Brenda javës së parë të dhjetorit duhet të ketë një emër të ri për Prokurorin e ri të Përgjithshëm në vend por Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk ka nisur asnjë procedurë për shqyrtimin e 5 kandidaturave.

Është detyrë e organit qeverisës të prokurorisë që të rendisë tre kandidatët më të kualifikuar, listë e cila i dërgohet për votim Kuvendit të Shqipërisë, pasi më herët të ketë bërë një procedurë të imtësuar verifikimi.

Një prej këtyre procedurave është edhe dërgimi i emrave të kandidatëve për në ILDKPKI për të verifikuar pasurinë, proces që zgjat në kohë.

Vonesën pritet ta zgjasë edhe më tej, edhe një kërkesë e mbërritur në KLP nga njëri prej kandidatëve, Ylli Pjetërnikaj, i cili kërkon që nga shqyrtimi i këtij procesi të përjashtohet anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Vatë Staka, për shkak sipas tij të konfliktit të interesit.

Kërkesa ëshët dorëzuar që më 30 korrik, por KLP ende nuk e ka shqyrtuar. E vendosur në rendin e ditës në mbledhjen e sotme, kryetarja e KLP Mirela Bogdani njoftoi se kërkuesi Pjetërnikaj kishte sjellë një material shtesë dhe për këtë disa anëtarë kërkuan shtyrje.

Por kjo solli një debat shumë të ashpër mes anëtarësh, anëtarët Sokol Stojani dhe Erind Mërkuri kërkuan shqyrtim të menjëhershëm, ndërsa Zeqir Hoda dhe anëtarë të tjerë propozuan shtyrje për të hënën.

“Kërkesa është paraqitur që më datë 30 dhe ne ende nuk e kemi shqyrtuar. ILDKPKI nuk i janë dërguar ende materialet dhe 5 dhjetori vjen shumë shpejt”, tha anëtari i KLP Erind Mërkuri.

“Të bëjmë verifikimin dhe të ccojmë në ILDKPKI të gjithë ata që plotësojnë dokumentet”, tha anëtarja Ledina Riza, duke propozuar shtyrje për të hënën.

“Kujdes, do të hapim një precedent. Është një proces shumë i rëndësishëm dhe ccdo shtyrje ndikon në afate. Unë them që është e tepërt. Kërkesën e ka bërë, faktin mbi të cilin ai e bazon kërkesën është i qartë. Dhe ne duhet ta shtyrtojmë, të vendosim nëse është në përputhje me ligjin ose jo kërkesa”, iu përgjigj Sokol Stojani.

Pas debateve të ashpra mbledhja është ndërprerë dhe diskutimi është shtyrë për në 15:30. 

Që më 4 gusht Këshilli i Lartë i Prokurorisë konfirmoi emrat e 5 kandidatëve zyrtarë që do të jenë në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, pas mbylljes së detyrës 7-vjeçare të Olsian Çelës në krye të këtij institucioni. Në përfundim të afatit të aplikimit, 5 kandidatët në garë për Prokurorin e Përgjithshëm janë si më poshtë: 1. Adnan Xholi; 2. Arta Marku; 3. Fatjona Memçaj; 4. Rovena Zoto; 5. Ylli Pjetërnikaj.

Ajo që vihet re është se në listë ndër të tjerë, janë prokurori i SPAK Adnan Xholi, si dhe ish-Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku. Pasi të analizojë nëse kandidatët plotësojnë kriteret, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të rendisë tre kandidatët më të kualifikuar, listë e cila i dërgohet për votim Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi ka 30 ditë kohë nga dita e paraqitjes së propozimeve për të zgjedhur kryeprokurorin me shumicë të cilësuar prej 3/5 të votave të të gjithë anëtarëve. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur i pari nga KLP shpallet automatikisht i emëruar si Prokuror i Përgjithshëm.

Lajm në përditësim...