Zgjedhjet presidenciale në Turqi, opozita e shqetësuar: Kemi dyshime se mund të manipulohen nga pushteti

Zgjedhjet presidenciale në Turqi, opozita e shqetësuar: Kemi dyshime se mund të manipulohen nga pushteti

Ergodan, Kilicdaroglu

Teksa Turqia po u afrohet zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të kësaj fundjave, po rriten shqetësimet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që shihen si sfida më e madhe për presidentin Recep Tayyp Erdogan në 20 vjetët e tij si udhëheqës.

Që një kohë të gjatë, opozita në Turqi është ankuar se zgjedhjet po zhvillohen në një fushë loje të pabarabartë, pretendime këto që janë mbështetur shpesh nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Mbulimi mediatik është shembull që tregon në mënyrë të dukshme se ku Erdogan gëzon një avantazh ndaj kundërshtarëve të tij. Por, opozita është ankuar edhe për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe interpretimin e disktueshëm të ligjit për zgjedhje.

Rreth 90 për qind e mediave në Turqi janë në duart e qeverisë ose mbështetësve të saj, sipas organizatës Reporterët pa Kufij. Kjo i ka siguruar kohën më të madhe në transmetim presidentin Erdogan. Vetëm një pjesë e vogël e gazetave të opozitës shtypen ende, ndërsa shumica kanë kaluar në botime vetëm në internet.

Gjatë prillit, Erdogan i pati gati 33 orë kohë transmetimi në stacionin kryesor televiziv shtetëror, sipas anëtarëve të opozitës. Kundërshtarit të tij presidencial, Kemal Kilicdaroglu, iu dhanë 32 minuta.

Partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane, ose CHP, nisi muajin e kaluar një padi ligjore ndaj transmetuesit TRT për mosshfaqjen e videos së fushatës së tij.

“Për fat të keq, Korporata Turke e Radios dhe Televizionit nuk është më një institucion i paanshëm dhe objektiv dhe është shndërruar në Korporatën e Radios dhe Televizionit të Tayypit”, tha anëtari i CHP-së, Tuncay Ozkan.

Mediat e pavarura po përballen me më shumë kufizime. Muajin e kaluar, autoriteti transmetues RTUK gjobiti kanalet e pavarura Fox News, Halk TV dhe TELE1 për shkak të lajmeve dhe komenteve që u konsideruan si shkelje të rregulloreve. Ilhan Tasci, një anëtar i RTUK-së i emëruar nga opozita, tha se në të tre rastet stacionet ishin akuzuar se kishin kritikuar ose vënë në dyshim veprimet e partisë në pushtet.

Në një deklaratë pas zgjedhjeve të fundit presidenciale më 2018, vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vunë në dukje se Erdogan dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), partia e tij, gëzonin “një avantazh të padrejtë, duke përfshirë mbulimin e tepruar nga media publike dhe private, të lidhura me qeverinë”

Dominimi i qeverisë është vërejtur edhe në rrjete sociale, ku shumë zëra opozitarë janë tërhequr.

Një ligj për “dezinformomin” i prezantuar në tetor parasheh dënim me burgim deri në tre vjet për përhapjen e informacionit të rremë “me qëllimin e vetëm për të krijuar ankth, frikë ose panik në publik”.

Sinan Aygul, i vetmi gazetar që po ndiqet penalisht sipas këtij ligji të ri, u dënua me 10 muaj burgim në shkurt. Ai aktualisht është i lirë, pasi ka apeluar vendimin.

“Qëllimi i vërtetë është të heshtin të gjithë zërat opozitarë në shoqëri”, tha Aygul, kryetar i shoqatës së gazetarëve në Bitlis, në Turqinë juglindore. Është “një ligj që synon këdo që shpreh një mendim. Ai synon jo vetëm individët, por edhe organet e medias”, tha ai.

“Nëse do të ketë mashtrime në zgjedhje, të gjitha kanalet opozitare do t’u mbyllet goja përmes këtij ligji”, tha ai.

Erdogan ka shtuar numrin e paraqitjeve publike, të cilat ndiqen nga afër nga shumica e kanaleve televizive, dhe i përdor këto detyra zyrtare për t’i sulmuar rivalët e tij. Në një ceremoni të premten e Fitër Bajramit muajin e kaluar, ai e akuzoi opozitën se po “punonte me grupet terroriste”.

Projekte të shumta të mëdha po prezantohen gjithashtu pak para zgjedhjeve, si ndërtimi i reaktorit të parë të energjisë bërthamore në Turqi, i ndërtuar nga Rosatom, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore.

Kritikët theksojnë gjithashtu përshtatjen e ligjit zgjedhor për t’i lejuar ministrat e qeverisë të jenë kandidatë për pozitën e deputetit përderisa mbajnë ende detyrën e ministrit, pavarësisht që një gjë e tillë nuk lejohet.

Adem Sozuer, nga fakulteti juridik në Universitetin e Stambollin, tha për gazetën opozitare Cumhuriyet se votuesit kishin humbur besimin tek autoritetet zgjedhore.

“Ekziston dyshimi i përhapur në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë se zgjedhjet do të manipulohen”, tha ai. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë