Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ku do të zhvillojë një takim me dyer të mbyllura me presidentin amerikan Donald Trump

Ky është takimi i parë mes Trumpit dhe Netanyahut që nga fillimi i luftës kundër Iranit më 28 shkurt dhe i teti që nga fillimi i mandatit të dytë presidencial të Trumpit.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, dy liderët do të diskutojnë konfliktin me Iranin, praninë e Izraelit në Libanin jugor dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.

Më herët, në takim me presidentin amerikan ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Por mes tij dhe Netanyahut nuk do të ketë takim.

Trump u është përgjigjur edhe lajmeve se Netanyahu do t'i paraqesë informacione të reja të inteligjencës mbi rindërtimin e programit bërthamor iranian.

“Nuk kam nevojë që Bibi të më thotë këto gjëra. Ai m'i thotë sepse dëshiron që unë të mbetem i përfshirë”, tha presidenti amerikan.

Trump u shpreh i irrituar nga fakti që Netanyahu i bëri publike këto pretendime.

“Dëgjova Bibin duke e njoftuar këtë dhe mendova: pse nuk ma thotë vetëm mua? Pse duhet t'ia shpallë gjithë botës?”, shtoi ai.

Ndërsa vizita e presidentit ukrainas në Uashington pritet të shërbejë për më shumë mbështetje nga SHBA, sidomos për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

"Presidenti dhe unë diskutuam për licencat për prodhimin e raketave interceptuese Patriot dhe disa ide të tjera që mund të ndihmojnë," shkroi Zelensky në një reagim të postuar në rrjetet sociale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
Përfundojnë takimet e Trump me Zelenskyn e Netanyahun, reagon Shtëpia e Bardhë: Ishin pozitive dhe produktive

Presidenti Trump tani ka përfunduar takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që u parapri nga takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Presidenti Trump ka përfunduar takimet e tij në Zyrën Ovale me Presidentin Zelensky dhe Kryeministrin Netanyahu. Të dy takimet ishin pozitive dhe produktive!”, shkroi në X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ora 18:08
Zelensky konfirmon mbështetjen e SHBA-ve pas takimit me Trump: Folëm për licencat e raketave Patriot, mbetemi në kontakt

Në një postim në Telegram, Volodymyr Zelensky tha se zhvilloi një takim të mirë me Trumpin dhe se të dy diskutuan rëndësinë e mbrojtjes së qytetarëve ukrainas, si dhe mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe kundërraketore.

"Presidenti dhe unë diskutuam për licencat për prodhimin e raketave kapëse Patriot dhe disa ide të tjera që mund të ndihmojnë," tha ai.

Zelensky shtoi se do të ketë komunikime të mëtejshme mes palëve dhe shprehu mirënjohjen e tij për "mbështetjen e palëkundur" të Shteteve të Bashkuara.