Zgjedhjet, Rama-Meta-Basha 
për herë të parë në një tryezë

Zgjedhjet, Rama-Meta-Basha <br />për herë të parë në një tryezë
TIRANË - Për herë të parë kryeministri Edi Rama, kryetari i opozitës Lulzim Basha, dhe kreu i LSI-së Ilir Meta janë ulur në një tryezë për të diskutuar mbi një reformë të madhe siç është ajo zgjedhore, që ka pritshmëri për tu realizuar këtë qershor, një vit para zgjedhjeve të 2017-ës.  Vlerësuar si një dialog i jashtëzakonshëm nga ambasadori amerikan Donald Lu, dhe një shenjë e mirë jo vetëm për reformën por edhe të ardhmen e Shqipërisë, kjo tryezë u duatrokit nga kryediplomati, i cili ishte ulur krah liderit demokrat Basha.

"Sa interesant është dialogu, sot është dialog i jashtëzakonshëm. Shenjë e mirë se kryetari i PS, kryetari i PD, dhe kryetari i LSI kanë vullnetin politik të marrin pjesë në një skenë, e cila është organizuar nga sektori i OJQ-ve. Është një shenjë shumë e mirë për reformën dhe është një shenjë shumë e mirë për Shqipërinë", u shpreh Lu në konferencën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë. Por për të bërë një reformë të vërtetë - sipas Lu-së - duhet bërë edhe më shumë.

Ndonëse nuk pati shtrëngim duarsh mes 2 rivalëve politik Rama dhe Basha tryeza përveçse uli në një tryezë tre liderët kryesorë të politikës në vend, prodhoi një ndër lajmet kryesore të ditës.

Ilir Meta kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke i hequr kryetarëve të partive ekskluzivitetin e renditjes së atyre që do të shkojnë në kuvend dhe vendosur në garë vetë kandidatët përballë elektoratit. Ide kjo që gjeti dhe mbështetjen e kryedemokratit Basha.

Kryeministri Rama përveçse me propozime konkrete për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dha dhe garanci për opozitën se asgjë nuk do të bëhet pa vullnetin e saj.

Edhe me kryesocialistin, lideri i opozitës tregoi se ndante opinione të njëjta tek financimi i fushatës zgjedhore dhe heqja me ligj e së drejtës për donacione.

"Jo vetëm çështja e reklamave për të cilën bie dakord me atë që tha kreu i ekzekutivit dhe kryetari i PS-së por çdo çështje financimi duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore. Nuk është çështje ligji është çështje e vullnetit politik. Të financojmë 100% fushatat politike, të kriminalizojmë çdo donacion që vjen në mënyrë private për të blerë me 5 lekë tenderin e ardhshëm 500, 5000 apo 5 milionë dollarë. Modele të tilla ka, nuk do ta shpikim ne rrotën. Nuk argumentojmë për sistem “sui generis”, argumentojmë për një ndarje sa më të madhe, sa më të thellë midis parasë së pistë, parasë së korrupsionit dhe parasë së krimit nga njëra anë dhe pushtetit e aspirantëve për pushtet nga ana tjetër", - tha Basha.

Por pavarësisht kësaj nuk mungoi lista e gjatë e akuzave për shitblerje votash.

Reforma zgjedhore, në tryezë mungon Nishani
Kreu i Shtetit Bujar Nishani nuk ishte i pranishëm në tryezën e përbashkët mes liderëve të politikës shqiptare. Përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë thanë për Shqiptarja.com se janë njoftuar këtë të martë për mungesën e presidentit në tryezë, pasi më herët kishin marrë konfirmimin për prezencën e të gjithë krerëve të politikës. Kontaktuar nga Shqiptarja.com, zyra e shtypit të Presidencës u shpreh se kreu i shtetit nuk do të jetë në tryezën për reformën zgjedhore pasi është i angazhuar me punë në zyrë në Presidencë. 

Konferenca me temë “Korrupsionin zgjedhor; nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse” mbështetet nga partnerë të rëndësishëm si Ambasada Amerikane në Tiranë, ajo e Zvicrës dhe OSB/ODIHR.

Lu: Militantë partiakë dhe gangsterë dhunuan punonjësit e frikësuan votuesit
Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili në zgjedhjet e 2015-ës vëzhgoi procesin në disa qendra zgjedhore, tha se kishte parë militantë partiakë që dhunonin punën e komisionerëve, ndërsa gangsterë -siç ai i quajti- qëndronin pranë qendrave për të trembur votuesit.

"Ime më është shenjtore, pas rritjes së tre fëmijëve dhe punës me kohë të plotë ende gjente kohë të dilte vullnetare në një zonë zgjedhore në Kaliforni. Ne kalifornianët ankohemi shumë. Nënës i duhej të merrej me persona të zemëruar që kishin harruar dokumentet ose që nuk gjenin emrin në listë. Ne jemi kaq të çmendur që nëse kërkojnë të votojnë nga makina jote të sjellin te makina një kompjuter që të votosh aty. Ajo doli vullnetare jo për ato pak para që mori por se besonte në rëndësinë e zgjedhjeve të ndershme. Dhe në Shqipëri pash persona që punonin shumë në zgjedhje, ishin njerëz të thjeshtë, mësues, punëtorë fabrike apo fermerë. Punonjësit shqiptarë në qendrat e votimit...ndaj unë inatosa kur pashë militantët e partive që kërkonin të dhunonin punën e punonjësve të ndershëm. Disa ambasadorë dhe unë pash grupe gransterësh që rrinin në derë, donin të frikësonin votuesit, në 2015-ën, shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe të votimit në grup. Disa kandidatë kishin të shkuar të turpshme kriminale. Abuzimet zgjedhore janë një tradhti ndaj gjithë shqiptarëve", - tha Lu.

Kryediplomati amerikan i bëri thirrje partive politike që të largojnë kandidatët e inkriminuar, duke përshëndetur njëherësh miratimin e ligjit të dekriminalizimit për të cilin tha se është koha të zbatohet plotësisht.

"Partitë politike duhet të marrin detyrimin për të siguruar financa transparente partiake. Kemi parë një parti që ka bërë të ditur planin për transparencë të financave të saj. Nxisim të gjitha partitë politike të prezantojnë auditin e financave të partive dhe të fushatave të tyre dhe t'i bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve. Udhëheqësit e partive duhet të bëjnë gjithashtu më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale nga radhët e tyre dhe të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte një hap i parë i rëndësishëm, por tani është po kaq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij. Votuesit shqiptarë kanë nevojë të marrin përgjegjësinë për të mos marrë para për votën e tyre. shqiptarëve dhe amerikanëve i pëlqen të ankohen...SHBA mbështesin fuqimisht rekomandimet e ODHIR dhe i bën thirrje kuvendit që t'i zbatojë ato këto vi. Për të arritur reformë të vërtetë duhet të bëhet edhe më shumë", tha Lu.



Rama: Kjo reformë do konsensus të domosdoshëm
I ulur në një tryezë me liderin e opozitës Lulzim Basha dhe aleatin në qeverisje, kryetarin e LSI-së Ilir Meta, kryeministri Edi Rama vlerësoi si të domosdoshëm konsensusin mes palëve politike për realizimin e reformës zgjedhore, e cila ndryshe nga reformat e tjera, duhet të ketë dakordësi të plotë.

Në konferencën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve vendorë, kreu i qeverisë Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste tha se forcat kundërshtare politike duhet të garojnë në një fushë beteje zgjedhore me rregulla të barabarta, ndaj theksoi dhe njëherë nevojën e gjetjes së gjuhës së përbashkët. Por megjithatë, për kreun e qeverisë "ku ka konsensus jo domosdoshmërisht bëhet më e mira". 

Kryesocalisti Rama u shpreh se politika duhet të hedh një hap të rëndësishëm duke depolitizuar komisionet zgjedhore. 

"Nevoja për të kapërcyer traditën dhe për të depolitizuar komisionet zgjedhore, besoj se jemi sot në kohë për ta bërë këtë hap. Është një hap i kërkuar tradicionalisht dhe para cdo reforme zgjedhore nga partnerët ndërkobmëtarë, nga ekspertët e ODIHR. Një hap që të gjithë kemi ngurruar ta hedhim për një sërë arsyesh që dihen. Këtu do të ishte edhe ndryshimi më i madh që mund të sillte reforma e re zgjedhore në rast se do të kishim dakordësi për këtë, se ndryshe nga të tjerat, kjo është një reformë për rregullat e lojës. Ne e ruajmë shumë të freskët në çdo aspekt të punës sonë, edhe gjendjen e brendshme kur ishim në opozitë, për faktin se reforma zgjedhore duhet të garantojë të gjithë palët dhe nëse për të gjitha reformat e tjera konsensusi është i dëshirueshëm, për këtë reformë konsensusi është i domosdoshëm. Nuk mund t'i privohet asnjë pale, mundësia për të hyrë në fushën e betejës zgjedhore me rregulla të barabarta për të gjithë duke përdorur vullnetin e shumicës. Shpreh angazhimin e koalicionit tonë dhe të aleancës mes PS dhe LSI për të adresuar të gjtiha rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR. Disa kohë më parë se Meta të kërkonte angazhim, ne kemi ngritur grupin tonë të përbashkët të punës për të bërë një analizë të raportit dhe për të dhënë kontributin tonë maksimal në adresim të rekomandimeve përmes tryezës së përbashkët të komisionit të reformës zgjedhore", u shpreh kryeministri.

Fjala e Ramës në konferencën për reformën zgjedhore

rama koalicioni vezhguesve

Një tjetër ndryshim rrënjësor që i duhet bërë sistemit zgjedhor sipas Ramës, është edhe kalimi i kostos së reklamave elektrorale në shpenzimet e fushatës, duke i hequr kështu barrën e financimit partive politike. Shefi i mazhorancës tha se PS-ja nuk ka një formulë të gatshme për ta arritur këtë, ndaj kërkoi bashkëpunimin e politikës.

"Kërkon një diskutim çështja e reklamave elektorale, është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore, dhe pjesa më e errët në shumë aspekte. Duke u bazuar më shumë tek analiza e përbashkët, ka vende shumë demokratike që kanë të njëjtin sistem, që i lejojnë reklamat elektrorale pa limit, vende që i lejojnë në mënyrë të limituar, në kohë, ka vende që i ndalojnë...Unë besoj se për ne është e nevojshme të bëjmë një diskutim pasi nuk do të ishte e paudhë që ta shkurtonim këtë zë me shpenzimet e fushatës dhe të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë. Mund të ketë zgjidhje edhe të ndërmjetme, nuk kemi  - flas si PS -  ndonjë formulë të përcaktuar. Në këtë reformë jemi të interesuar të trajtojmë me palët problematikën në tërësi pa imponuar asgjë. Por megjithatë diskutimi në këtë pikë do tja vlente", - tha Rama.

Korrupsioni zgjedhor dhe vota kolektive siç ndodh vazhdimisht në zonat rurale, është një tjetër shqetësim i kryeministrit Rama, i cili duhet të gjejë zgjidhje përmes reformës elektorale.

"Eshtë domosdoshmëri për të adresuar në mënyrë më efikase edhe çështjen e korrupsionit zgjedhor, i cili krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme por mbetet një shqetësim në zonat më të varfra dhe sidomos në rastet kur prevalon një mendësi tradicionale e fisit apo e klanit. Jam i bindur që reforma në ka dhënë një bazë të re shumë solide edhe për të pasur një proces zgjedhor më të mirë. Transformimi strukturor i organizimit të shtetit në nivelin e dytë ka shënuar një hap kolosal në luftën kundër korrupsionit dhe ka sjellë ulje drastike të këtij fenomeni që në nivelin e dytë të qeverisjes ka qenë shumë i përhapur", theksoi Rama.  

Por kësaj tryeze nuk i kanë munguar edhe përballjet për herë të parë të liderëve politikë për akuzat e hedhura nga palët për zgjedhje të blera. Rama ka përmendur zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato të 2011-ës kur garoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
 
"Jo për formalizëm, por për hir të vërtetës i takon një mertitë kryetarit të Kuvendit i cili qysh përpara mbylljes së sesionit të vitit të kaluar publikoi shqetësimin dhe angazhimin për të çelur si asnjëherë më parë, në një kohë shumë të arsyeshme procesin e diskutimeve dhe për t'i hapur rrugë komisionit për reformën e mëtejshme të zgjedhjeve. Kjo është një shprehje e vullnetit të shumicës qeverisësë që ka një histori të vetën lidhur me çlirimin e zgjedhjeve në Shqipëri nga kthetrat e së shkuarës. Nuk duhet ndonjë mund i madh për tu kthyer në historinë e afërt dhe për të kujtuar 2009-ën apo 2011-ën në Tiranë, ashtu sikundër nuk duhet dhunti e veçantë për të thënë se bazuar në këto dy zgjedhje që përmenda, PS ka qenë dhe mbetet një forcë e madhe, e vendosur dhe shtytëse për të modernizuar procesin zgjedhor në Shqipëri. Jemi të bindur që jo thjesht për faktin që rruga drejt përsosjes është e pambarimtë, por për realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri ka ende shumë vend për përmirësime, korrigjime, shumë vend për të modernizuar procesin duke filluar minimizimin e shfaqjeve negative në këtë proces që për hir të vërtetës kanë ardhur duke u tkurrur, por vazhdojnë të jenë të pranishme në cdo zgjedhje në Shqipëri. Falë betejave të mëdha pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011 janë siguruar disa arritje të pamendueshme, por edhe u penguan në mënyrë shumë brutale në të shkuarën. Mjafton fakti që sot është një normë e gjithëpranuar e drejta për të kërkuar transparencën e cdo pjese të procesit zgjedhor duke siguruar me ligj garancinë e cdo aktori në proces për të parë në dritën e procedurës së KQZ kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore për të pasur një ide të qartë se cfarë progresi është bërë në këtë drejtim. Jam i bindur se ka ende dallime të natyrshme në optikën e të vështruarit të zgjedhjeve në Shqipëri. Nëse zgjedhjet e 2015-ës do të vështroheshin si për herë të parë, sigurisht që optika është e ndryshme nga vështrimi i tyre si pjesë e një procesi dhe mbi bazë krahasimore me atë cka ndodhi në 2009 dhe 2011. Edhe në 2013 pavarësisht kontestimeve të humbësve, qoftë 2013-a, qoftë 2015 janë të pranuara nga vetë zgjedhësit. Dhe legjitimiteti i fituesve që është i bazuar tek ky gjithëpranim popullor ka cuar në reformat pa kthim që i kanë munguar vendit për 20 e kusur vite", tha Rama.



Basha: Qeveria teknike parakusht për zgjedhje të lira
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i lur në tryezën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta mbi reformën zgjedhore deklaroi se parakusht i vetëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike.

“Establishmenti aktual nuk është në gjendje të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, pasi parakusht janë qeveria teknike për të ulur pa paragjykim për të nesërmen”, theksoi Basha duke iu referuar këtu edhe zgjedhje të 2013-2015, në të cilat sipas kreut të opozitës mbizotëroi korrupsioni zgjedhor.

“Nëqoftëse ka një armik të madhe të zgjedhjeve sot, ky është korrupsioni zgjedhor. Nga një shqetësim në të shkuarën sot është kërcënim i madh. U kthye në vitin 2013 dhe sot është kanceri në reformën zgjedhore,” tha Basha teksa shtoi se blerja e votave në Korçë në 2015, u kthye në poligon.

Lideri i së djathës, u shpreh se korrupsioni zgjedhor është vetëm njëra anë e medaljes.

“Korrupsioni zgjedhor është vetëm një aspekt. Ky korrupsion prodhon çdo derivat. Pushteti prodhon korrupsioni politik, ky sjell korrupsionin zgjedhor, blen mediat me reklama të majme. Këtu fillon edhe krimi i organizuar. Ky është modeli i shtetit mafioz . Dy janë burimet kryesore të financimit politik dhe zgjedhor. Korrupsioni i tenderave dhe krimi i organizuar,” tha Basha.

Fjala e Bashës në konferencën për reformën zgjedhore



Më tej kreu i PD-së solli në vëmendje edhe korrupsionin e shfaqur në financimin e fushatave zgjedhore në media, apo krijimin e zyrave elektorale.

basha koalicioni vezhguesve

Meta: Reforma në drejtësi të dënojë maksimalisht blerësit e votës
Kryetari i Lëvizjes Socialist për Integrim Ilir Meta i sheh ngushtësisht të lidhura reformën zgjedhore me atë në drejtësi. realizimi i kësaj të fundit - tha Meta - do të vë përpara drejtësisë personat që bëjnë korrupsion me zgjedhjet, duke manipuluar e shitur votat. Një njeri që e blen votën - tha kryeparlamentar- duhet të dënohet maksimalisht dhe të bëhet shembull për të tjerët.
 
"Të gjithë që bashkë të përfundojmë këtë reformë shumë përpara zgjedhjeve të vitit 2017, mos të jetë reformë e minustuës së fundit, me nxitim, pa transparencë dhe pa adresuar shqetësimet në mënyrë racionale, dhe për t'i dhënë kohën e duhur qytetarëve për t'iu përshtatur ndryshimeve.  Kjo është reformë në një kohë kur ne besojmë me përpjekje të përbashkëta do të realizojmë edhe reformën në drejtësi, se janë dy çështje të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Personi që bën korrupsionin, manipunilimin duhet të dënohet, të bëhet shembull në mënyrë që të tjerët të mos gucojnë të përsërisin këtë problem. Këto dy reforma do të ndihmojnë shumë për forcimin e institucioneve", u shpreh Meta.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në konferencën për reformën zgjedhore

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin