Zgjedhjet e parakohshme,kërkohet
respektimi i afateve të fushatës

Zgjedhjet e parakohshme,kërkohet<br />respektimi i afateve të fushatës
KOSOVË - Grupi për Studime Juridike dhe Politike u rikujton të gjithë subjekteve politike në vend, se duhet të respektojnë afatet kohore të vendosura nga KQZ në lidhje me fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës.
 
“Asnjë parti politike, nismë qytetare apo kandidat i pavarur nuk duhet të fillojë aktivitetet e parashikuara për fushatën zgjedhore para datës së caktuar nga KQZ (28 Maj deri në 6 Qershor 2014), përndryshe konsumon shkeljen e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thonë drejtuesit e këtij grupi.
 
Ata u rikujtojnë partive politike që bërja e propagandës politike për zgjedhjet e ardhshme si në kuptim të promovimit të sloganeve të tyre zgjedhore, shpalosjes së programeve politike për zgjedhjet e ardhshme, lançimi i spoteve televizive, promovimi i sloganeve zgjedhore në bilborde, përdorimi i rrjeteve sociale për propagandë të axhendës zgjedhore apo forma të tjera të promovimit publik përbën fushatë zgjedhore, dhe veprime të tilla janë absolutisht të ndaluara përpara datës 28 Maj 2014.
 
“I rikujtojmë partive politike që propaganda politike si në formë direkte ashtu edhe në formë indirekte për qëllim të përfitimit të votës në zgjedhjet e ardhshme janë në tërësi të ndaluara, pavarësisht faktit nëse partitë e kërkojnë apo jo drejtpërdrejtë votën në mesazhet e tyre politike. Ne e thërrasim KQZ-në që në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të nxjerrë një rregull zgjedhor ose udhëzim për periudhën para fillimit të fushatës duke përcaktuar qartë dallimin midis kohës së fushatës dhe para fushatës zgjedhore”, -shprehen drejtuesit e këtij grupi.
 
Kjo rregull/udhëzim sipas tyre, duhet të përmbaj veprimet e lejuara dhe ndaluara gjatë kësaj kohe, si dhe masat ndëshkuese për secilin shkelës të këtyre rregullave.
 
Gjithashtu u rikujtojnë KQZ-së dhe PZAP-së që lejimi i parafushatës zgjedhore në këto përmasa e dëmton parimin e barazisë në mes të konkurrentëve politik, pasi i jep mundësi partive që kanë pushtet dhe resurse më të mëdha financiare që t’i shfrytëzojnë ato në dëm të konkurrencës së lejuar në procesin e fushatës zgjedhore.
 
Për më tepër Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon nga partitë politike që të respektojnë detyrimet ligjore për mos shfrytëzim të aseteve dhe resurseve publike (si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal) për qëllime propaganduese për aktivitetet zgjedhore, si në kohë të parafushatës ashtu edhe gjatë fushatës, meqë kjo përbën shkelje të ligjit.
 
E njëjta vlen edhe për shfrytëzim apo detyrim të shërbyesve civil për të kryer aktivitete që lidhen me procesin zgjedhor.
 
Gjithashtu, u bëjnë thirrje çdo shërbyesi civil që urdhërohet nga eprori për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës zgjedhore, që t’i kallëzoj rastet e tilla në Prokurorinë e Shtetit, meqë këto përbëjnë vepra penale të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.
 
Ndryshe, Grupi për Studime Juridike dhe Politike do të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të institucioneve përkatëse të administrimit të procesit zgjedhor – sa i përket rregullshmërisë së tyre ligjore – duke filluar nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre.
 
Qëllimi i këtij monitorimi është që t’i ofrohet publikut një informacion i përditësuar për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm për vendin, dhe t’i kërkohet institucioneve gjegjëse përgjegjësi për veprimet e tyre ligjore./Kosovapress/
 
Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pr/ligji për prefektin kalon në Komisionin e Ligjeve, Opozita: Doni të kontrolloni prefektin që emëroni vetë! Rithemelimi deklaron votën kundër

Pr/ligji për prefektin kalon në Komisionin e Ligjeve, Opozita: Doni të kontrolloni prefektin që emëroni vetë! Rithemelimi deklaron votën kundër