeveritarëve, familjarëve e klaneve të tyre.
Siç jam shprehur edhe në shkrimet dhe intervistat e mia të mëparshme, mendoj se është jetike për Shqipërinë heqja nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera e imunitetit për të gjithë pushtetarët me qëllim që të zbatohet parimi i shenjtë se të gjithë pa dallim- qytetarë, pushtetarë e politikanë-duhet te jenë të barabartë dhe të përgjigjen njësoj para ligjit.

Mbase ne shqiptarëve na bën përshtypje kur shohim në televizionin Amerikan se si policia ndalon në rrugë, kontrollon, teston dhe arreston e dërgon në dhomat e izolimit edhe një kongresmen a zyrtar tjetër të lartë që i jep makinës kur ka konsumuar alkol më tepër se sa e lejon ligji. Prokuroria dhe FBI hetojnë pa pengesa këdo, kongresmenë a zyrtarë të çdo rangu kur akuzohen për korrupsion a krime të tjera. Kushtetuta dhe ligjet Amerikane nuk kërkojnë që policia, FBI e prokuroria të kërkojne lejen apo heqjen e imunitetit për të bërë hetime ndaj zyrtarëve sepse askush në Amerikë nuk gëzon imunitet në rast se kryen vepër penale.

Imuniteti, në kuptimin e vet të paderformuar, nuk do të thotë imunitet i pushtetarëve për çfarëdo veprimi dhe akti. Kryerja e veprave penale nuk lidhet me ushtrimin e rregullt dhe të ligjshëm të asnjë detyrë e funksioni prandaj këto vepra nuk mbrohen me imunitetin. Zyrtarët e çfarëdo rangu qofshin, duhet të përgjigjen penalisht për veprat penale që ata kryejnë para, gjatë ushtrimit të funksioneve shtetërore apo dhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Imunitet do të thotë vetëm që presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarë të tjerë të shtetit nuk mund të ndiqen penalisht e të dënohen për vendimet dhe aktet që lidhen me përmbushjen korrekte dhe në përputhje me ligjet të detyrës dhe funksionit të tyre. Ky imunitet është konsideruar i domosdoshëm per funksionimin e shtetit dhe ushtrimin e kompetencave nga zyrtarë dhe përfaqësuesit e zgjedhur.

Për ta bërë sa më të thjeshtë e të kuptueshme këtë çështje për masat më te gjera të lexuesve, po jap me poshtë disa shembuj konkret.

Për çfarë duhet të ketë imunitet deputeti? Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht për votën pro, kundër apo abstenim kur votohet në Parlament, as për fjalën që mban në foltoren e Parlamentit në lidhje me veprimtarinë e tij ligjvënëse, as për kritikat ndaj qeverisë dhe dyshimet që shfaq për korrupsion të qeveritarëve e zyrtarëve të tjerë. Por deputeti nuk duhet të ketë imunitet nëse ai kërkon a merr para a favore të tjera për të votuar pro ose kundër një projektligji a kandidatit për president, kandidati për gjykatës në Gjykatën e Lartë e Gjykatën Kushtetuese, a kandidati të propozuar për poste të tjera që kërkojnë miratimin e Parlamentit. Nëse një deputet voton edhe në emër të një deputeti tjetër (që mbase nuk është në seancë në Parlament apo në Komision siç edhe thuhet se ka ndodhur jo rrallë në Parlament) ai duhet të dënohet penalisht për falsifikim votimi a krim tjetër të parashikuar në ligj. Pra deputeti nuk mund të ketë imunitet nëse kryen çdo lloj vepre penale të parashikuar në Kodin Penal dhe ligjet e tjera. Deputeti, pra edhe vetë kryeministri, nuk mund të ketë imunitet kur në fjalën e tij kërcënon me vrasje e terror deputetë të tjerë, opozitarë a këdo tjetër.

Për çfarë duhet të kenë imunitet zyrtarët e Ekzekutivit? Presidenti, Kryeministri, ministrat dhe zyrtarët e tjerë të pushtetit ekzekutiv duhet të kenë imunitet për vendimet urdhërat, udhëzimet, emërimet etj që bëjnë në përputhje me ligjet dhe kompetencat e tyre. Anëtarët e qeverisë nuk mund të merren në përgjegjësi penale për votën që japin për vendimet e Këshillit të Ministrave, apo për vendime dhe akte të tjera që janë në përputhje me veprimtarinë dhe kompetencat e tyre. Por nëse ata kërkojnë a marrin rryshfete, apo kërkojnë favore të tjera për vete apo familjarët e tyre në shkëmbim të një vendimi, nënshkrimit të një marrëveshjeje, hartimit e propozimit të një projektligji, dhënies së një liçense, dhënies se një kontrate shtetërore, dhënies së një pasurie publike, emërimit në një detyrë etj., atëherë ata duhet të përgjigjen penalisht.

As korrupsioni, as urdhërat kriminale, nga kushdo që të jepen, nuk mund të përfshihen në veprimtarinë e ligjëshme të institucioneve ndaj ai zyrtar që jep urdhëra të tillë nuk mund të ketë imunitet. Kështu, urdhëri i dhënë nga kryeministri a ministri me 21 Janar 2011 për të qëlluar me armë zjarri direkt mbi protestuesit është urdhër haptazi kriminal dhe urdhëruesit duhet të vihen pa vonesa të mëtejshme para përgjegjesisë penale. Çdo përpjekje e prokurorisë për t'i shpëtuar ata nga ndjekja penale përbën gjithashtu krim dhe këta prokurorë duhet të përgjigjen penalisht.

Shtrohet pyetja: Po nëse qeveria a ndonje anëtar i saj kryen akte që përbëjnë Tradhëti Ndaj Atdheut, siç ishte miratimi i marrëveshjes për dhënien (tjetërsimin) e territoreve shqiptare Greqisë, a duhet që kryeministri dhe ministrat të përgjigjen penalisht për krimin e Tradhëtise ndaj Atdheut? Mendoj se po. Edhe nëse qeveria, në bashkëpunim me mafian (kombëtare e ndërkombëtare) dhe në shkëmbim të rushfeteve e shpërblimeve të tjera, propozon e voton një projektligj për importimin e mbetjeve mendoj se anëtarët e saj që kanë votuar pro marrëveshjes duhet të përgjigjen penalisht.

A duhet të kenë imunitet gjyqtarët e prokurorët? Gjyqtarët dhe prokurorët nuk përgjigjen penalisht për vendimet që marrin me ndershmëri dhe duke u bazuar në bindjen e tyre të brendëshme, në ligj e prova, pa u ndikuar nga faktorë të tjerë si rryshfeti, favoret, madje edhe presionet nga qeveria, legjislativi, politika a kushdoqoftë. Imuniteti mbron prokurorët e gjyqtarët nga ndjekja penale për vendimet e dhëna sidomos në rastet kur këto vendime nuk u pëlqejnë pushteteve të tjerë dhe politikanëve, të cilët mund të ishin të zellshëm t'i ndëshkonin penalisht ata. Pa këtë mbrojtje prokurorët e gjyqtarët do të ishin gjithnjë viktima te hakmarrjes së pushteteve të tjerë dhe politikës dhe as që mund te flitej me për shtet ligjor.

Por nëse gjyqtari a prokurori marrin a kërkojne rushfet apo favore të tjera nga palët në proëes apo persona të tretë (përfshirë këtu edhe subjekte politike e shtetërore), atëherë gjyqtari e prokurori duhet të përgjigjen penalisht për veprat përkatëse që parashikon ligji. Madje në raste të tilla ata duhet të përgjigjen penalisht pavarësisht nga fakti se vendimi i tyre është i drejtë, pra i bazuar në ligj e prova. Prokurorët duhet të pergjigjen penalisht edhe nëse nuk fillojnë një çështje penale kur ka të dhëna të mjaftueshme se është kryer një krim, por prokurori i fsheh a shkatërron këto prova, ose nuk i merr në konsideratë sepse kërkon të mbrojë autorët e krimit meqenëse ata janë me pushtet, ose të njohur a të afërm, ose kanë ofruar para dhe shpërblime të tjera.

Le të shpresojmë që Parlamenti do të bëjë amendamentin e Kushtetutës lidhur me imunitetin i cili do t'u hapë rrugën prokurorisë, policisë, gjykatave dhe organeve të tjera të luftës kundër krimit për një luftë reale dhe efektive kundër korrupsionit dhe mafias në pushtet e politikë. Vetëm atëherë edhe pushtetarët mund të fillojnë të kenë frikë nga ligji dhe ndëshkimi, edhe opozita dalëngadalë do të çlirohet nga frika se mazhoranca mund të keqpërdorë heqjen e imunitetit për të luftuar kundërshtarët politik, edhe vetë mazhoranca nuk do të mund të kërcënojë ndonjë anëtar të saj me heqje imuniteti nëse ai "ngre krye". Dhe më e rëndësishme mendoj se do jetë fakti se organet e drejtësisë do të vihen para përgjegjesisë ligjore e publike, sepse nuk do të mund të justifikohen më si deri më sot për mosndëshkimin e pushtetarëve që kryejnë korrupsion e krime të tjera me pengesat që u nxirrte imuniteti.

Uashington, DC 9 Korrik 2012

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë