TIRANË- Partia Socialiste është e qartë në qëndrimin e saj, për zgjedhjen e president të ri nuk do të ketë asnjë negociatë me Sali Berishën. Elisa Spiropali, pjesë e grupit të PS për zgjedhjen e presidentit ka mohuar kategorikisht përfshirjen e Berishës për këtë proces, duke e thënë qartë se nuk kanë ndërmend të ulen në negociata me një të vdekur që nuk vdes.

PS i ka mbyllur çdo derë Berishës, ndonëse ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të përfshihet fare dhe se nuk do të propozojë asnjë emër për presidentin e ri. Për këtë deklaratë, Spiropali ka pasur një koment. Ajo shkruan se Berisha është vetpërjashtuar nga një proces që në fakt nuk e kishte asnjë në plan ta ftonte.

Sali Berisha është vetpërjashtuar nga një proces ku nuk e ka ftuar askush dhe ku askush nuk ka pasur asnjë plan për ta ftuar! Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk parashikon pjesëmarrjen e të vdekurve që nuk vdesin”, shkruan Spiropali.

Burime për Report Tv bënë me dije se sot grupi i PS-së për zgjedhjen e Presidentit ka pasur sot në Kryesinë e Kuvendit një takim informal me Enkelejd Alibeajn. Spiropali nuk ka mohuar në asnjë moment negociatat me Albejan për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ndonëse, ky lajm u mohua nga vetë Alibeaj, i cili u dërgoi një mesazh deputetëve demokratë se sot nuk ka pasur diskutime. Ai thotë se mënyra se si është organizuar veprimtaria e grupit parlamemtar të PD, për çdo çështje të axhendës parlamentare, apo organizative, gjithçka është e mbetet kompetence e mbledhjes se grupit parlamentar.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nis procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës. Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual. PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.