Zgjedhja e grupit të Bardhit, SHBA-BE ose poshtërimin nga Berisha

Zgjedhja e grupit të Bardhit, SHBA-BE ose poshtërimin nga Berisha

Bardhi, Berisha

“Foltorja” mbledh këtë të shtunë Kuvendin Kombëtar, duke e mbajtur muajin dhjetor në qendër të vëmendjes, përsa i përket fatit të mëtejshëm të opozitës shqiptare.

Zyrtarisht Kuvendi Kombëtar i “Foltores” mblidhet për të votëbesuar kreun e këtij grupimi politik të shkëputur dhunshëm nga PD zyrtare, Sali Berisha si kryetar.

Është e fiksuar në statutin e këtij grupimi politik se, nëse humb në zgjedhjet për pushtetin vendor, atëherë kreu i tij do të votëbesohet nga Kuvendi Kombëtar.

Pra Berisha pritet të votëbesohet këtë të shtunë, nëse do të vijojë të jetë kreu i këtij grupimi ose jo, duke pranuar njëheresh dhe humbjen në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti. Megjithëse s’ka dilema për këtë.

Fundja Berisha e di se opozita ka humbur, por për të mbajtur me gajret ndjekësit e vet, u kishte premtuar rrëzimin e shpejtë të Edi Ramës nga pushteti, dilte me letra dhe tabela në dorë duke denoncuar atë që ai e quan ‘vjedhje e votës nga regjimi i Ramës’.

Këtë skenar Berisha e vijoi deri në momentin kur u mor nën hetim nga ana e SPAK nën akuzën për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili është tashmë në arrest shtëpiak.

Që nga ai moment i ‘harroi’ zgjedhjet e humbura dhe ka qënë prezent në media gjithë ditën, duke u munduar që të justifikojë 5.4 milionë eurot e dhëndrit të tij, të fituara me ‘mund e djersë’ pa futur asnjë lek në investim për kompleksin e 19 kullave te ish klubi Partizani, me ‘kolateral’ vetëm 113 metra katrorë tokë-truall të përfituara padrejtësisht nga vjehrri kryeministër, sipas akuzës së SPAK.

Por ka dhe halle të tjera Berisha tashmë, pasi gjykata e Strasburgut ka rikthyer për hetim dhe gjykim të thelluar vrasjet e 21 janarit nga Garda e Republikës, pas ankesës së familjes së Aleks Nikës, duke qënë se dhe dosja e të ndjerit është mbyllur pa autor.

Dhe gjykata e Strasburgut kërkon pikërisht atë që është kërkuar që në krye të herës, vënien para përgjegjësisë dhe ndëshkimin sipas ligjit të atyre që kanë dhënë urdhër për vrasjet, pra Berisha, dhe jo vetëm gardistët që kanë zbatuar këtë urdhër, për të ‘qëlluar në mish’ duke vrarë 4 demonstrues të pafajshëm në mes të bulevardit përballë kryeministrisë më 21 janar 2011.

Të gjitha provat për 21 janarin i ka kundër Berisha sipas arsyetimit të kësaj gjykate, shtuar dhe faktin si i ka ‘dhënë shumë gojës’ përmes deklaratave publike se ka urdhëruar vetë ai vendosjen e 5 snajperëve mbi tarracën e kryeministrisë për të vrarë Edi Ramën, apo do vriste jo 3 por 3 mijë demonstrues nëse kalonin gardhin e godinës së kryeministrisë. Gardh që nuk ekziston më sot.

Eshtë kthyer për rigjykim dhe shpërthimi i Gërdecit ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, sipas akuzës. Por dhe se në këtë ‘punishte vdekjeje’ jo vetëm që demontoheshin municionet, një biznes i Shkelzen Berishës, por dhe paketoheshin fishekët kinezë dhe shiteshin në Afganistan si fishekë normale. Po i Shkëlzenit dhe ky biznes, e pranoi amerikani Diveroli, në intervistën e zbardhur me Kostra Trebickën.

“Paketimi” shkaktoi ‘vdekjen aksidentale’ të biznesmenit me shtetësi amerikane Kosta Trebicka, i cili pasi foli me organet ligjzbatuese amerikane për maskarallëkun që po luhej shtetërisht me këtë rast, doli për ‘gjah’ në pllajat e Korçës, dhe vdiq në mes të fushës në një ‘aksident’ sikurse e përcaktuan ekspertët e kudogjendshëm të asaj kohe, sa herë kishte nevojë familja Berisha për të mbuluar problemet.

Shkelzen Berisha është thirrur si dëshmitar nga SPAK për “Gërdecin”, ndërkohë që vijon pyetja e dëshmitarëve, kanë ridalë në skenë dhe komunikimet e djalit të Berishës me ministrat por dhe fakset me nënshkrimin “për Shkëlqen Berishën’ të nisur nga ministria e drejtësisë e drejtuar nga Aldo Bumçi me adresë Ministrinë e Mbrojtjes, ku sipas të gjitha gjasave kishte zyrën drejtuesi real i këtyre ministrive, Shkelzen Berisha. Ka folur dhe Gjeneral Luan Hoxha, ish shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që nga frika e Shkëlzenit mori azil politik në SHBA.

Eshtë nën hetim dhe afera CEZ-DIA, ku shteti shqiptar humbi gati 500 milionë euro, një çështje e hapur menjëherë pas daljes nga burgu të ish drejtuesit e kompanisë DIA, kompani e ngritur për mbledhjen e borxheve të këqija të CEZ, Kastriot Ismailaj.

Dhe këtu pritet që Berisha, familjarët dhe ortakët e tij të pyeten e për pasojë situata bëhet akoma më e vështirë për kreun e “Foltores”, i cili ka në ngarkim dhe akuza të tjera, për abuzim me pushtetin dhe presione ndaj drejtësisë. Nuk ndalet Berisha, as sot e kësaj dite, teksa kërcënon prokurorët dhe gjyqtarët që kanë në dorë hetimin dhe gjykimin e tij, aq sa janë marrë masa të dyfishuara sigurie për këta përfaqësues të drejtësisë dhe familjarëve të tyre.

Në një vend normal, me drejtësi normale, Berisha duhej të kishte dhe një akuzë tjetër në kurriz, atë të kërcënimit të jetës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ende nuk e kuptojmë se përse ata nuk e kanë marrë nën akuzë, pasi nëse vijojnë të heshtin, atëherë tek qytetarët shqiptarë krijohet perceptimi se këta prokurorë dhe gjyqtarë kur nuk mbrojnë ligjërisht dot veten, si do të ngjallin besim se do të kryejnë detyrën e tyre në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve. Por kjo është një temë tjetër, që ia vlen të diskutohet më thellë, por që nuk duam të rëndojmë drejtësinë e re me probleme të këtij lloji, nga dëshira që të mos vihet nën presion.

Atëherë gjithkush mund të pyesë, pse Berisha me gjithë këto halle nëpër këmbë me drejtësinë, teksa familjarisht është ‘non grata’ nga SHBA e Britania por dhe nën hetim nga SPAK, u kujtua për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të PD dhe për t’u votëbesuar sipas Statutit si kryetar i “Foltores” pas humbjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor më 14 maj të këtij viti?!

Në krye të herës, Berisha u rikthye në politikën aktive duke ndarë PD në dy pjesë, fill pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA e më vonë nga Britania e Madhe, për korrupsion madhor, minim të demokracisë, presion ndaj drejtësisë, shtuar nga Britania me lidhjet me elementët e inkriminuar, si dhe përjashtimi që i bëri Lulzim Basha nga grupi parlamentar dhe më vonë nga vetë PD.

Berisha, për të treguar se është aktor politik bëri çfarë mundi për të marrë pjesën më të madhe të demokratëve dhe realizuar një rezultat mbi PD-në zyrtare në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar dhe ato të 14 majit të këtij viti për pushtetin vendor. U fut në zgjedhje nën siglën e LSI e më pas Partisë së Lirisë së Ilir Metës dhe e nxori PD-në parti të tretë.

Kjo provë force , Berishës vlejti vetëm kundër Bashës, pasi aleatët tanë as dorën nuk ia japin dhe as emrin s’ia përmendin. I vlejti kundër Bashës, pasi në fillim ai dha dorëheqjen nga kryetar i PD, për t’u rikthyer më pas dhe rizgjedhur në krye të PD zyrtare, teksa posedon zyrtarisht dhe vulën e logon e kësaj partie. Por ‘humbi’ selinë e PD buzë Lanës, të cilën Berisha, ndonëse nuk e mori në fillim me sulmin e dhunshëm të 8 janarit, arriti të futej brenda dhe ta pushtojë pas 6 marsit të vitit të kaluar.

E pushtoi me ndihmën e ‘kallauzëve’ në grupin e PD zyrtare. E kemi thënë që herët se Berisha kishte njerëzit e tij në PD zyrtare dhe grupin parlamentar që punuan fort për të, duke mos lejuar nxjerrjen e kandidatëve për kryetarë bashkie më 14 maj, dhe ato që dolën nuk u mbështetën asnjë sekondë, por u mbështetën kandidatët e “Foltores”.

Gazment Bardhi, një ndër kundërshtarët më të fortë të Berishës, ishte ‘indikatori’ kryesor në sabotimin e PD zyrtare, duke kërkuar mosdaljen e PD me kandidatë më 14 maj, por dhe lënien ‘jetimë’ të 14 kandidatëve të PD për kryetarë bashkie që përballuan kërcënimet e Berishës dhe u futën në garën për pushtetin vendor.

Bardhi nuk u mjaftua vetëm me këtë lëvizje, por u vu dhe me pjesën logjistike dhe financiare në shërbim të Berishës, teksa hoqi shpenzimet e zyrave, me personel, qira dhe ujë e drita, si dhe vende vende vendosi fondin e PD zyrtare në funksion të “Foltores”. Asnjë lek nuk dha për 14 kandidatët e PD zyrtare Bardhi gjatë fushatës, e përballuan vetë ata, dhe kjo është pranuar publikisht prej tyre.

Dhe në fund Bardhi shkoi bashkë dhe vetë me një grup deputetësh te Berisha, duke ‘gëlltitur’ të gjitha akuzat në drejtim të liderit historik të demokratëve, si anti-amerikan, ‘non grata’ e deri tek përmendja e djalit Zeni, në kontekstin e përfitimeve nga pushteti i babait të tij kryeministër. I zeroi të gjitha akuzat Bardhi, duke u fshehur pas idesë së tij të “bashkimit” të të gjithë PD, duke u bashkuar me një ‘non grata’ funksional si Berisha, i cili sulmon partnerët tanë ndërkombëtarë dhe drejtësinë, thjeshtë për hallet e tij, të familjes dhe ortakëve të tij.

Por Berisha nuk u mjaftua me kaq. Nuk ia ‘mbushi syrin’ as rreshtimi i Bardhit dhe deputetëve të tjerë që shkuan tek “Foltorja” me të, në procesin e dhunimit të Kuvendit, duke shkatërruar sallën e seancave plenare, bllokuar punimet e Kuvendit, mbledhjet e komisioneve parlamentare, duke ndezur tymuese, qëlluar me karrige gardistët, duke kapërcyer kangjellat e duke hyrë nga dritarja e e kryesisë së Kuvendit. Vetëm e vetëm që të bllokojnë punën e legjislativit shqiptar. Anipse po miratohej buxheti i shtetit për vitin 2014. Pikërisht momenti kur opozita duhet të tregojë veten.

Berisha nuk ishte i kënaqur me ‘fazën e parë’ të poshtërimit të Bardhit e deputetëve që e ndoqën në rrugën e kalimit nga PD zyrtare e drejtuar nga Basha tek “Foltorja”. Madje paranoja e tij e kishte orientuar fort tek mungesa e besimit tek Bardhi dhe pasuesit e tij në Kuvend. Duhej një akt tjetër poshtërues për t’i pasur të nënshtruar tërësisht, në funksion dhe dispozicion të halleve të tij me SHBA, Britaninë, BE dhe drejtësinë e re shqiptare. Për t’i pasur tamam ‘numërorë topi’.

Kuvendi Kombëtar i 2 dhjetori përbën ‘fazën e dytë’ të poshtërimit që Berisha ka përgatitur si surprizë për Bardhin dhe deputetët e tjerë demokratë që e ndoqën në kalimin tek “Foltorja”. Nëse e ‘kapin grepin’ themi.

Ndoshta Berisha nuk ishte gabuar në paranojën e tij, se deputetët e Bardhit dhe ndoshta dhe vetë Bardhi, ishin tek “Foltorja’ thjeshtë me shpresën se mund të fitojnë një mandat të ri deputeti në zgjedhjet e ardhshme. Duke u vënë në listat prioritare të zgjedhësve, aty ku nuk duhet herësi për të shpresuar se dhe me 300 vota nga qytetarët të jenë pjesë e Kuvendit.

Që të enjten në darkë filluan kontestimet e para. Deputeti i Lushjës Saimir Korreshi, deklaroi publikisht se nuk do marrë pjesë në kuvendin kombëtar të Foltores që organizohet me 2 dhjetor. Ai e sqaroi pozicionin e tij, duke deklaruar se me grupin e deputetëve të Berishës ishte bashkuar për të bërë betejë parlamentare kundër mazhorancës së Edi Ramës dhe jo për ndryshime në parti apo përfshirje në jetën politike të “Foltores”. Të njëjtën gjë tha sot dhe deputeti tjetër, Dash Sula, i cili e argumentoi mungesën në Kuvendin e Berishës me faktin se kur nuk ka qënë në zgjedhjet e tij kreu i këtij grupimi, nuk mund të shkonte në Kuvendin e votëbesimit për të.

Bardhi dhe deputetët e tjerë kanë heshtur. Por zërat thonë se janë të shumtë deputetët që shkuan tek Berisha në ‘eksodin’ e dytë nga PD zyrtare, të cilët s’do marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të Berishës. Ndoshta me të njejtin argument që paraqitën dhe Korreshi e Sula. Dhe Bardhi ende s’është pozicionuar për pjesëmarrje me 2 dhjetor. Pavarësisht thirrjeve të Berishës e deputetëve mbështetës të tij, se ‘ata janë automatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar’ të “Foltores” e mund të konkurrojnë dhe për poste të tjera apo kryesinë e këtij grupimi të shkëputur nga PD. Grupim që gjithsesi ligjërisht është në ‘të zezë’, s’është parti politike. Pasi sa herë ka zgjedhje futet nën “çatinë” e Metës.

Burimet thonë se Bardhi dhe deputetët që e kanë ndjekur ngurrojnë apo refuzojnë të përfshihen në strukturat e “Foltores” duke bojkotuar madje dhe Kuvendin e 2 dhjetorit, për shkak se do të duhet të zgjedhin mes partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA, BE dhe Britania e Madhe dhe Sali Berishës që e kanë shpallur ‘non grata’. Në mënyrë të pakthyeshme madje, duke mos ngurruar t’ia përmendin sa herë u jepet rasti.

Por më tepër që paralajmërimi se nuk kanë të ardhme nëse bashkohen me ‘non gratën’, është dhe qëndrimi e ‘zeza mbi të bardhë’ i SHBA, që paralajmëroi indirekt këta deputetë por dhe ata që i ndjekin në bazë se duhet ta shikojnë mirë ndjekjen dhe bashkëpunimin me liderët e sanksionuar. Pra përfshirjen në një grupim politik me Sali Berishën e thënë shqeto.

Berisha e di mirë ketë fakt, ndaj po mundohet ta përdorë Kuvendin Kombëtar të “Foltores” më 2 dhjetor si një ‘test’ për të parë nëse Bardhi e deputetët që e ndjekin do të jenë bashkëudhëtarë me të në linjën e ashpër kundër aleatëve tanë të mëdhenj dhe drejtësisë së re, informacionet janë se do të miratohet dhe një rezolutë kundër drejtësisë, apo do të qëndrojnë mënjanë jashtë grupimit “Foltorja” dhe të shohin vetëm orientimin drejt SHBA, BE e Britanisë. Sikurse deklarohen.

Këtë dilemë kërkon të zgjidhë Berisha, ose t’i ketë të nënshtruar e poshtëruar plotësisht Bardhin dhe ndjekësit e tij, ose t’i ketë përballë, siç ka dhe Bashën, ‘armikun’ më të madh të tij, njeriun që i bëri atë që s’ia ka bërë askush në 32 vite, e përjashtoi nga PD. Sepse me Berishën ka vetëm ‘bardhë e zi’, nuk ka ngjyrë gri: ose me të ose kundër tij. Pavarësisht se deklaroi se nuk i mbetej hatri nëse nuk marrin pjesë në Kuvendin e 2 dhjetorit të Foltores. Inatin e nxjerr më pas Berisha, sikurse e ka treguar në 32 vite.

Prandaj la për një ditë hallet me drejtësinë për të zhvilluar Kuvendin Kombëtar të “Foltores”, thjeshtë dhe vetëm për të vënë Bardhin dhe ndjekësit e tij përballë dilemës së zgjedhjes mes tij dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Pasi për rikonfirmimin e tij në krye të “Foltores”, dhe pas humbjes së zgjedhjeve, as që e vë në diskutim, mbi 90 përqind fiton. Fitoi pas 10 vitesh që kishte dhënë dorëheqjen nga kryetar i PD, duke e ndarë partinë dhe marrë pjesën më të madhe të saj tek “Foltorja”. Jo më tani.

Mbetet që të shohim nëse Bardhi e deputetët e tij do jenë pjesë e Kuvendit të “Foltores”, për t’iu bashkuar betejës së Berishës kundër aleatëve tanë të mëdhenj dhe drejtësisë apo do të qëndrojnë indiferentë ndaj këtij zhvillimi. Dhe nëse distancohen nga Berisha, gjasat janë që një pjesë e tyre të distancohet, do shohim nëse do rikthehen sërish tek Basha, apo do t’i japin jetë një formacioni tjetër politik të ri të dalë nga PD.

Skrupuj nuk kanë. Kur shkuan tek Berisha ‘non grata’ dhe pas gjithë atij lumi akuzash kundër tij, deri dhe për krime, te Basha e kanë më lehtë që të kthehen. Ndërsa partia e re politike do këllçe. Deri më tani kanë treguar se nuk kanë, nuk i mbështet njeri dhe nuk njihen jashtë perimetrit të Tiranës. Vetëm nëpër TV dhe rrjete sociale. Gjithçka mbetet për t’u vertetuar më 2 dhjetor. Java

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë