Ish-kryeministri Sali Berisha, nën akuzë nga SPAK për dosjen “Partizani”, mblodhi sot në mbrëmje (11 Dhjetor) krerët e degëve të PD-së në rrethe.
Qëllimi dhe tematika ishin zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, organizimi i strukturave dhe nisja e fushatës duke zbritur në terren te qytetarët derë më derë, në dyqane, kafene dhe rrugë.
Berisha nuk kurseu sot as akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme për arrestimet e njerëzve të opozitës dhe drejtuesve të saj, duke nënkuptuar edhe rastin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai tha se SPAK është në duart e Ramës si një ‘qen që e ndërsen ndaj kujtdo që nuk e do’.
“Por mitet që ngrihen mbi gënjeshtrën, nuk duhet të na trembin kurrë. SPAK-u është Skapi i partisë, më shumë se kurrë. Po, është ai Skapi në duart e Edi Ramës që ndërsen ndaj cilitdo që ai don vet. Kur dëgjon rëndomë njerëz që thonë: po arreston ministra, në një kohë kur nuk ka arrestuar ndonjë ministër të veçantë, kurrë gjer sot, asnjë të veçantë. Imagjinoni ju, si ngrihet miti i mashtrimit, miti mbi gënjeshtrën e mashtrimit. Ka arrestuar ish-ministra që i ka hequr Edi Rama. Përkundrazi, ajo që po zhvillohet këto ditë është turpi më i madh. Një ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti, e nxjerrin pa i treguar një mandat dhe asgjë. E zvarrisin në rrugë, e godasin tek kthehej në punë”, u shpreh ish-kryeministri.
Berisha e përqendroi fjalën e tij edhe tek rritja e nivelit të grupeve të punës, kontakti me çdo qytetar, gjendja ekonomike, skandalet e qeverisë dhe si qëllim fitorja e zgjedhjeve.
“Realiteti është se ne jemi shpresa e vetme. Kjo na detyron shumë, që te çdo qytetar, anëtar e militant ta ngulitim këtë shprehje dhe këtë shpresë, ta mbjellim në çdo mendje të shqiptarëve. Këta japin për pensionistët pensionin që Gjermania jep për qentë. 135 euro jep qeveria gjermane për qentë, kurse ky (Rama) jep 16 mln euro. Do e bëjmë përmbysjen. Do ulemi me çdo njeri. Keni çdo taktikë dhe strategji për t’i motivuar qytetarët. Siç ra Assadi, diktaturat janë kalbësira. Kështu është dhe ky (Rama) dhe ky la nam. Çon mesazhe në europë për reformimin e opozitës, hoqi maskën si diktator”, u shpreh kreu i PD-së.
Ai u tha të pranishmëve se do e përmbysin modelin e shpërndarjes së të ardhurave kombëtare në nivel ekonomik. Berisha tha se ‘ky model është më i pamëshirshmi që mund të ekzistojë” dhe se qeveritarët “kanë rritur rrogat e tyre pesëfish”.
“Pensonistët blejnë jo më pak se 30-40% më pak se çfarë blinte në vitin 2013. Çmimi i ushqimeve bazë është rritur katër herë më shumë. Pensionistit s’i mjafton të marrë ushqimet bazë. Të sëmurët po vdesin jo nga sëmundja, po nga mungesa e ilaçeve. Ky është krim kundër njerëzimit, sepse dihet se pa ilaçe vdes dhe ky është krim. Këta janë përqëndruar në vjedhje dhe plaçkitje të pasurisë publike në formë të papërmbajtur. Të shkojmë te çdo njeri të paraqesim programin tonë. Nëse ne e kalojmë rubikonin, kemi shumë punë për të bërë e djersë për të derdhur”, u shpreh ish-kryeministri.
Në fund ai bëri thirrje për mobilizim edhe për protestën e 23 Dhjetorit dhe për mosheqje dorë nga mosbindja civile.
“Të bëjmë mobilizimin maksimal, që Tirana të jetë përsëri në dorë të qytetarëve më 23 Dhjetor (protesta). Nuk heqim dorë nga mosbindja civile, edhe po ia mbathi do ta gjejmë (Rama). Ai shkoi te Putini, ky mund të shkojë te Vuçiçi bashkë me vëllanë, por nuk e mban dot”, tha Berisha.