Kur mbeten vetëm dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit, ambasadori britanik në Shqipëri, Duncan Norman u ka bërë thirrje palëve politike të kenë vëmendje për kandidatët që do të paraqesin në zgjedhje.

Ambasadori britanik Duncan Norman u ka bërë thirrje partive politike që duhet të sigurojnë që kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët, të mos jenë të përfshirë me krimin e organizuar ose korrupsionin apo të lidhur drejtpërdrejt me ata që janë.

"Afati për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 Prillit është shumë pranë. Partitë politike duhet të sigurojnë që kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët të mos jenë të përfshirë me krimin e organizuar ose korrupsionin apo të lidhur drejtpërdrejt me ata që janë."- shkruan Duncan në Twitter.

 

Vetëm pak ditë më parë ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca zhvilluan një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, ku në fokus të diskutimit ishte pastërtia e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Për rreth një orë Yuri kim bisedoi me kryekomisionerit Shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin, me fokus përgatitjet për 25 prillit, por edhe çështjen e kandidatëve, për të cilën ambasadorja ka kërkuar prerazi nga krerët e partive të tregojnë përgjegjësi.