Edhe në Bashkinë e Tepelenës, procesi i votimit është mbyllur pa probleme. Vetëm në nisje të procesit, disa qendra votimi u hapën me vonesë për shkak të mungesës së komisionerëve të PD. Dy kandidatët për drejtimin e kësaj bashkie, Gramoz Sako i PS dhe Gabriel Guma, i pavarur që mbështet nga PD, votuan dhe u bënë thirrje qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre.

Një detaj që ra në sy ishte mënyra e votimit të 26-vjeçarit Guma, i cili u pa në qendrën e votimit bashkë me bashkëshorten dhe bebin në krah.

“I bëj thirrje të gjithë tepelenasve që të dalin të votojnë masivisht. Të dalin dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Guma.

“U bëj thirrje banorëve të dalin masivisht në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Sako.

Tepelenë ishin 21 Qendra Votimi dhe rreth 12 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo bashki shkoi në zgjedhje të pjesshme, pasi Tërmet Peçi u zgjodh deputet.

Prej vitit 2011, Tepelena drejtohej nga Tërmet Peçi dhe e vetmja fitore e PD në këtë ka qenë në vitin 2007 me kandidatin Sevo Miçi.

Historiku i zgjedhjeve në Tepelenë
2007-2011          Sevo Miçi             PD ( e vetmja fitore)
2011-2015          Tërmet Peçi         PS
2015-2019          Tërmet Peçi         PS
2019-2023          Tërmet Peçi         PS
2023                    Tërmet Peçi        PS


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet në 5 bashki, shqiptarët braktisin procesin! Pjesëmarrja në minimumin historik, votuan 18.45% e zgjedhësve