Zeqo: Si e ironizonte Lasgushi censurën për “Enver Hoxha mprehu shpatën”

Zeqo: Si e ironizonte Lasgushi censurën  për “Enver Hoxha mprehu shpatën”

Lasgush Poradeci

Moikom Zeqo në monografinë “Lasgushi i Panjohur”, sprovë për një lexim të ri” zbulon universin e poetit, pritjet e gjithnshme për artet e bukura, ku pikturonte, mjeshtërisht shkruante këngë, bënte esetë kritike, përsiatje, filozofi, përkthime. “Lasgush Poradeci është dhe mbetet një nga lirikët më më mëdhenj të të gjitha kohrave, ai është poeti i lartësive dhe thellësive të Atdheut të tij poetik, që nuk gjë tjetër, veçse sublimim i atdheut të tij gjeografik, historik, që është Shqipëria. Poetika lasgushiane përbëhet nga letërkredencialet e kombit të tij. Të gjitha përsiatjet tona, as nuk e ndriçojnë më tepër, por as nuk e mjegullojnë tershëm figurën e poetit. Lasgushi metaforikisht është i plagosuri i madh nga dashuria”, shkruan Zeqo.

Me tej shkrimtari dhe studiuesi i njohur Zeqo shkruan se: “Nuk mund të ketë një Postskriptum Epilog për Lasgushin. Lasgushi i panjohur nuk është se bëhet në mënyrë përfundimtare i njohur. Ky akt ka të bëjë me pakufishmërinë e semiotikës letrare, madje dhe me ambiguitetin e atributeve të saj. Vepra e tij poetike është njëkohësisht e mbyllur në strukturën dorëshkrimore, e mbyllur në caqet përfudimtare të tekstit, por njëkohësisht është e hapur pafundësisht.

Botimi i këtij libri mbështetet mbi materiale krejtësisht të panjohura më parë, që lidhen me krijimtarinë e Lasgushit, por sidomos risi është optika e një rikonceptimi të vlerësimeve më adekuate të Poetikës Lasgushiane. Poeti është sematizuar si Gjeniu i Anijes, por kryemetafora e tij është Nositi domethënë pelikani, shpendi heraldik i legjendës së vetësakrifikimit, që iu jep si ushiqm zogjve të tij të uritur mishin e trupit të vet. Dhe përfytyrimi tjetër i përjetshëm i poetit është qiellorisht fluturimi i fundit i shtergut. Liqeni është sarkofagu i tij i kristaltë, por shorti i tij është përherë në kozmos.”   

Moikom Zeqo që e ka njohur Lasgushin që nga viti 1967 dhe e ka takuar shpesh gjatë 20 vjetëve deri në vitin 1987, përveç dokumenteve sjell në këtë libër, kujtime histori dhe biseda të rralla. Po shkëpusim një nga kujtimet më gazmore nga libri i Moikom Zeqos:

“Nga viti 1944 deri në vitin 1987 Lasgushi jetoi kohën politike, socializmin, dhe të një triumfi të bujshëm dhe propogandistik të Realizmit Socialist, madje me struktura hierarkike tepër të ngulitura.

E kam thënë në këtë libër, se kohërat polike, të otomanizmit, të Pavarësisë, të Mbretërisë, të nazi-fashizmit dhe komunizmit nuk ishin kohërat adekuate në kuptimin doktrinor ideologjik, por dhe nga pikëpamja ekonomike sociale, kohërat e vërteta të Lasgushit.

Ai kish zgjedhur që në fillim vetëm një kohë: Kohën Poetike, ku ai kish hyrë dhe nuk mund të dilte dot më jashtë saj.

Padyshim që Lasgushi nuk e ka kuptuar dhe honepsur letërsinë e realizmit socialist, pavarësisht arritjeve të saj të pamohueshme.

Estetikisht ai qëndronte më lart, si krijuesi i një sistemi të mëvetshëm, ai qe më origjinal, më universal dhe gjithashtu  shumë shqiptar.

Një shkrim i botuar në gazetën “Drita” entuziast, por dhe tejet dashamirës , ku thuhej, se socializmi i kishte përtërirë forcat dhe rinuar tërësisht shpirtin  edhe një poet klasik si Lasgush Poradeci, qe më tepër një shprehje e ngrohtë nderimi për figurën e Poetit, por në të vërtetë realiteti në këtë pikë qe i papërputhshëm dhe jo identik.

Po Lasgushi e njihte frymën e kohës politike.

Kur botoi tek  “Dita “ poemën për  Heroin e Popullit Muharrem Collaku, që e shkroi në  1974 ,vargjet e fundit të poemës:

Lum, bre Muharrem luani,

Dif me zemër e shpirt vigani.

Gjak të rridhte jatagani

Së preri koka Gjermani.

Kryeredaktori i “Dritës” ja  hoqi me të padrejtë këto vargje.

Lasgushi u rebelua dhe reagoi plot  zemërim.Kam qenë i pranishëm kur erdhi në redaksi dhe  pyeti pse i janë hequr vargjet,I thanë se heroi nuk luftonte me jatagan.”Po poezia ka logjikës e saj,  tha Lasgushi.Pse kënga thotë dhe ju e pranoni se “Enver Hoxha e mprehu shpatën,dhe njëherë per situatën”.

Toni i Lasgushit qe plot ironi dhe sinqeritet.

Vetëm ai fliste kështu.”, shkruan Zeqo në librin “Lasgushi i panjohur”, sprovë për një lexim të ri.”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve