Sipas Kodit Zgjedhor, Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve për qeverisjen vendore 9 muaj përpara mbarimit të mandatit, datë e cila përkon në fillim të muajt tetor dhe zgjedhjet bëhen në fundin e muajt maj. Por duke qenë se në momentin kur presidenti dekreton datën e zgjedhjeve KQZ fillon punën, ndryshimi i përbërjes së saj apo amendamentet ligjore prish parimin e ligjit ku në Kodin Zgjedhor nuk bëhen ndërhyrje gjatë procesit zgjedhor. Kësisoj plotësimi i vendeve të KQZ-së ose përcaktimi i një formule tjetër të organizimit të saj duhet të bëhet deri në datën 31 korrik, pasi më vonë mbyllet sesioni parlamentar dhe hapet javën e dytë të shtatorit, kohë e cila nuk përkon me afatin për dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, gjë që do të çonte në një ngërç zgjedhor.
Formulat
Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh 4 formulat që po debatohet për mënyrën e organizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Varianti i parë, që është edhe ai që ka më shumë mbështetje është plotësimi i vendeve vakante në komision nga ana e shumicës, ku LSI të ketë përfaqësuesin e saj në tavolinë. Varianti i dytë është që KQZ të shkrihet dhe të bëhet vetëm me një komisioner, i cili do të ketë të gjithë administratën e institucionit në varësi të Kolegjit Zgjedhor. Pra, administrimi i zgjedhjeve dhe vendimmarrja të bëhet nga Gjykata e Kolegjit Zgjedhor.
Por ky variant ka hasur kundërshtitë e saj, pasi gjyqësori perceptohet si pushtetit më i korruptuar në Shqipëri gjë që do të prishte imazhin e proceseve zgjedhore. Krahas kësaj, varianti tjetër është organizimi i zgjedhjeve të kaloi në bordin e OJF-ve. Por, edhe ky variant ka hasur kundërshtitë e tij. Kjo, pasi asnjë nga OJF-të nuk paraqet garanci besueshmërie në tek njerëzit gjë e cila e shumon si alternativë. Varianti i katërt është ai i riformatimit total të KQZ-së. Por ky variant has kundërshtime nga ana e opozitës e cila nuk do të jap dakortësinë e saj dhe votimi do të bëhet i njëanshëm ashtu siç bëri PD në prill të vitit 2013 kur ndryshoi përbërjen e KQZ-së.
Afatet
Afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor për datën e zgjedhjeve janë tepër të qarta. Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për qeverisjen vendore jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
Kësisoj afatet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është në limitet e saj. Kjo pasi deri tani nuk është marrë asnjë nismë konkrete për të bërë amendamentet në Kodin Zgjedhor, i cili do të çoi në ndryshimin e tryezës së KQZ-së dhe amendamenteve të tjera që janë rekomanduar nga OSBE. Deri tani janë zhvilluar disa tryeza nga OJF-të por që nuk kanë pasur ndonjë impakt që të nxis debatin parlamentar që të çoi në një nismë konkrete për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. Kësisoj mazhoranca ka vetëm dy variante në dispozicion, ose të nis procedurat për të ndryshuar tavolinën e KQZ-së ose të plotësoj vendet boshe, pra që përbërja e saj të qëndroi siç është.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)