Cilido qoftë emri i Prokurorit të Ri të Përgjithshëm, ai nuk do të ketë konsensusin e të gjitha palëve në Kuvend. Të paktën, kështu paralajmëroi kreu i PD Sali Berisha i cili i zeroi mundësitë që deputetët e tij të bashkojnë votat me maxhorancën për një emër konsensual.

Teksa doli nga SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje, i pandehur për aferën Partizani, Berisha kërkoi zgjerimin e kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm, duke përfshirë edhe hetimin e prokurorëve të posaçëm.

“Ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash.  Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave. Por mund të them që Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë dhe kur dëgjoj ndonjëherë raportin e tij, ai flet sikur është drejtori i statistikave të policisë. Është një zhveshje e gabuar, e gabuar që i kanë bërë atij sepse ai është institucion kushtetues, është institucion kushtetues dhe ta lësh atë sa për disa statistika, kjo është një akt.

Mendoj se mund të rishqyrtohet si institucion për të korrigjuar disa gabime që janë bërë. Për shembull, këta këtu (SPAK), këta hetojnë veten e tyre. Nuk ndodh në botë kështu.  Nuk ndodh në botë që një institucion për çështje penale, se hajde administrative po, por për çështje penale të hetojë veten e tij.

Atëherë është e domosdoshme që një institucion tjetër, natyrisht meqenëse këta janë institucion kushtetues, një institucion tjetër kushtetues të marrë një institucion tjetër kushtetues të marrë disa atribute në mënyrë që askush të mos ndjehet mbi ligjin. E të tjera, por në këtë formë siç e kanë krasitë komplet Prokurorinë e Përgjithshme, ai institucion nuk ka një rol që duhet të ketë.”, tha Berisha.

Kryedemokrati u ndal edhe te kundërshtitë ndaj hartës së re territoriale të propozuar nga socialistët duke u kërkuar qytetarëve të mos i ndalin protestat dhe duke akuzuar Ramën se po vijon axhendën e shpopullimit 

“Janë protestat më të ligjshme dhe unë nxis dhe inkurajoj dhe u bëj thirrje të gjitha bashkive të cilat me një të rënë të lapsit narkodiktatori kërkon t'i fshijë nga harta.  U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ish-bashkive, të cilat ne i kemi rivendosur në hartë për rikthimin e tyre, të ndërmarrin një proces protestash të pandërprerë, të bashkohen me protestën rinore qytetare, gjer në suksesin e plotë të të drejtave të tyre, kërkesave të drejta.

Kjo që bën Edi Rama është një veprim sulltanesk i një njeriu që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës, i një njeriu i cili, i pangopur dhe i paetur me pushtet, në vend të decentralizimit promovon centralizimin ekstrem. I një njeriu që përdori 2014-ën dhe vazhdon ta thellojë reformën si levën e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata, të gjithë qytetarët e këtyre bashkive që ai me gjakftohtësi kriminale u bie një kryq, nuk do të ekzistojnë, pavarësisht se kanë histori shekullore ekzistence e të tjerë me radhë”, vijoi Berisha.

Berisha u pyet edhe për kështjellën 2.6 mln euro të Ermal Beqirit në Francë, për të cilën tha se hetimet duhet të zbulojnë se kujt i përkiste vërtetë.

“Kështjella është e Ermal Beqirit, apo e Ramës dhe e Olsit, ai kishte kështjellë, jahte, kishte avionë. Pasuritë e shqiptarëve, rrogat e pensionet e vjedhura të shndërruara në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri. Hetimet do ta tregojnë se kështjella mund të jetë e Ramës pasi ai nuk do të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë veç tij”, vijoi Berisha.

Kryeministri Rama tha një ditë më parë se propozimi për të shkrirë 15 bashki, duke e çuar numrin e tyre nga 61 në 46, është ende në fazë konsultimi 60 ditor ndërsa i kërkoi kryebashkiakëve që kundërshtojnë hartën e re, që të gjitha shqetësimet e tyre t’i depozitojnë zyrtarisht me shkrim.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Vata: 03/08/2026 12:11

    Temperatura 40 grad celcius maliku me gjup leshi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00

    Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?