Tashmë dihet që reforma administrative - territoriale është identifikuar si një nga prioritetet kyçe të programit qeverisës 2013-2017 dhe synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike vendore, nëpërmjet rritjes së efikasitetit të tyre, por edhe të aksesit të qytetarëve në shërbimet publike vendore. Kryerja e kësaj reforme është mjaft e vonuar dhe ka ndikuar në zhvillimin e ulët, në të cilin ndodhet vendi ynë. Ndërkohë që mbetet nevojë urgjente thellimi i procesit të decentralizimit të pushtetit në të tri planet e tij: a) politik – transferimi i autoritetit politik në nivel vendor; b) administrativ – transferimi te njësitë vendore i përgjegjësive për administrimin e disa funksioneve publike; c) financiare – delegimi i kompetencave financiare te njësitë e qeverisjes vendore, me qëllim fuqizimin e tyre në administrimin e të ardhurave.

Në të vërtetë, ndarja e njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri është përcaktuar më parë me Ligjin nr. 8653/2000 “Për ndarjen administrative -territoriale të njësive të qeverisjes vendore të Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj, megjithëse u miratua në të njëjtën kohë me ligjin organik për qeverisjen vendore, që hodhi themelet e para solide të decentralizimit të shtetit, duke vendosur një bazë të re për funksionet, kompetencat dhe pjesërisht për financat e pushtetit vendor, sidoqoftë ruajti ndarjen e mëparshme të fragmentuar, të kryer që në vitin 1992.

Kjo ndarje u bazua kryesisht në trashëgiminë e organizimit shtetëror nga sistemi komunist, i cili vepronte në kushtet e një ekonomie të centralizuar, dhe administrimin e territorit e bazonte kryesisht në organizimin e kooperativave bujqësore. Nga ana tjetër, në këtë ligj dihet që nuk u reflektuan aspak ritmet e zhvillimeve ekonomike, sociale, demografike dhe infrastrukturore pas ndryshimeve demokratike dhe atyre demografike të ndodhura që nga viti 1992 e më tej. Kështu, për ndarjen administrative dhe territoriale u mbajt një hartë tepër e fragmentarizuar prej mbi 380 njësish të qeverisjes vendore, ku një shumicë të madhe e zënë komunat.

Aktualisht, ndarjet administrative dhe territoriale të vendit në pjesën më të madhe kanë krijuar, gjithashtu, njësi të qeverisjes vendore me numër shumë të vogël popullsie dhe me burime e asete tepër të kufizuara, gjë e cila ka rezultuar në shumicën e rasteve në paaftësi për të kryer funksionet dhe ofruar shërbimet publike të përcaktuara nga kuadri ligjor, mungesën e aftesisë për të gjeneruar të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore, shpërdorim të të ardhurave buxhetore për shpenzime administrative dhe varësi pothuajse absolute për shumicën e NJQV - ve nga transfertat financiare qeveritare.

Pas një periudhe të mungesës së konsensusit midis forcave politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, kryesisht nga ana e Partisë Demokratike, tashmë mund të thuhet që po hidhen hapat e parë mbi përvijimin e një harte të re, kur kanë filluar takimet e para të të deleguarve të pushtetit qendror me përfaqësues të njësive vendore në qarqet Tiranë, Kukës, Berat etj. Për t’u përshëndetur është pjesëmarrja në këto takime edhe e përfaqësuesve të zgjedhur në organet e qeverisjes vendore nga Partia për Demokraci, Integrim dhe Unitet, e cila deri tani është pjesë e opozitës parlamentare.

Por, sidoqoftë, që në hapat e parë të reformës nuk mund të mos mbahen në vëmendje përcaktimet që bën Kushtetuta e Republikën e Shqipërisë. Konkretisht, në nenin 108/2 të saj lexohet, se: “Ndarjet administrative – territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave të interesave të përbashkët ekonomikë dhe traditës historike...”. Pra, duke mbajtur parasysh kriterin e traditave historike, nuk mund të injorohen nevojat e interesave ekonomikë të përbashkët. Madje, këto të fundit kanë një peshë edhe më të madhe në rëndesat që imponohen nga kapërcimi i nivelit të ulët dhe shumë të ulët të jetesës aktuale në shumicën e zonave rurale, si edhe nga perspektivat e zhvillimeve të frytshme të të gjithë vendit.

Duke u përqendruar shkurtimisht te kjo gjendje mund të përmendim faktin që i referohet pesë viteve të fundit, sipas të cilit, nga të gjitha komunat që ka vendi, afro 50% e tyre nuk kryejnë asnjë investim. Madje, këto njësi mbledhin të ardhura nga taksat vendore nga 0 deri 2% të buxhetit të tyre. Pra, 98% e buxhetit të tyre sigurohet nga transfertat e buxhetit të shtetit. Ndërsa, 71 komuna kanë nivelin e mbledhjes së taksave vendore 0, duke mos gjeneruar asnjë të ardhur vendore. Për rrjedhojë,  në të gjitha qarqet e vendit është krijuar një tablo e zymtë.

Mjafton të vihet në dukje, se gjatë viteve 2008-2013, në qarqet Tiranë, Berat dhe Kukës mesatarja e të ardhurave të njësive administrative të tyre në raport me të ardhurat e buxhetit të shtetit paraqitet përkatësisht 51.8 për qind, 22.8 për qind dhe 5.9 për qind. Në këtë vështrim, natyrisht që vetëm duke u bërë i mundur zmadhimi i njësive të qeverisjes vendore, do të mund të realizohet më së miri decentralizmi i mëtjeshëm i funksioneve dhe kompetencave të reja te NJQV, pasi vetem duke u zmadhuar, ato mund të performojnë më mirë, duke kryer funksionet e veta, të përbashketa apo të deleguara, por edhe për të gjeneruar të ardhura vendore.

Pa u zgjatur këtu me shifra specifike për numrin e pakët të popullsisë që banon në këto njësi, veçanërisht në ato të zonave rurale, çka ka ndikuar në përcaktimin e  parametrave ekonomikë mjaft të dobët të tyre, por edhe të të gjithë vendit, ajo që mund të thuhet pa rezerva për procesin e ndarjeve të reja është domosdoshmëria e mbajtjes parasysh të rekomandimit, sipas të cilit, çdo komunë e re, e zgjeruar, të përmbajë jo më pak se sa 10 mijë banorë, kurse çdo bashki jo më pak se sa 15-20 mijë banorë, duke zgjeruar kështu edhe mundësitë për heqjen e kufizimeve të veprimtarive ekonomike aktuale, për thithjen dhe kryerjen e investimeve me të ardhurat e vetë NJQV - ve, si edhe për ngritjen e bizneseve private të qytetarëve të tyre.

Por, a mund të arrihet kjo vetëm me bashkime të komunave të varfëra apo zgjerim të bashkive të vogla? Për shembull, komuna e Shëngjergjit në qarkun e Tiranës ka realizuar të ardhura nga burimet e veta gjatë periudhës së pesë viteve të fundit mesatarisht rreth 0.6 për qind të të ardhurave të planifikuara. Bashkimi apo zgjerimi i kësaj komune me fshatra të tjerë të afërt, gjeografikisht, historikisht dhe etnografikisht, por edhe me zhvillim ekonomik të krahasuar me ‘të, nuk mund të sillte ndonjë ndryshim të gjendjes së mëparshme. Kështu mund të thuhet edhe për plot zona të tjera në të gjitha qarqet e vendit. Sepse, tek e fundit, duke iu përmbajtur një parimi të njohur jo vetëm në matematikë, zeroja në treguesit e tyre, bashkë me zero të tjera në treguesit e komunave apo bashkive të afërta, përsëri zero do të mbetej.   

Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)