Zgjedhjet në Britani, sondazhet tregojnë fitore të opozitës

Zgjedhjet në Britani, sondazhet tregojnë fitore të opozitës

Zgjedhjet e përgjithshme në Britani do të mbahen më 4 korrik ndërsa sondazhet sugjerojnë se gjasat janë të mëdha që Partia Laburiste e Keir Starmerit do të fitojë bindshëm ndaj konservatorëve. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, nëse opozita fiton, politikat britanike ndaj çështjeve madhore globale si agresioni rus në Ukrainë, apo lufta në Lindjen e Mesme, nuk pritet të ndryshojnë shumë.

Qyteti Dartford, në lindje të Londrës, është një zonë zgjedhore ku që nga viti 1967, partia që ka fituar aty, ka dalë fituese në tërë vendin. Rezultati në këtë zonë zgjedhore shihet si një tregues i kahut nga do të ecë Britania.

14 vjet pas qeverisjes së konservatorëve, në mes të votuesve vihen re pakënaqësi. Por, mungon entuziazmi edhe për alternativat.

“Nuk është vetëm populli i Anglisë që vendos se çfarë do të ndodhë në vend”, thotë për Zërin e Amerikës Yasmine Nicholls.

“Unë nuk i besoj asnjërit prej kandidatëve. Aq më tepër kur ish-kryeministri ynë Boris Johnson gënjeu”, thotë z. Hilmi.

Boris Johnson dha dorëheqje pas një sërë skandalesh, duke përfshirë shkeljen e rregullave gjatë pandemisë së COVID-it. Ai është një nga pesë kryeministrat konservatorë gjatë tetë viteve të fundit, që janë karakterizuar nga ndryshime të shpeshta të udhëheqësve konservatorë.

Analistët thonë se kryeministri i tanishëm Rishi Sunak e ka patur të vështirë t’i kapërcejë problemet e paraardhësve të tij.

“Çështja kryesore është kostoja e jetesës, por gjithashtu edhe skandalet e shumta”, thotë për Zërin e Amerikës Ursula Hacket, analiste politike nga Universiteti i Londrës.

Partia Laburiste e opozitës, nën udhëheqjen e Keir Starmerit, është rreth 20 për qind përpara konservatorëve sipas shumicës së sondazheve. Por nëse fiton, zoti Starmer do të trashëgonte një ekonomi të dobët.

“Një nga pyetjet kryesore me të cilat do të përballet një qeveri e re e zotit Starmer do të jetë, nga do t’i gjejë fondet për të përmirësuar shërbimet e shkatërruara tona publike ?”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Anand Menon nga universiteti ‘King's College’ në Londër.

Sipas tij, nëse do të fitonte Partia Laburiste e zotit Starmer, Britania nuk do t’i ndryshonte politikat e saj ndërsa vazhdojnë luftërat në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në kushtet e pasigurisë politike globale.

“Për dy krizat e mëdha, Gazën dhe Ukrainën, ka shumë pak, për të mos thënë aspak, dallime ndërmjet qëndrimeve të dy partive të mëdha. Nuk mendoj se do të ketë shumë ndryshime”, thotë zoti Menon.

Partitë më të vogla mund të luajnë një rol të madh për të përcaktuar fituesin. Liberal Demokratët e qendrës së majtë, ka mundësi t’i nxjerrin konservatorët në vendin e tretë.

Partia kundër imigracionit, Reforma mund të marrë gjithashtu votues konservatorë me prirje të djathta.

Udhëheqësi i partisë Reforma Nigel Farage është kritikuar gjerësisht nga partitë e tjera pasi tha se Perëndimi e provokoi Rusinë për të sulmuar Ukrainën./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

E zbulon Armand Duka: Me Sylvinhon takohem javën që vjen, e finalizojmë shpejt marrëveshjen

E zbulon Armand Duka: Me Sylvinhon takohem javën që vjen, e finalizojmë shpejt marrëveshjen