Fitorja dërrmuese e kryeministrit Albin Kurti dhe e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Kosovë ishte e papritur për nga përmasat dhe u ndikua ndjeshëm nga faktorë që lidhen me ushtrimin e pushtetit dhe inxhinierinë elektorale, tha sot analisti politik Ardit Gjinali në një intervistë për Report TV..
“Është e vërtetë që nuk pritej fitorja në këto përmasa. Absolutisht që pritej që LVV të ishte forca e parë politike, por jo në këto përmasa. E vetmja gjë që mbetet është t’i urojmë LVV-në që të bëjë më të mirën për Kosovën,” tha ai.
Sipas tij, ka një dallim thelbësor mes fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021 dhe asaj të vitit 2025.
“Unë mendoj që ka një ndryshim mes rezultatit të vitit 2021 dhe atij të vitit 2025. Rezultati i vitit 2021 ishte fryma e përgjithshme e qytetarëve të Kosovës që votuan për ndryshim. Rezultati i vitit 2025 është absolut falë elementëve të inxhinierisë politike dhe elektorale të aplikuara si rezultat i qeverisjes dhe pushtetit,” theksoi ai.
Duke komentuar stilin populist të Kurtit, Gjinali argumentoi se kjo qasje e ka shpërblyer atë politikisht, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen.
“Është për t’u theksuar fakti që, përtej retorikës që Kurti ka përdorur në fushatë, unë mendoj që kjo jo vetëm që është fitorja e Kurtit, por edhe një humbje e partive të ish-bllokut opozitar, të cilat për arsye të ndryshme dhe për shkak të specifikave e profileve të tyre, kanë gabuar në segmente të caktuara, jo vetëm në fushatë,” tha Gjinali.
Ai shtoi se procesi zgjedhor u zhvillua pas një periudhe të gjatë tensioni politik.
“Ishte një vit i gjatë politik, një krizë që, përtej kësaj fitoreje, nuk e zhbën përgjegjësinë e Kurtit dhe të LVV-së për zgjatjen dhe eskalimin e krizës politike,” deklaroi analisti.
Gjinali vuri në dukje gjithashtu se dobësimi i opozitës tradicionale ka ndikuar drejtpërdrejt në balancat politike në vend.
“Unë mendoj që, përtej disa premtimeve populiste dhe retorikës së tij politike, fitorja e vitit 2025 është arritur falë elementëve të inxhinierisë elektorale dhe pushtetit. Performanca e ulët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përbën një tjetër element që tregon se balanca politike ka kaluar në anën tjetër të medaljes,” tha ai.
Ndërsa Kosova përballet me sfida të shumta të brendshme dhe të jashtme, analisti Ardit Gjinali vlerëson se një nga provat më të rëndësishme për qeverinë e re do të jenë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sfida më e shpejtë në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare do të jetë rigjallërimi i dialogut strategjik me SHBA-në, i cili u pezullua si pasojë e krizës politike që erdhi nga retorika e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese,” tha Gjinali, duke shtuar se edhe pse Bashkimi Evropian hoqi masat ndaj Kosovës, përgjegjësia politike për krijimin e situatës mbetet mbi kryeministrin.
Sipas tij, sfidat reale për Albin Kurti sapo kanë filluar, pasi ai nuk mund t’u shmanget obligimeve ndërkombëtare të nënshkruara më herët.
“Të gjitha obligimet që janë të shkruara dhe të firmosura nga Kurti dhe në strategjinë e SHBA-së për Kosovën janë elemente të cilave ai nuk u largohet dot politikisht, siç bëri në legjislaturën e shkuar. Këto sfida janë momenti i së vërtetës politike për Kurtin, si në raport me qytetarët e Kosovës, ashtu edhe me aleatët ndërkombëtarë,” theksoi Gjinali.
Ai shtoi se rritja elektorale e Kurtit është ndërtuar mbi retorikën kritike ndaj kundërshtarëve politikë dhe çështjeve të pazgjidhura, por tani, sipas tij, kryeministri duhet të ofrojë zgjidhje konkrete.
“Tani, përtej fatit të tij politik, ai ka në dorë çështje të nxehta mbi të cilat është ngritur profili i tij politik. Ai duhet t’u tregojë qytetarëve zgjidhjet që ka për kauzat e ngritura, përfshirë edhe fatin e Asociacionit, i cili mbetet topi politik në derën e Kurtit,” përfundoi analisti.
Komente










