Drejtuesi i Departamentit Brain Gain në PD, Tedi Kopliku, analisti Mentor Kikia dhe gazetarët Agim Baçi dhe Reldar Deda, kanë analizuar në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, zgjedhjet pa garë që u zhvilluan në PD, ku u rikonfirmua kryetar Sali Berisha.
Teksa e quajti Berishën ‘lider’, Kopliku tha se ai është i vetmi eksponent politik brenda PD-së që ka marrë përsipër rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Duke e cilësuar PD-në si alternativën e vetme opozitare në vend, Kopliku shtoi se Berisha është provuar në disa kriza dhe gara të jashtme (pavarësisht se PD që nga 2009 nuk ka fituar më asnjë palë zgjedhje).
“Nuk është lajm rizgjedhja e Berishës në krye të PD-së. Lajmi i mirë është që kemi akoma opozitë, duke marrë parasysh një regjim që ka bërë një shpopullim si të ishte një vend në luftë. Kemi ulje të lindshmërisë dhe një ekonomi të furnizuar prej pastrimit të parave dhe buxhetit të shtetit që kalon nga buxheti te grupi që ka në kontroll shtetin shqiptar. E futa në kontekst, pra në çfarë konteksti ndodh ky rikonfirmim i një lideri që është provuar në shumë kriza të brendshme dhe shumë gara të jashtme dhe mbi të gjitha në një sistem ku vota nuk është mekanizmi që përzgjedh alternativat. Sot kemi vetëm një lider në PD që thotë ‘unë e marr përsipër këtë punë’. Sot kemi vetëm një lider që ka dalë i gatshëm të mbajë mbi supe këtë betejë”, tha mes të tjerash Kopliku.
Ndërkohë nga ana tjetër, për gazetarin Agim Baçi gara për kryetarin e PD-së duhet të ishte reale dhe jo thjeshtë një fasadë.
Një garë reale me disa kandidatë për kreun e PD-së, sipas Baçit do të ishte e vetmja mënyrë për të bindur qytetarët të besojnë se kjo forcë politike mund të realizojë rotacionin politik.
“Në situatën që është PD duhet të gjente medoemos raportet e garave dhe Berisha duhet të bënte çmos për garë, sepse një parti që kërkon të kthehet në alternativë qeverisëse, në instrument në duart e qytetarëve, bën gjithçka që qytetarët të shikojnë aty mundësinë për të marrë pjesë. Pra ne s’po flasim është apo jo legjitim rizgjedhja e Berishës. Po flasim a është ky modeli që e bën PD-në një alternativë që qytetarët të besojnë se përmes kësaj force politike të mund të bëjnë rotacionin politik. Unë mendoj që një parti politike duhet të ketë shumë njerëz që hyjnë në garë”, tha Baçi.
Ndërsa gazetari Reldar Deda, teksa vlerësoi rolin e Berishës në krye të PD-së, deklaroi se ai nuk mund të ishte kandidati i duhur nga Partia Demokratike për kryeministër.
Për Dedën, plaga më e madhe që ka sot PD janë figurat tradicionale, të cilat sipas tij nuk po krijojnë hapësirë për elementë të rinj në këtë forcë politike.
“Berisha është i padiskutueshëm përballë çdo lloj kandidati përsa i përket brenda PD-së. Ndërsa si kryeministër i Shqipërisë... Kryetar i partisë mund të jetë dikush tjetër, kryeministër dikush tjetër. PD nëse vërtetë do që të ketë peshë reale në Shqipëri, duhet të shohë përtej zgjedhjeve tradicionale të saj. Unë mendoj se plaga më e madhe që ka PD janë figurat tradicionale të saj, që për hir të së vërtetës nuk po krijojnë hapësirë për elementë të rinj. Berisha aktualisht po e mban PD-në si siguresa e vetme përballë kësaj autokracie”, tha Deda.
Për analistin Mentor Kikia, zgjedhjet në PD duhet të ishin reale, pasi vetëm kështu sipas tij do të konfirmohej lidershipi politik i Partisë Demokratike, që do të ishte alternativa për qeverisjen e vendit në të ardhmen.
Kikia në mënyrë ironike për të forcuar pretendimet e tij ngriti pyetjen ‘po nëse Berisha nesër jep dorëheqjen nga drejtimi i PD-së për arsye shëndetësore, kush do ta zëvendësojë? Apo do të kapin hunjtë si 5 vite më parë?’.
“Zgjedhjet që do të duhet të ishin bërë, nuk do të duhet të konfirmonin vetëm Sali Berishën kryetar. Zgjedhjet do të duhet të konfirmonin lidershipin politik në PD, që duhet të ishte alternativa qeverisëse që do rrëzojë Ramën. Dëmi që ju bë PD-së ishte mos-lejimi i kësaj gare, i kësaj sherrnaje që ndodh në partitë demokratike reale perëndimore, ku futen njerëzit të garojnë. Po nëse Berisha nesër për arsye shëndetësore vendosë të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, kush do të zëvendësojë? Apo do kapin hunjtë si para 5 vitesh, sepse asnjëri nuk është provuar. Gara të çon drejt lidershipit”, tha mes të tjerash Kikia.
Komente











