Pas uniformës së një polici është edhe një njeri, një prind, një baba që ka familjen e tij dhe njerëzit që e presin në shtëpi. Ky moment prekës gjatë protestës së dhunshme në Tiranë na e kujton pikërisht këtë.

Ndërsa protestuesit sulmojnë me gurë dhe mjete piroteknike, një efektiv policie, në krye të detyrës, telefonon të birin për t'i thënë se është shëndosh e mirë.

“O zemra e babit, ça po bën ti, po vëllai?”, dëgjohet t'i thotë të birit në videon e siguruar nga Shqiptarja.com ndërsa në sfond vijojnë të dëgjohen shpërthime, e bulevardi është i mbushur me tym. 

Është një bisedë e shkurtër, por që sjell një tjetër pamje të protestave të dhunshme në Tiranë. Përtej kordonëve të policisë, përplasjeve dhe detyrës për të ruajtur rendin, është edhe shqetësimi i një babai për fëmijët e tij dhe i një familjeje që pret kthimin e tij në shtëpi.

Efektivi në video është një nga qindra punonjësit e Policisë që prej 72 orësh janë angazhuar në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në kryeqytet, përballë protestave të shoqëruara me sulme me gurë, shufra hekuri, flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike.

Në një protestë ku vëmendja është përqendruar te dhuna, të lënduarit dhe dëmet e shkaktuara në kryeqytet, kjo telefonatë e shkurtër sjell në vëmendje edhe një tjetër realitet: atë të shqiptarëve të zakonshëm që, ndërsa përballen me rrezikun në krye të detyrës, kanë në shtëpi familjarë që presin me ankth vetëm një lajm se janë shëndoshë e mirë.