Zgjedhjet e 11 Majit/ Aleanca Shehi-Alibeaj-Basha! Kreu i LZHK-së konfirmon negociatat mes 3 grupimeve: Brenda muajit e bëjmë zyrtare! (VIDEO)

Teksa zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po afrojnë, partitë politike nuk mbeten pas me parafushatën elektorale dhe krijimin e aleancave.

Mes tyre është një marrëveshje e gjerë e partive opozitare, që nuk shohin dashamirësi afrimi apo negociatash nga Partia Demokratike.

Ishte kreu i LZHK-së, deputeti Dashamir Shehi, që konfirmoi sot për mediat edhe negociatat që po mbahen mes dy partive të vogla opozitare dhe grupimit të Bashës, pas marrëveshjes së dy partive të mëdha PD-PS për Kodin Zgjedhor dhe listat e hapura, që i la të parët në rrezikun elektoral.

Shehi pohon bisedimet me grupimin politik Demokratët Euroatlantikë, të drejtuar nga Lulzim Basha, teksa pothuajse konfirmon marrëveshjen se DA dhe LZHK do dalin së bashku me zgjedhjet e 11 Majit. Gjithashtu shpjegon se janë në negociata edhe me “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeajt dhe të tjerëve.

“Jemi në komunikim dhe bisedime me grupin Basha. Jemi në negociata me 3-4 grupe që janë brenda Parlamentit, me të gjitha, kemi rënë dakort për listat e hapura. Të gjithëve u bëjmë thirrje hajde ta bëjmë bashkë, shtëpia është e përbashkët, lista është e përbashkët, e mbyll populli këtë dava me numër votash. Si veteran e bëj këtë thirrje, të reflektojnë, se ky është shans i madh i opozitës. Ndryshe të shkojnë te grupimi Berisha-Meta”, tha Shehi ndër të tjera.

Gjithashtu ai i bëri thirrje emigrantëve të regjistrohen, ndërsa nga ana tjetër kritikoi mos-dakordësinë për shtrirjen e votimit elektronik.

“Lista është e përbashkët, është e hapur. Është shans i madh që ka opozita alternative, nëse s’kanë ide të tjera, të shkojnë te grupi Berisha apo Meta, sesa të bëhet rrëmujë me 700 lista, që mos ta marrin vesh i pari te dytin. Të thjeshtohet lista e votimit, lista opozitare, të jetë e përqëndruar, sepse fitohen më shumë vota, kuptohet më mirë dhe jep rezultat”, thotë Shehi.

Më tej ai shpjegon edhe negociatat. Shehi shprehet se brenda muajit mund të ketë marrëveshje.

“Po negociojmë me të gjitha grupet që janë brenda Parlamentit dhe pothuajse kemi rënë dakord me Alibeajn, grupin e Bashës apo të tjera parti që janë brenda në Parlament. Pothuajse po e mbyllim këtë punë. Kur të nënshkruhet marrëveshja, që besoj brenda këtij muaji, do ta bëjmë zyrtare. Luftë autokracisë dhe korrupsionit të Ramës, të bashkohemi”, tha Shehi.

Ai u shpreh i pakënaqur për votën elektronike të anuluar në Tiranë, duke u shprehur se rritet spekulimi dhe dyshimi për numërimin e votave nga komisionerët, situatë që u shpreh se e "shqetëson shumë". Teksa u kërkoi emigrantëve të regjistrohen masivisht brenda afatit për të votuar më 11 Maj.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gafuri: 17/01/2025 18:25

    Tani fitove Dashi, me Lulin e ke te humbur davane.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

1997, fëmijëria e shqiptarëve, lamë lodrat dhe luanim me armë! Esencë-Report Tv

1997, fëmijëria e shqiptarëve, lamë lodrat dhe luanim me armë! Esencë-Report Tv