Prokuroria e Përgjithshme ka dalë në një deklaratë pas mbylljes së procesit të votimit duke theksuar se në zgjedhje pati 3 incidente dhe 2 të arrestuar. Në Katundin e Ri në Sukth të Durrësit një person hyri me automatik brenda në qendër votimi, kërcënoi komisionerët dhe mori kutinë e votimit duke hedhur jashtë materialet. Ramiz Bakanaçi u arrestua nga policia. Policia e Tiranës ka arrestuar një militant të Partisë Demokratike për krime zgjedhore. I arrestuari është Astrit Çuçka, 66 vjeç banues në Kamëz. Sipas policisë 66-vjeçari është arrestuar për shkak se gjatë procesit të votimit ai ka grisur fletën e votës dhe ka tentuar të marrë vulat e komisionit si dhe të thyej kutinë e votimit.
Deklarata e plotë e Prokurorisë
Sipas informacionit që u administrua gjatë datës 30 Qershor 2019, deri në përmbyllje të procesit të votimit, nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, rezulton se numri i përgjithshëm i çështjeve të regjistruara për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira në funksion të fushatës së zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, është gjithsej 3 (tre) procedime penale me 2 (dy) persona të arrestuar. Më konkretisht:
1. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka regjistruar1(një) procedim penal në ngarkim të 1(një) personi të arrestuar,i dyshuar për kryerjen e veprave penale të“Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 326/a/1,329/2 dhe 278/1tëKodit Penal.Akoma nuk është dhënë masa e sigurimit nga gjykata.
2. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 30 Qershor 2019 ka regjistruar, 1 (një) procedim penal në ngarkim të 1(një) personi të arrestuar, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 326/a/1-22 i Kodit Penal. Akoma nuk është dhënë masa e sigurimit nga gjykata.
3. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, ka regjistruar 1(një) procedim penal pa autor,për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, parashikuar nga nenei 152 i Kodit Penal, pasi rreth orës 00:30, në njërën nga klasat e shkollës ku ishte caktuar një qendër votimi,është hedhur një sasi e dyshuar si lëndë eksplozive.
Kurse, Prokuroritë e tjera pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë njoftuar se deri në këto momente nuk kanë të regjistruar procedime penale lidhur meveprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe çdo shkelje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit.