
Analistë politikë kanë ngritur shqetësime lidhur me votimin e organizuar të Listës Serbe në zgjedhjet e sotme në Kosovë, duke vlerësuar se ky veprim cenon integritetin e procesit zgjedhor dhe pengon ushtrimin e votës së lirë nga komuniteti serb.
Sipas mediave në vend, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka votuar në mënyrë të organizuar së bashku me qytetarë të tjerë, në orët e para të mëngjesit, një praktikë që sipas analistëve po zbatohet sipas direktivave politike nga Beogradi.
Njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj, ka deklaruar se votimi kolektiv përbën shkelje të Nenit 8 të Rregullores Zgjedhore të Kosovës, duke theksuar se ky veprim dëmton rendin ligjor dhe demokracinë.
“Instrumenti i shtetit serb brenda Kosovës, Lista Serbe, në zbatim të direktivave të Vuqiqit, në kundërshtim me Neni 8 të Rregullorës së Zgjedhjeve të Kosovës, filloi votimin kolektiv. Ky veprim cenon jo vetëm rezultatin por edhe vet integritetin e zgjedhjeve. Policia e Kosovës duhët të reagojë me shpejtësi bashkë me Prokurorinë. Tolerime të tilla minojnë rendin ligjor, vendimarrjen dhe vet demokracinë”, shkruan ai në Facebook.

Edhe politologu Dorajet Imeri e ka cilësuar votimin kolektiv si të kundërligjshëm, duke theksuar se institucionet duhet të garantojnë votë të lirë dhe demokratike për qytetarët serbë, pa presion politik. Ai ka shprehur shqetësim edhe për praninë e automjeteve me targa të Serbisë në zonat me shumicë serbe, duke paralajmëruar për mundësi ndikimi të jashtëm në procesin zgjedhor.
“Nuk është për t’i penguar atyre të drejtën e votës, por për t’u siguruar që të kenë një votë të lirë e demokratike. Kjo është një e keqe e madhe, por nuk mund të përfundojë nëse nuk ka dakordësi të madhe institucionale. Një herë e përgjithmonë duhet të jepen, përveç ndëshkimeve, edhe mësime që nuk guxon të ndodhë e njëjta. Në të kundërtën, do të duhej të përsëritej mbajtja e zgjedhjeve.“Për shkak të kolonave dje, ndoqa një rrugë alternative dhe më ra të kaloj në disa fshatra me shumicë serbe. Pashë një numër të madh makinash me regjistrim të Serbisë, që kanë ardhur enkas për të votuar. Uroj të mos jenë dikush tjetër që nuk është vetëm udhëtar, dikush që mund të ushtrojë trysni tek votuesit serb dhe të përcaktojë rezultatin. Jam i bindur që kjo ka ndodhur, sidomos në javën e fundit. Kjo që po përmendi është një alarm që institucionet e rendit dhe të sigurisë të reagojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në kohë reale. Nuk mundet një subjekt politik i dirigjuar nga një vend tjetër të përcaktojë rezultatin zgjedhor,” tha ai për mediat në Kosovë.
Lajmi kryesor:
Në 9 muaj 'Vetëvendosja' dështoi të krijonte qeverinë, sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë! Kurti: Jemi këtu pasi u refuzua koalicioni që unë kam ofruar










