Mbyllet votimi edhe në bashkinë e Matit. 26700 qytetarë votuan sot për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë. Gara u zhvillua mes 3 kandidatëve, Altin Bojni i Partië Socialiste, Eduart Brahilika kandidat i pavarur, por i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Suzana Pasha, kandidate e pavarur e shkëputur nga strukturat e PS.

Të tre kandidatët pas ushtrimit të së drejtës për të votuar, iu bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në proces.

“Sot është një ditë e rëndësishme. Është dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni të gjithë në votime me qetësi dhe me dinjitet”, tha Bojni.

“Mesazhi im është për një ndryshim të mënyrës sesi është qeverisur bashkia e Matit. Dilni nga shtëpia dhe votoni për ndryshimin. Shqipëria po tkurret çdo ditë, po braktiset çdo ditë. Nuk është faji im si kandidat sot për është faji i një keqqeverisje 13 vjeçare. Në këtë garë kam marrë të gjitha masat që qytetarët e Matit të votojnë të lirë. Komisionerë në qendra votimi dhe punonjës të administratës janë gjithmonë problem. Edhe unë kam qenë prezent dhe kam konstatuar. Unë kam indicie dhe tani të shohim”, tha Brahilika.

“U kam kërkuar mbështetjen derë për derë, jam krejt e qetë, vota është e lirë. E shoh që procesi është i qetë, i lirë. Mendoj të jetë dhe i barabartë. U bëftë më e mira, fitoftë më i miri. Unë në këtë fushatë kam qenë pothuajse e vetme. Probleme kam hasur, por lej organet ligjzbatuese të përgjigjen.

Jo nuk ka pasur kërcënime. Zgjidhja ime ka qenë e lirë dhe prandaj jam kandidate e lirë. Unë do të vijoj të jem socialiste se është partia ime e zemrës. Ata menduan që të ishte ajo zgjedhje, unë mendova që duhet të isha unë zgjedhja dhe prandaj kandidova si e lirë” ,tha Pasha.

Edhe në Mat, Agron Malaj u zgjodh deputet, duke i lënë garën për drejtimin e bashkisë 3 kandidatëve: Altin Bojni (PS) Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha E pavarur, e shkëputur nga PS.

Historiku i zgjedhjeve në Mat
2007 - 2011 PD Skënder Lleshi
2011 - 2015 PS, Adelina Farrici
2015 - 2019 PD Nezir Rizvani
2019 - 2025 PS Agron Malaj


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet në 5 bashki, shqiptarët braktisin procesin! Pjesëmarrja në minimumin historik, votuan 18.45% e zgjedhësve