Përmeti ka qenë një ndër surprizat e këtyre zgjedhjeve ku me 1633 vota më tepër ka fituar kandidati i PD Niko Shupuli në një prej bastioneve më të mëdha të PS. Me 4771 vota, ose 58.6% Shupuli ka siguruar fitoren ndërsa garonte përballë kreut aktual të bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçes i cili ka marrë vetëm 3138 vota ose 38.5 %. Edhe qyteti i Pogradecit i cili konsiderohej i majtë në këto zgjedhje është ngjyrosur me blud dhe do të drejtohet 4 vitet e ardhshme nga kandidati i djathtë Eduard Kapri, i cili ka marrë 17.388 vota përkundrejt 15.675 vota të marra nga kandidatja e ASHE, Diana Mile. Sa i përket Bashkisë së Mallakastrës fitues është shpalur Agron Kapllanaj me 1750 vota më shumë ndaj kandidatit të majtë Shqyqyri Kapllani.
Agron Kapllanaj është shprehur mjaft i gëzuar për fitoren e tij në një intervistë të shkurtër telefonike për A1 Report duke falenderuar zgjedhësit e Mallkastrës për këtë zgjedhje. Bashkia e Cërrikut do të ketë për kryetar kandidatin e APPD Altin Toska, i cili ka marrë shumë vota se kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Qamil Boja. Kandidati i djathtë për Bashkinë e Selenicës Përparim Shametaj me 6.096 vota ose me 53,8 % të votave ka dale fitues. Shametaj garonte përballë kandidates së pavaruar Alma Golemaj e cila ka marrë vetëm 151 vota dhe Kasëm Cenajt i mbështetur nga ASHE, ky i fundit ka marrë 5078 vota ose 44.86 vota.
Megjithatë e djathta ka humbur disa prej bashkive të saj të konsideruara si bastione duke përmendur këtu Pukën, Mirditën, Hasin, Kurbinin. Kandidati i majtë Gjon Gjonaj fiton garën për Bashkinë e Pukës, megjithëse me një rezultat të ngushtë. Ai ka qenë në dizavantazh, por kanë qenë kutitë e fundit të cilat ishin në favorin e ti që i dhanë edhe fitoren. Sa i përket bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj i Aleancës për Shqipërinë Europiane ka fituar garën përballë Gjergj Prengës së Aleancës popullore për Punë e Dinjitet. Dedaj ka marrë 8377 vota ose 55,4% ndërsa Prenga ka marrë 6751 vota ose 44,6%.
Nga numërimi i 32 kutive, kandidati i majtë Adem Lala ka fituar zyrtarisht Bashkinë e Hasit. Adem Lala i ASHE mori 4884 vota ose 52.98 %, Elez Maçi i APPD mori vetëm 3141 vota ose 45.29 %. Ndërsa Gëzim Ukperaj i PSD mori vetëm 57 vota ose 0.82 %. Artur Bardhi i Aleancës për Shqipërinë Evropiane është shpallur fitues i bashkisë së Kurbinit. Edhe pse u dorëhoq nga gara, kandidati i së djathtës votuesit duket se kanë shprehur vullnetin e tyre me votë për kandidatin Altin Biba, i cili ka marrë 2313 vota.
Bashkia e Dibrës është një tjetët bastion i djathtë i cili u fitua gjatë këtyre zgjedhjeve nga e majta. Kandidati i ASHE Shukri Xhelili është shpallur fitues i kësaj bashkie.
Ndërkohë vijon procesi i numërimit në bashki të tjera të vendit.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)