Partia Mundësia është e vendosur për zgjedhjet lokale 2027: në rrugëtimin krah PD pranon vetëm kandidaturën e Florian Binajt. Në një lidhje direkte me “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, deputeti Erald Kapri tha se në zgjedhjet e fundit, Binaj shfaqi mbështetje të përafërt me Ogerta Manastirliun, ndaj Partia Mundësia e sheh si opsion të qëndrueshëm.
“Ne i qëndrojmë kësaj gjëje dhe s’kemi ndërmend të lëvizim nga kjo vendimmarrje. Nëse PD do të ndryshojë qëndrim për kandidat tjetër, është punë e PD. Ne nuk lëvizim nga kjo”, tha Kapri.
Por gazetari Denis Minga mendon se Partia Mundësia duhet të prezantojë një kandidat të ri dhe të ndryshëm nga PD ose në të kundërt e pret një fat ‘i errët’.
“Nëse Partia Mundësia do të vazhdojë të bjerë në grackën e Berishës, ka për t’u rrudhur siç janë rrudhur partitë e tjera të djathta. E vetmja mundësi është që të dalë që tani me një kandidaturë tjetër, e shkëputur totalisht nga ajo çfarë bën PD”, tha Minga.
Kapri tha se momentalisht po pritet të shihet si do të vendosë PD dhe nëse Binaj nuk do të jetë kandidati i PD, atëherë Mundësia do të vijojë veçmas.
“Ne presim të qartësohet vendimi i PD se është i paqartë. Nëse i qëndron procesit dhe Florian Binajt, nuk e kemi të qartë ende këtë gjë. Nëse PD merr vendim tjetër, ne s’jemi, e kemi thënë që nuk jemi për koalicion, ne do të kemi rrugëtimin tonë pastaj dhe çdo opsion është i hapur. Ne kemi nisur punën për zgjedhjet lokale”, tha Kapri.
Gjatë diskutimit me Mingën, i cili ritheksoi se Partia Mundësia duhet të shohë alternativa të tjera, Kapri tha se nuk kanë ndërmend të kundërshtojnë PD.
Erald Kapri: I kemi të gjitha alternativat në tavolinë.
Denis Minga: Testoni veten dhe rrituni në mënyrë të pavarur.
Erald Kapri: Unë thashë kemi rrugëtimin tonë politik.
Denis Minga: Thua po të ishte Binaj, do të pranojmë kandidaturën e Berishës. Kjo nuk shkon.
Erald Kapri: Te Binaj ishte një proces që e iniciuam ne.
Denis Minga: E keni quajtur tradhti në fund emrin e Binajt se nuk ishte ky kandidati juaj.
Erald Kapri: Ne u futëm falë një pranimi, jo me kushtëzim emri. Propozuam kandidatë shumë të mirë, nuk këmbëngulëm tek emri. Opozitë e PD nuk bëhemi.
Denis Minga: Pse e keni këtë kompleks?
Erald Kapri: Ne do të futemi absolutisht, por nuk jemi opozitë e opozitës dhe nuk e mendojmë të nxjerrim kandidatë për të dëmtuar opozitën. Ne mendojmë të rritemi vetë dhe ta bëjmë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Sa për një bashkim të mundshëm mes partive të reja si Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë, Kapri tha se nuk është çështje mekanike, por kauzash.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, mendon se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për rishikimin e masës së sigurisë arrest në burg tregon se qeveria ka ndërhyrë në drejtësi për përfitimet e saj.
“Nuk mund të lëvizë politika për hallin e vet. Nëse do të interesohej për qytetarin, do të kishte bërë ndryshime të tjera. Politika ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë dhe Gjykata e Lartë që të përfitojë direkt ajo. Kjo është shumë herë më e rëndë”, tha ai gjatë lidhjes direkte me ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.
Sipas Kaprit, veprimet e politikës tregojnë për një drejtësi me dy standarde.
“Kur politikës i vjen halli te dera, mendon për veten e vet. Për njerëzit funksionon një drejtësi tjetër, për të korruptuarit dhe njerëzit e pushtetshëm të funksionojë një drejtësi tjetër”, tha deputeti.
Gjithashtu, ai shprehu shqetësim për qëndrimin e Gjykatës së Lartë duke iu referuar një deklarate të Taulant Ballës në Kuvend. Kapri thotë se Balla e cilësoi rishikimin si “vendim historik”, një detaj që ai thotë se ngre pyetje për vendimin që do të shprehë Gjykata e Lartë.
“Taulant Balla tha në parlament që ky është një vendim historik. Pyetja është, nga e di Taulant Balla që ky është vendim historik, nga e di vendimin sesi do të jetë, i gjykatës? Taulant Balla madje aty lexoi edhe përmbajtjen sipas tij të vendimit që i referohet një vendimmarrjeje të Gjykatës së Strasburgut dhe kjo tregon hapur ndërhyrje të qeverisë te gjyqësori që të mblidhet dhe të vendosë për paraburgimin në Shqipëri”, tha Kapri.
Komente










