Trembëdhjetë parti politike rrezikojnë të gjobiten për shkelje të rregullave të financimit të fushatës zgjedhore dhe raportimit financiar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Pas shqyrtimit të raportit të auditimit për fondet e përfituara dhe shpenzimet e deklaruara nga subjektet zgjedhore, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur t'i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosjen e masave administrative ndaj partive që rezultojnë me shkelje të Kodit Zgjedhor.
Shkeljet nuk janë të njëjta për të gjitha partitë. Tre prej tyre, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare dhe Partia Aleanca Arbnore KombëtarE, rrezikojnë gjobë prej 2 milionë lekësh, pasi nuk kanë dorëzuar raportin financiar brenda afatit ligjor.
Nga ana tjetër, Partia Aleanca Demokracia e Re, Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë dhe Partia Kristian Demokrate janë propozuar për gjobë prej 500 mijë lekësh, pasi raportet financiare janë dorëzuar me vonesë.
Auditimi ka konstatuar edhe shkelje që lidhen me mënyrën e financimit të fushatës zgjedhore. Për këtë arsye, KSHZ kërkon gjobë prej 100 mijë lekësh për Partinë Balli Kombëtar, Partinë e Enkelejd Alibeaj Djathtas 1912, Partinë Socialdemokrate, Partinë Nisma Thurje dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkohë, Partia Lëvizja Atdheu dhe Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare rrezikojnë gjobë prej 500 mijë lekësh secila, pasi nuk kanë dorëzuar raportet financiare të kandidatëve.
Propozimi i KSHZ-së do të shqyrtohet nga KAS, i cili do të vendosë nëse do të miratojë ose jo masat e kërkuara administrative
Komente







