TIRANE - Shumë nga ju, me të drejtë, do të ngrenë pikëpyetje mbi kuptimin e këtij termi. Por për ata që punojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, pjesë e të cilëve jam dhe unë, ky term njihet mirë. Në gjuhën tonë të përditshme quhet “sulm kibernetik”.
Me evoluimin e tij, përveç mediave tradicionale, si televizionet, radiot dhe gazetat, interneti ka marrë pjesën e tij me ndjekës të përditshëm, pikërisht, falë shpejtësisë dhe dinamikës me të cilat ata, mund të informohen. Ky medium i përhapjes së informacionit, që tashmë nuk mund të quhet më i ri, ka sjellë një evoluim në kohë jo vetëm të mentaliteteve, pasi është gjithmonë e më e qartë se publiku i referohet më së shumti faqeve në internet për informimin e tij, por edhe të vetë teknologjisë së internetit në Shqipëri, duke e bërë atë që të zhvillohet në kushte të ngjashme me mediat e tjera online jashtë Shqipërisë.
 
Por ama në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë për këtë sektor dhe shkaqet janë të shumta, për shembull mungesa në numrin e njerëzve të specializuar në këtë fushë, probleme që lidhen me strukturat teknike për menaxhimin e të dhënave si dhe shqetësime që lidhen me normat që duhet ta rregullojnë këtë sektor, i cili është kthyer në një industri të mirëfilltë prodhimi dhe menaxhimi informacioni.
 
Kuadri ligjor për rregullimin e aktorëve të internetit ekziston, por duhet bërë me shumë. Për shembull, ka vite që në Shqipëri ekziston Ligji për tregtinë elektronike, Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, ndryshimet në Kodin Penal mbi krimet kibernetike dhe së fundi edhe Ligji për mediat audivozive. Por ende nuk ka një punë të koordinuar të aktorëve privatë me strukturat menaxhuese të rrjeteve dhe kjo gjë ka sjellë shqetësime jo të vogla mbi mbarëvajtjen e punës së mediave online dhe, në analizë të fundit, mbi lundrimin e lirë dhe pa problematika të përdoruesve në këto faqe.
 
Gati të gjitha mediat online nuk janë të rregulluara, me pak fjalë kryejnë veprimtarinë e tyre pa qenë të tuteluara dhe të mbrojtura nga problematikat e shumta që kjo Shqipëria jonë i ka me bollëk. Edhe pse ekzistojnë normat ligjore që përmenda më sipër, ato nuk janë të mbrojtura nga institucionet e posaçme ligjvënëse mbi sulmet kibernetike që në Shqiperi kryen me ritme të larta, pasi nuk i kanë kapacitetet teknike, zgjedhjet e vitit 2013 u karakterizuan nga një sulm në masë të gjerë ndaj portaleve informative më të mëdhaja në vend. Konkluzioni ka qenë, se këto media duhet të paguajnë shërbime ekstra për të mbajtur në këmbë aktivitetin e tyre online dhe jo gjithmonë këto shërbime kanë mundur t’i ndalojnë sulmet e shumta që kryhen nga njerëz të papërgjegjshëm.
 
Këto sulme, e shikojnë pikun e aktivitetit të tyre gjatë të gjitha zgjedhjeve që janë kryer në dekadën e fundit në Shqipëri, pra çdo dy vjet, duke penguar aktivitetin e këtyre mediave dhe duke shkelur ligjet që permenda më sipër. Nga këto sulme kibernetike nuk ka shpëtuar asnjë nga mediat e mëdha që kryejnë aktivitetin e tyre informues me anë të internetit në Shqipëri.
 
Çuditërisht këtë vit sulmet janë prerë si me magji, më në fund serverat nuk nxorrën tym nga sulmet dhe punuan me të gjithë kapacitetin e tyre për të informuar publikun minutë pas minute mbi ecurinë e procesit zgjedhor, duke bërë më së miri atë për të cilën ato janë ideuar dhe projektuar!
 
Pra, për të mos mbetur në “mëshirën” e atyre njerëzve të papërgjegjshëm, tema kërkon urgjentisht një debat mbi rregullimin me ligj të këtij sektori i cili vazhdon të mbetet jashtë mbrojtjes dhe krahut të ligjit. Tashmë Shqipëria i ka pjekur kushtet të përballet me këtë problem, njerëzit e përgatitur dhe shembujt nuk mungojnë, bota jashtë Shqipërisë e ka rregulluar këtë sektor dhe Shqipëria s’duhet dhe nuk mund të mbesë më kaq mbrapa!

*Shkrimi u botua n137 gazetën Shqiptarja.com (print) data 24 qershor 2015

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)