Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Beograd për vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi.

Ai është pritur nga presidenti serb Aleksander Vuçiç në Beograd, i cili shprehu bindjen se vizita do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Vuçiç thotë se në darkën e shtruar në nder të Zelenskyt folën për çështjet që do të jenë në fokus të takimeve zyrtare ditën e nesërme, përfshirë rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Në një status në X presidenti i Ukrainës u shpreh se me Vuçiçin do të diskutojnë për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, çështjet e sigurisë dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Dy liderët ishin takuar në mesin e korrikut në Kiev, në kuadër të samitit Ukrainë–Evropa Juglindore.  

Beogradi e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës dhe, ndonëse është vend kandidat për anëtarësim në BE, vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë.