Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes me Rusinë mund të mbahet në SHBA.

Zelensky rikonfirmoi gatishmërinë e Ukrainës për t’u angazhuar në formate që realisht e afrojnë paqen dhe e bëjnë atë të besueshme dhe afatgjatë.

“Ajo që mund të thuhet tashmë është se takime të mëtejshme janë planifikuar në të ardhmen e afërt, me shumë mundësi në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të gatshëm për të gjitha formatet e realizueshme që mund ta sjellin vërtet paqen më afër dhe ta bëjnë atë të besueshme, të qëndrueshme dhe të tilla që e privojnë Rusinë për të vazhduar luftën. Është thelbësore që kjo luftë të përfundojë në një mënyrë që e lë Rusinë pa asnjë shpërblim për agresionin e saj. Ky është një nga parimet kryesore që rivendos dhe garanton sigurinë e vërtetë.”, tha Zelensky ndër të tjera në një video mesazh pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve në Abu Dhabi.

 

Ukraina dhe Rusia zhvilluan të enjten raundin e dytë të bisedumeve në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Delegacionet ukrainase dhe rus nuk arritën një marrëveshje për armëpushim, por gjetën dakordësi vetëm për shkëmbimin e 314 të burgosurve.

Negociatat e drejtpërdrejta që përfshijnë Moskën dhe Kievin, së bashku me përfaqësues amerikanë, rifilluan në Abu Dhabi më 23–24 janar. Takimet mes negociatorëve ukrainas dhe rusë kanë qenë të rralla që nga pushtimi në shkallë të plotë i Kremlinit në shkurt të vitit 2022.