Zgjedhjet, KVV publikon raportin
e tretë,jep gjetjet e rekomandimet

Zgjedhjet, KVV publikon raportin<br />e tretë,jep gjetjet e rekomandimet
Vullneti politik për bashkëpunim e dialog ka vazhduar të mungojë, e dukshme kjo qoftë në tentativat e dështuara për dekriminalizimin e politikës, shoqëruar me akuza e kundërakuza të ndërsjellta për bllokim e mungesë vullneti nga kundërshtari politik, qoftë në mungesën e vullnetit të shumë kandidatëve për kryetarë bashkie të përballen me njëri-tjetrin në takime elektorale, duke e realizuar fushatën, në rastin më të mirë në injorim të kandidatëve kundërshtarë dhe në rastin më të keq në mesazhe publike denigruese ndaj tyre.
 
Kjo është një ndër pikat që evidentohet në raportin e tretë të Koalicionit Vëzhgues Zgjedhor.  

Raporti i plotë i KVV


GJETJE 
Vullneti politik për bashkëpunim e dialog ka vazhduar të mungojë, e dukshme kjo qoftë në tentativat e dështuara për dekriminalizimin e politikës, shoqëruar me akuza e kundërakuza të ndërsjellta për bllokim e mungesë vullneti nga kundërshtari politik, qoftë në mungesën e vullnetit të shumë kandidatëve për kryetarë bashkie të përballen me njëri-tjetrin në takime elektorale, duke e realizuar fushatën, në rastin më të mirë në injorim të kandidatëve kundërshtarë dhe në rastin më të keq në mesazhe publike denigruese ndaj tyre.

 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve megjithë vështirësitë kohore të përcaktuara nga shkelja e afateve të një sërë procesesh përgatitore, ka arritur të menaxhojë mirë përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore për ditën e zgjedhjeve.

Gjithashtu është për t’u vlerësuar roli i tij aktiv në fushatën për edukimin e shtetasve rreth rëndësisë së votës e veçanërisht ndaj kategorive të margjinalizuara, votuesve me aftësi të kufizuara, minoriteteve, etj.

 
Në procesin e ankimimeve të trajtuara si pjesë e drejtësisë zgjedhore, vihet re se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një vendimmarrje inkoherente, diskrecionale, duke shkelur madje edhe parimin e prezumimit të pafajësisë, duke krijuar kështu precedent negativ të rezikshëm për ecurinë e mëtejshme të procesit.

Madje dalja e saj nga tagrat e vet ligjor në disa raste, e shfaq atë si burim të së drejtës zgjedhore.

 Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve megjithë përmirësimet e ndjeshme në performancën e saj, në disa raste paraqitet e pasaktë dhe jo në lartësinë e duhur, duke përgatitur dhe publikuar ndër të tjera akte me gabime drejtshkrimore e materiale, si dhe përgjatë punës përgatitore në caktimin e QV-ve dhe VNV-ve.

 
Aktorët zgjedhorë (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, administrata e KQZ-së, subjektet politike parlamentare), ndonëse janë përballur me problematika të ngjashme në zgjedhjet pararendëse, si caktimi i QV-ve dhe i VNV-ve, nuk morën asnjë iniciativë amenduese të kuadrit ligjor.

Problematika e shfaqur në caktimin e vendndodhjes së qendrave të votimit si edhe të vendeve të numërimit të votave përveç të tjerash ngarkon me përgjegjësi edhe Kryetarëve të Njësive Vendore dhe Prefektët.

Retorika dhe qëndrimet politike rreth kandidatëtëve me rekorde penale si dhe mungesa e adresimeve të qarta në Kodin Zgjedhor lidhur me ç’regjistrimin e kandidatëve vendosi në stres në këtë periudhë vëzhgimi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor në çështjet e trajtuara edhe gjatë kësaj periudhe vazhdon të shfaqë tipare prej gjykate ligji, madje edhe ky institucion shfaqet si burim i së drejtës zgjedhore.

Vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor vazhdon të jetë inkoherente me veten.

Fushata zgjedhore u ndërtua kryesisht në formën e takimeve të ngushta me komunitetin nga ana e kandidatëve për kryetarë ndërkohë që mitingjet masive u rezervuan rezervuar për takimet elektorale në të cilat kanë qenë prezentë drejtuesit e partive kryesore të koalicioneve apo partive.

Edhe në këtë raund zgjedhor, pavarësisht se kemi të bëjmë me zgjedhje për pushtetin vendor, fushata vuajti nga protagonizmi i kandidatëve për kryetar bashkie apo drejtuesve të partive duke lënë në hije kandidatët për këshillin bashkiak.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar marketingut elektoral të kushtueshëm në formën e reklamave të vendosura në rrugë, flamurëve e banderolave në shtyllat e ndriçimit, shpërndarjes së fletëpalosjeve derë më derë dhe reklamës në mediat elektronike, përfshi mediat sociale. Programet e ofertat konkrete, të artikuluara e arsyetuara bindshëm kanë munguar.

Premtimet elektorale kanë qenë të fokusuara kryesisht në investime infrastrukturore por ka munguar argumentimi dhe hapat konkretë për gjetjen e burimeve financiare për realizimin e tyre. Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane e kanë argumentuar gjetjen e fondeve të nevojshme, përgjithësisht në financimet nga qeveria.

Përdorimi i fëmijëve në takimet elektorale, veshur me simbole të partive garuese apo mbajtur pankarta elektorale është vënë re edhe në këtë fushatë.

 
Gjatë fushatës nuk kanë munguar incidentet, të cilat janë pasqyruar gjerësisht nga media, ndërkohë që kandidatët dhe partitë politike kanë munguar të distancohen nga incidentet në të cilat janë bërë protagonistë mbështetësit respektivë, duke tentuar përgjithësisht drejt justifikimit të tyre si të provokuara nga kundërshtarët politikë.

Pretendimet për blerje vote kanë qenë prezente dhe publikuar në media. Në shumicën e rasteve tentativat për blerje të votës kanë qenë nëpërmjet shpërndarjes së ndihmave ushqimore për familjet në nevojë.



Media e ka transmetuar gjerësisht fushatën zgjedhore duke vazhduar transmetimin e takimeve elektorale me sinjal, kaseta dhe tekst të prodhuar nga shtabet elektorale të partive politike. 

 
Gjatë fushatës zgjedhore admnistrata është angazhuar gjerësisht, shpesh gjatë orarit zyrtar të punës. Shfaqja publike e ministrave të qeverisë apo të tjerë zyrtarëve të lartë qeveritarë në krah të kandidatëve për kryetarë bashkie ka qenë e zakonshme.

 Bordi i Monitorimit të Medias ka zhvilluar aktivitetin e vet duke gjykuar në pozita të ndara sipas linjave partiake.

Në dy prej tri raporteve të paraqitura nga BMM opinionet e shumicës dhe pakicës kanë qenë të ndara në lidhje me sanksionet që duhet të vendoseshin ndaj mediave pavarësisht dakordësisë në lidhje me minutazhin e paraqitur në raporte.

 
Mungesa e transparencës në përzgjedhjen e anëtarëve të BMM prej anëtarëve të KQZ shpuri në një situatë ku ndasia politike zotëruese në vend u reflektua deri tek BMM.

Gjatë tri javëve të para të fushatës mediat kanë patur disbalancë në transmetimin e aktiviteteve elektorale të partive të ndryshme, disbalancë e cila u përmirësua në javën e fundit, sipas raportit të datës 15 qershor të BMM.

Gjuha e përdorur nga mediat tradicionale në vend gjatë fushatës zgjedhore ka qenë qenë përgjithësisht e balancuar, me përjashtime të pakta.

 Kuota gjinore prej 30% u respektua në momentin e konstituimit të KZAZ-ve dhe u ruajt në vazhdim, edhe pas zëvendësimeve të shumta të anëtarëve të KZAZ-ve.

Pavarësisht arritjeve ligjore dhe ruajtjes së kuotave gjinore në KZAZ, ajo çka u vu re është se gjatë fushatës gratë kandidate për këshillat bashkiakë nuk luajtën ndonjë rol.

Fenomeni nuk është i shkëputur megjithatë, pasi kandidatët për këshillin bashkiak kanë qenë të padukshëm gjatë fushatës në përgjithësi duke qenë se fushata zgjedhore u fokusua vetëm në kandidatët për kryetarë bashkie.

Në të gjithë vendin, në përgjithësi ka patur një rritje të pjesëmarrjes së grave në takime elektorale, në krahasim me zgjedhjet e fundit.

KQZ është treguar e ngurtë ndaj kërkesave të vëzhguesve, duke mos ofruar informacionin e kërkuar ose duke e ofruar atë të mangët edhe në periudhën e mbuluar nga ky raport.

Madje prej datës 15 qershor administrata e KQZ ka ndërprerë shpërndarjen e materialeve paraprake të mbledhjeve për vëzhguesit vendorë, duke e kufizuar ndjeshëm efikasitetin e vëzhgimit të mbledhjeve të KQZ-së.

Akoma më problematike bëhet kjo situatë duke qenë se materialet paraprake të mbledhjeve jo gjithnjë janë në faqen zyrtare të KQZ-së dhe shpesh shumë materiale mungojnë.


Zgjedhjet Lokale 2015 do të vëzhgohen nga 2673 vëzhgues vendas dhe të huaj, akredituar deri në datë 17 Qershor, Nga këta, 289 janë vëzhgues të akredituar nga organizata ndërkombëtare, 2212 janë akredituar nga organizata vendore, 53 nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri dhe 119 nga mediat.

 
Ndryshimi i anëtarëve të KZAZ-ve prej partive politike që i propozojnë ata, vazhdon të mbetet problem edhe në periudhën e mbuluar nga ky raport. Në total, gjatë kësaj periudhe janë ndryshuar 130 anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve (20,6% e totalit).

Shqetësues vazhdon të mbetet funksionimi i KZAZ-ve jashtë orarit të përcaktuar. Në pothuajse asnjë rast ky orar nuk respektohet nga anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve.


Ka KZAZ në të cilat ende nuk është realizuar ngritja e KQV-ve, ndërsa në disa KZAZ  ky proces është realizuar jashtë afateve ligjore.

Pjesëmarrja në trajnimet e zhvilluara për komisionerët e Qëndrave të Votimit, pjesëmarrja ka qenë e ulët. Nëse i shtojmë këtij fakti ndryshimin e shpeshtë të anëtarëve të KQV-ve, krijohet një shqetësim serioz përsa i përket mbarëvajtjes së procesit ditën e zgjedhjeve.

Përgjithësisht partitë politike i kanë çuar propozimet e tyre për anëtarë të GNV-ve, pranë KZAZ-ve përkatëse. Por në fare pak raste ka filluar trajnimi i tyre.

 
Procesi zgjedhor do të administrohet në ditën e zgjedhjeve nga 5299 Komisione të Qëndrave të Votimit (KQV), nga të cilat 4862 janë të vendosura në ambjente publike, 417 QV janë të vendosura në ambjente private me vendim të KQZ, dhe 20 QV janë të vendosura në institucione të posaçme. 


REKOMANDIME
Për Partitë Politike
Të mos lejojnë që konfliktualiteti politik të afektojë cilësinë dhe integritetin e ditës së zgjedhjeve.

Të marrin të gjitha masat që mbështetësit politikë që do të angazhohen si komisionerë ditën e zgjedhjeve të kenë një qëndrim sa më profesional e të paanashëm, larg konfliktualitetit dhe mbi interesat e ngushta partiake.

Të angazhojnë si komisionerë njerëz me integritet të lartë moral që do të vendosin cilësinë e procesit mbi interesat partiake.

Të angazhohen të mos ndërrojnë anëtarët e KZAZ-ve dhe të KQV-ve që tanimë janë trajnuar në mënyrë që procesi të jetë sa më profesional. 

Për median
Të mbulojë ditën e zgjedhjeve me paanshmëri e profesionalizëm, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çdo sinjali për blerje votash, parregullsi të procesit apo të tjera problematika dhe të vendosin integritetin e procesit dhe interesin e qytetarëve shqiptarë përpara interesave të linjave editoriale të medias përkatëse.

Për zyrtarët e lartë
Të qëndrojnë larg qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve, duke u dhënë mundësinë qytetarëve që të zgjedhin lirisht dhe larg çdo indikacioni për presion nga politika.

Për KZAZ-të
Anëtarët e KZAZ-ve të respektojnë orarin zyrtar, procedurat dhe ceremonialitetin e mbledhjeve të KZAZ-ve si dhe të veprojnë vetëm duke u bazuar në ligj dhe jo sipas interesave apo porosive të partive politike kur ato janë në kundërshtim me ligjin dhe cënojnë ndërshmërinë e procesit zgjedhor.

Për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor 

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të vazhdojë të ushtrojë autoritetin e ij të plotë në zbatim të detyrimit të ligjit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor të qendrojnë brenda kufijve të tagreve që parashikon Kodi Zgjedhor në vendimmarrjet në vazhdim të procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor të jenë koherent në vendimmarrjen e tyre në vazhdim të procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të tregojë kujdes më të shumtë në adminsitrimin e procesit zgjedhor në vazhdim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë masa për të siguruar votimin e qetë të personave që vuajnë heqjen e lirisë, larg presioneve politike.

Për Prokurorinë
Prokurori i Përgjithshëm të nxisë dhe udhëzojë prokurorët, që të vlerësojnë me seriozitetin maksimal çdo shfaqje të veprave penale gjatë procesit të votimit dhe të numërimit.

Prokuroria të hetojë parregullsitë në listat e zgjedhësve dhe të përballë me drejtësinë personat përgjegjës.

Për policinë e shtetit
Të angazhohet totalisht në mbrojtje të shenjtërisë së ditës së votës dhe të ketë një qëndrim të tërhequr ditën e zgjedhjeve.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Sqaron dhe videon e Ramës

'Atë që ua merr deti duan ta rimarrin ndryshe' Dredha tregon luftën me bizneset në Vlorë për plazhet publike! Sqaron dhe videon e Ramës