Zgjedhjet...zgjedhjet

Zgjedhjet...zgjedhjet
Parlamenti Europian vendosi dje si kushtin e vetëm për Shqipërinë që të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Me zë dhe me figurë, burokratët europianë iu kundërpërgjigjën kështu alibisë që është ngritur nga Tirana zyrtare, për dështimin e radhës. Nuk ishte votimi i tre ligjeve, as kushti i vënë nga opozita për njohjen e vendimit të drejtësisë për Fierin, ajo që e la Shqipërinë në klasë, por vetëm retorika agresive për të mos njohur pluripartitizmin real në vend dhe egoja e shfrenuar që edhe pa vota, edhe të mbajë pushtetin, edhe ta pranojë Europa. Eduart Kukan, europarlamentar, njëri nga miqtë e paktë që ishte edhe në festimet alla- PD të qeverisë për 100 vjetorin e pavarësisë, theksoi dje se zgjedhjet janë kushti dhe asnjë tjetër. Në Tiranë, ambasadorja e Gjermanisë, po ashtu e vuri theksin të zgjedhjet e vitit 2013.

Para tyre, në vende dhe në kohë të ndryshme, shumë politikanë kanë vënë theksin se ajo që tregon karakterin europian të Shqipërisë, dëshirën e saj për të qenë pjesë e komunitetit perëndimor, janë zgjedhjet parlamentare, sjellja ndaj votës së qytetarëve dhe sidomos, numërimi i saktë dhe i ndershëm, që vota e hedhur të lexhohet ndershmërisht. Shqetësimi i Europës ka një bazë të fortë: në Shqipëri, shumë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, qeveria është angazhuar kokë e këmbë në fitoren me çdo kusht dhe me çdo mjet të fitores së një mandati tjetër qeverisës.
Ndërsa dje, zyrtarisht, INSTAT, tregonte se Shqipëria është tkurrur në rreth 2.8 milionë banorë që gjenden në Shqipëri, dhe se shumica e popullsisë jeton në qytete, duke braktisur fshatin, prej gati një muaji, Ministria e Brendëshme po përpiqet të justifikojë mbajtjen e një mandati në Kukës, duke thënë se në fshatra, ku ha pula gur, si në Topojan, qenkan shtuar rreth 700 banorë!!!! Dhe gratë, që nuk janë, paskan pjellë atje më shumë se në Berat, ku u hoq një mandat, apo në Korçë.

Nga ana tjetër në KQZ, dy ditë më parë, shumica e djathtë, me në krye ish-vartësen e kryetares së Kuvendit, vendosi që si qendra votimi të shërbejnë edhe lokale ku ka flamuj partish, siç janë ambientet me qera, që PD i mbjell si kërpudha pas shiut një muaj para zgjedhjeve, që votuesit të futen dhe të votojnë aty nën hijen e flamurit të partisë. Siç ndodhi në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Opozita në fakt nuk i ka kuptuar sa shumë peshë do të kenë pas 7 muajsh këto makinacione dhe energjia kryesore e saj po shkon për të “sqaruar” gazetarët se po bëjnë lajme të nxituara dhe se nuk duhet mbjellë panik te elektorati se vota do të vidhet në 23 qershor.

Problemi është se të gjithë e dinë se vota do të vidhet. Se sa, atë do ta ketë në dorë opozita, që siç ka premtuar, do ta mbrojë atë. Se vota e 23 qershorit do të jetë preja e PD-së, e di që sot edhe burokracia europiane në Bruksel dhe Strasburg. Ato nuk kanë mekanizma të tjerë veç kushteve që ta parandalojnë. Të tjerat janë në dorë të shqiptarëve, opozitës që duhet të psikologjisë dhe të pengojë planin e përhershëm të pozitës: “Ju votoni, unë numëroj” dhe të votuesit shqiptar, që radhës tjetër nuk duhet ta quaj të mbaruar misionin me hedhjen e votës, por duke e mbrojtur atë, sepse kështu mbron jo vetëm një kusht të vënë Europa, por të ardhmen e vendit.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 14 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?