Zeneli është usta' me fantazi, me kreativitet. Zeneli ndreq gjithçka; Nga qarqet e integruara tek eskavatorët. Zeneli ka një punishte të vogël ku ndreq shumçka, por më së shumti elektroshtëpiake. Vu në punishte, vrap nëpër shtëpitë ku e thërresin, Zeneli punon nga mëngjezi deri natën vonë pa u ndalur veçse në mesditë për të ngrënë diçka. Zeneli punon vetëm. Me kalimin e kohës Zenelit i është shtuar puna. Zenelit i duhet një ndihmës.
I pari që erdhi te Zeneli për ndihmës qe një ngordhalaq që mezi fliste, kollitej, krruhej, dhe nuk kishte bërë asnjë shkollë. Tha se donte të punonte se i duheshin pare. I tha Zeneli thatuqit të pa shkollë; Shërohu nga kolla dhe nga krruajtja. Mëso ndonjë zanat. Dhe flasim.
Një ditë tjetër erdhën dy njëherësh, dy buçko gazmorë dhe llafazanë që kërkuan menjëherë kushte pune si nëpër filma që Zeneli nuk i ka as për vete. I duroi sa i duroi Zeneli llafazanët dhe dënglat e tyre. Në fund, për ti hequr qafe, u tha; Ju jeni dy gjysma. Mua më duhet një i tërë. Ciao.
Mbas dy gjysëm ndihmësave hokatarë, te Zeneli ja behën dy të tjerë, një djalë që kishte mbaruar shkollën e mesme mekanike, dhe babai i tij. Djali nuk e hapi gojën. Foli vetëm babai. E ngriti në qiell djalin; Që di mekanikën, që njeh elektricitetin, që përdor kompjuterin, që ka lexuar libra, e të tjera e të tjera. Mirë, i tha Zeneli, për hajër, të vijë çuni nesër në mëngjez të fillojë punë. Prit o prit, kërceu babai, më thuaj sa do ti japësh në muaj ? Ore të shohim një herë çfarë di të bëjë çuni, a ka ndonjë talent, a është i duruar, si sillet, sa i vendosur është të punojë, pastaj rregullohemi, mos e kij merak. Babai jo që jo. Ja të më thuash rrogën mujore tani dhe këtu, ja s'bëhet. Zeneli e sikterosi me gjith' çunin që nuk hapi gojën.
Në një rast tjetër erdhën përsëri dy. Këtë herë xhaxha dhe nip. Folën pak. Zenelit ju duk rast i mirë. Ja caktoi në vend rrogën ndihmësit të ardhshëm. Djali ra dakord. Por xhaxhait që shoqëronte nipin, rroga j'u duk e vogël, dhe u prishën.
E bukur qe' kur erdhën dy të tjerë bab e bir në role të këmbyera. Këtë herë ishte djali që solli babain e vet te punishtja e Zenelit për ndihmës. Aman, i tha djali Zenelit, ma merr për ndihmës babanë. Zeneli shqeu sytë. Djali vazhdoi; E kemi pijanec babanë. Na mbeti në shtëpi. Na bën sherr. Jepi sa të duash. Pes lek-pes lek, veç merre. Këtë lloj ndihmësi sikur të ma falësh nuk e dua, i tha Zeneli çunit të pijetarit. Sa të squt qekeni që doni ta transferoni sherrin nga shtëpia juaj te punishtja ime. Eshe ta paguaj, pa le. Pra unë të blej sherrin tuaj me pare. Këtë nuk e bën as Sorosi.
Ngaqë u ka vajtur në vesh se Zeneli kërkon ndihmës, te Zeneli vinë për të kandiduar si ndihmësa të papunë të ndryshëm; inxhiniera, teknologë, profesorë, shkencëtarë. Pasi bën pak muhabet për të rejat e shkencës dhe teknologjisë, Zeneli u thotë këtyre; Zotëri, ti je sa për pesë ose për dhjetë ose më tepër ndihmësa, mua ndihmës më duhet vetëm 1.
Zeneli mbeti një ditë pa ment kur dikush që erdhi për ndihmës, gjëja e parë që i tha ishte; Për sa kohë do ma mësosh zanatin ? Sa të pëllcasin ja ktheu Zeneli këtij, unë nuk jam shkollë o idiot.
Vijnë drogaxhinjtë e mëhallës i thonë Zenelit; Hë o Zenel, e gjete ndihmësin ? Ça të duhet puna dhe ndihmësi o burr i dheut. Shijoje jetën. Futja me hashash se të del më mirë. Të ndihmojmë edhe ne. Do jemi të gjithë "ndihmësat" e tu. Ti kërkon 1 ndihmës. Ne jemi gjithata. Nuk duam asgjë. Jemi badiava, gratis, xhaba, free. Zeneli i dëgjon dhe buzëqesh. U thotë; Nuk më mësoni dot. Të gjithë ju së bashku nuk keni tru as sa ndihmësi im inekzistent.
Çunat e lagjes së Zenelit ikin në Itali, në Gjermani, në Amerikë. Ku hanë dhe' me dhëmbë. Flenë nëpër barraka. Punojnë në të zezë me orë të zgjatura. Bëhen ndihmës kuzhiniera, lajnë pjata, tasa, kazana. Pastrojnë halera. Me ja majt në lule të ballit, meazallah se bëhen ndihmës të Zenelit, ndihmës në vendin e vet.
Sheh Zeneli nëpër ëndërra vende të begata ku ustallarët punojnë nën hyqmin e ndihmësave, ose të tjera vende të lumtura pa ustallarë, vetëm me ndihmësa që nuk u duhen ustallarët, dhe çohet nga gjumi i mbytur në djersë.
Sheh Zeneli në Youtube pafund ustallarë dhe zejtarë nga gjithë bota. Të gjithë me ndihmësa. Bie në mendime. S'di kujt t'ja qajë hallin më parë Zeneli. Vetes që mbeti pa ndihmës. Kandidaturave për ndihmës që kërkojnë qiqrra në hell duke u kollitur e krruajtur. Apo Shqipërisë, ku të gjithë kërkojnë të jenë ustallarë askush nuk do të jetë ndihmës, të gjithë duan të jenë të parë kurrkush nuk pranon të jetë i dytë.
Edison: Po Zeneli ka license, paguan tatime ne shtet?
Përgjigju