Zgjedhorja, Rama: Hera e fundit që bëjmë marrëveshje në ambasada, mund të mblidheshim te Meta, në Këshillin e Integrimit duhet të ishte edhe opozita (VIDEO)

'Kjo është hera e fundit që bëjmë marrëveshje në ambasada'. Kështu u shpreh kreu i qeverisë Edi Rama referuar negociatave të udhëhequra nga ndërkombëtarët në rezidencë amerikane dhe Shtëpinë e Europës për arritjen e paktit për Reformën Zgjedhore. Edi Rama tha se pavarësisht cështjeve të hapura me Ilir Metën, tryeza për dialog për Reformën Zgjedhore mund të bëhej në Presidencë, apo edhe te komunitetet fetare, por jo në ambasadat e huaja.

Gjithashtu, ai kërkoi që në Këshillin Kombëtar të Integrimit të ishte edhe opozita, pasi është alternativa qeverisëse. Kryeministri Edi Rama u shpreh në Këshillin Kombëtar të Integrimit se procesi i integrimit kërkon shumë energji dhe bashkëpunim mes nesh, të gjitha palëve. Objektivi është ende larg, tha Rama, por shtoi se duke parë pas ku ishim, Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara. Në fjalën e tij, ai listoi edhe njëherë disa nga arritjet e qeverisë. Megjithatë në fund, Rama tha se integrimin e kanë vetë në dorë shqiptarët.

"Është shumë rëndësishme ajo që ju sapo më kujtuat dhe ju siguroj se e kam parasysh në të gjithë vijimësinë e punës, sepse jam i bindur që pa këtë që ju kujtuat, sigurisht që shumëçka tjetër bëhet më e vështirë dhe procesi vetë bëhet më i komplikuar.

Sidoqoftë, besoj që sot mund të thuhet se jemi në një stad të ri, përderisa çka na mbledh këtu, në këtë Forum, - të diktuar edhe nga koha që kalojmë gjysmë real dhe gjysmë virtual, njësoj si edhe vetë procesi në fakt, - është kuadri negociator, plani i masave për negocimin. Që do të thotë që 11 vite pas aplikimit të bërë dhe 6 vite pas marrjes së Statusit Kandidat, jemi të gatshëm të hapim këtë faqe të re, e cila si gjithë libri shumë vëllimshëm i procesit të integrimit është një faqe me më shumë detyra, me më shumë sfida dhe patjetër kërkon edhe më shumë energji dhe më shumë bashkëpunim mes nesh.

Por një gjë besoj mund të thuhet pa asnjë ngurrim dhe me bindje, që, kur e shohim procesin me vështrim përpara, jemi ende larg objektivit të madh kombëtar të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, por kur e kthejmë kokën pas e shohim pa shumë vështirësi se jemi shumë më afër sot, sesa ishim qoftë edhe një vit më parë, e lëre më pastaj 5 apo 11 vite më parë.

Ky është një proces që ne na duhet si drita dhe si uji njeriut, për të bërë Shqipërinë një vend që është një shtet me standardet e BE-së. Nuk është një proces që e bëjmë se na e kërkon Brukseli, Berlini, Parisi apo e gjithë bota bashkë, por është një proces që e bëjmë sepse a e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e fëmijëve të fëmijëve tanë. E nuk diskutohet që në thelbin e vet, ky është një proces shtetformimi, në funksion të ngritjes së institucioneve dhe të sistemit të tërë të organizmit institucional, që i korrespondon vlerave, parimeve dhe ligjësive të BE-së.

E këtu, ne jemi sot në një fazë të ndërmjetme, në një tranzicion, le të themi, mes një vendi që aplikon 11 vite më parë me ambicien për të qenë anëtar i BE dhe një vendi anëtar të BE-së. Kemi një sërë sfidash të gjithhershme, por që përbëjnë prioritete kyçe dhe një sërë reformash që janë në proces, duke filluar nga reforma e reformave që është Reforma në Drejtësi, ku pa diskutim bëhet fjalë për një operacion kompleks, një operacion të gjatë, të vështirë dhe me komplikacionet e veta dhe ku po ashtu është e qartë që  gjithçka që sot bëjmë në këtë proces përbën një hap më përpara për përfundimin e tij me sukses, me një sistem drejtësie të pavarur, me një sistem drejtësie profesional, me një sistem drejtësie që garanton barazinë e të gjithëve përpara ligjit.

Është një sfidë që do të na ndjekë deri në fund, deri  ditën që do të bëhemi anëtarë të BE-së dhe nëse shohim eksperiencën e vendeve të tjera, edhe pasi të bëhemi anëtarë të BE-së, mbase kjo do të jetë në vijim një sfidë, edhe pse me metodologjinë e re, duket sikur shtetet anëtare kanë adresuar pikërisht nevojën që këto sfida të jenë sfida të fituara dhe të përfunduara përpara sesa vendet të marrin vendin e tyre në tryezën e përbashkët të familjes së vendeve anëtare të BE-së. 

Nga ana tjetër, krimi dhe korrupsioni janë dy pjesë të një sfide tjetër të rëndësishme, njësoj si në Reformën në Drejtësi, edhe në këtë aspekt, rezultatet flasin. Gjithmonë duke u nisur nga ajo që thashë në fillim, nëse shohim ku e kemi objektivin e mbërritjes, jemi ende larg dhe kemi ende goxha për të bërë, por nëse shohim se nga ku jemi nisur, jemi shumë më afër sot seç ishim 1, 6 apo 11 vite më parë.

Jemi sot në situatën kur bashkë më të gjithë vendet e tjera, jo vetëm të BE-së, por edhe të të gjithë globit kaluam dhe po kalojmë një sfidë të madhe, sfida e përballjes së një pandemie, që besoj se tregoi që sidoqoftë, ne kemi sot një sistem funksional institucionesh dhe sidoqoftë, ajo që mbase 6 vite më parë, kur ishim të sapodekretuar le të themi, vend kandidat për në BE, apo 11 vite më parë kur aplikuam për të hyrë në këtë proces, do të ishte shumë më e vështirë dhe mbase e pamundur me sistemin e 6 viteve më parë, me atë të 11 vite më parë po e po, ne do ta kishim përballjen me këtë situatë të  pandemisë jashtëzakonisht më të vështirë, më të ngatërruar dhe patjetër shumë më pak të suksesshme objektivisht, për shkak se institucionet tona, sot janë më të përgatitura, për shkak se sistemi ynë i përballjes në frontin e betejës së drejtpërdrejtë me sëmundjen është sot shumë më i përgatitur, për shkak se sot, ne ishim në kushtet kur mund të vinim menjëherë në funksion të qytetarëve një sistem të tërë të ndërveprimit dixhital, gjë që lehtësoi shumë procesin e gjithë autorizimeve për nevoja imediate dhe nevoja kryesore e jetike në një situatë mbylljeje.

Këtu dua të shtoj edhe elementin tjetër që nuk do ta kishim të mundur 6 apo 11 vjet më parë, që sidoqoftë nxënësve që u detyruan të mbylleshin nëpër shtëpi t’u jepnim një sistem alternativ mësimi, i cili nuk e zëvendëson 100% sistemin e të mësuarit normal, por krijoi kushtet për një mbajtje të vazhdueshme në kontakt të nxënësve përmes dixhitalizmit.

Dixhitalizmi sot është në një fazë ku një pjesë e madhe të shërbimeve, që janë edhe elementë të zinxhirit të korrupsionit, të ryshfetit dhe të barrës së madhe të padrejtësisë mbi qytetarët, kanë kaluar në një proces tërësisht automatik, transparent, pa kontakte të drejtpërdrejta. Rasti i fundit është rasti i shërbimeve hipotekore ku në të gjithë atë pjesë të vendit e është pjesa dërrmuese që ka prona të regjistruara, sot nuk ka më kontakt të drejtpërdrejtë me zyrat dhe gjithkush e merr shërbimin online, në pak minuta. 

Të gjitha këto, jo për të thënë se është bërë ndonjë mrekulli, por për të thënë që jemi në kushtet kur mund të jemi të inkurajuar nga sa kemi bërë dhe sigurisht mund të jemi të bindur që, nëse i bëjmë si duhet gjërat, ne vetë e kemi në dorë me metodologjinë e re ta përshpejtojmë edhe procesin. 

Këtu është vendi për të thënë që, sidoqoftë, për të gjithë ata që në një mënyrë ose në një tjetër, - edhe nën efekt influencash të ndryshme tërësore, jo thjesht influence malinje, por influenca beninje le të themi, që vijnë nga vetë vendet anëtare përmes rrjeteve sociale, përmes lajmeve, - krijuan në kohë një skepticizëm lidhur me BE-në, morën dy përgjigje të njëpasnjëshme, spektakolare, për arsyen pse anëtarësimi në Bashkimin Europian, përveçse është një rrugëtim që modernizon dhe transformon pa kthim vetë shtetin shqiptar si asnjëherë më parë në histori për shkak të mekanizmave që ofron, është dhe një hapësirë solidariteti.

Solidarit, i treguar në mënyrë shembullore nga të gjitha vendet e BE-së, nga vetë KE-ja në periudhën pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar. Solidaritet, falë të cilit, ne disponojmë të gjitha mjetet e nevojshme financiare për të kryer me sukses një proces transformues rindërtimi, proces i cili ka filluar. Vetë BE-ja është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm financiarisht, por dhe me të gjithë ekspertizën e vet për të ndërtuar drejtpërdrejtë një pjesë të rëndësishme të të gjithë zinxhirit të shkollave të rrënuara. E po ashtu, edhe plot vende anëtare, disa prej të cilave të përfaqësuara në ekran nga përfaqësuesit e tyre këtu në Tiranë, janë angazhuar. Gjë që ka shërbyer shumë, besoj, për t’iu dhënë të gjithë qytetarëve një sens real, konkret, të “pse”-së së madhe të kësaj ëndrre dhe të pak “pse” kjo ëndërr është e ndryshme dhe pa alternativë. 

Sigurisht, goditja e dytë që ne morëm pas tërmetit me këtë epidemi të kthyer në një pandemi globale, BE-ja ishte përsëri aty. Ishte prezent me gjithë sekëlldinë e jashtëzakonshme që patën vendet anëtare dhe me gjithë konfuzionin e madh që u krijua edhe brenda BE-së, nuk na ktheu shpinën, por përkundrazi na ofroi solidaritet dhe na shtriu dorën e një mbështetjeje që përsëri konfirmon edhe njëherë, sa i vlefshëm është ky projekt i madh dhe se sa e patjetërsueshme është kjo ëndërr që ne e trashëgojmë si stafetë e që do e trashëgojmë tek ata që vijnë më pas, ju Zonja Hajdari dhe brezi i ri politikës. 

Ne mund të bëjmë një rrotullim 360 gradë të vështrimit tonë dhe mund të gjejmë në të gjithë atë rreth të çështjeve, sfidave, problemeve, plot arsye për të thënë e bardhë, për të thënë e zezë, por askush nga ne nuk i shmanget dot një vrime të zezë, që ne e kemi për fat të keq, sot e gjithë ditën në këtë hapësirë dhe po për fat të keq, krahasuar me vendet anëtare të BE-së dhe parë eksperiencat e gjithë atyre që kanë kaluar para nesh në këtë proces, jemi realisht të pashoq në një paaftësi kronike për të dialoguar mes vedi, për t’u mirëkuptuar mes vedi, për të gjetur zgjidhje për ato çështje që rëndom janë çështje të krijuara nga sebepe të natyrës politike, që mund të jenë ose jo legjitime, mund të jenë sebepe të mëdha apo të vogla, por janë gjithnjë sebepe që nuk e konkurrojnë dot, në asnjë rast, për nga madhësia e pesha e tyre, madhësinë e peshën e qëllimit që, fatmirësisht, në Shqipëri e ndajnë gjitha partitë, gjitha forcat shoqërore. Nuk kemi në Shqipëri, - mbase jemi rast unikal, - asnjë forcë politike, asnjë forcë shoqërore relevante që të predikojë ndonjë rrugë tjetër, përveç rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian, të predikojë aleanca alternative me aleancën strategjike me SHBA-në dhe BE-në, që të predikojë teza e qasje që shkojnë në konflikt. Gjithë ky qëllim i madh, i ndarë bashkërisht, e bën të duket akoma më problematik faktin që jemi ende të paaftë që të komunikojmë shqip me njëri-tjetrin, shqip-shqip pa përkthyes. 

Rasti i fundit, edhe më i freskëti, që u përshëndet edhe këtu, është flagrant. Jemi mbledhur në një ambasadë, të gjithë përfaqësuesit e forcave më të mëdha politike të vendit, mbyllur atje, me ditë e me net, për të lënë gjërat siç janë, për të marrë vesh më në fund që nuk do bëjmë atë që duhet të bënim, por do i lëmë gjërat siç janë.

Kur sheh këtë përfundim, njeriu mendon natyrshëm, po këtë nuk mund ta realizonim vetë? Pse duhet të ishte nevoja të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike dhe shumë të rëndësishme në këtë vend dhe pse duhej që ndërveprimi dhe komunikimi mes nesh të zhvillohej në disa gjuhë, të kalonin tekstet në disa përkthime dhe përgjigjet të jepeshin me disa bedelë? 

Më vjen keq, por unë personalisht mendoj që kjo do jetë e fundit. Miqtë tanë dhe partnerët tanë të paçmueshëm nuk duhet të ndjehen më në këtë pozitë, ashtu sikundër besoj edhe vetë populli, zgjedhësit tanë nuk kanë pse të shohin nga dyert e ambasadave për arsyen se palët dhe forcat politike nuk arrijnë dot të ndajnë çfarë është e ndarë dhe çfarë është e përbashkët. Nuk është sekret që me Presidentin e Republikës, ne kemi çështje të hapura, por patjetër që mund të takoheshim dhe mund të takohemi tek Presidenti i Republikës, mund të takohemi tek kryetari i Kuvendit, mund të takohemi tek kryemyftiu i Tiranës, tek Baba Mondi, tek kreu i komunitetit katolik, mund të shkojmë dhe tek protestantët, për të gjetur një fushë ku nga pikëpamja religjioze nuk ka anësi, por ne nuk mundet më të bëjmë dialog dhe marrëveshje nëpër ambasada. Kjo duhet të jetë e fundit dhe përsa më takon mua personalisht, kjo do të jetë e fundit.

Unë dua që të gjithë shqiptarët dhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë ta dinë se për çështje që ne na takojnë t’i zgjidhim vetë, nëse vërtetë jemi seriozë dhe nëse vërtetë jemi të sinqertë që duam ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së, ne nuk mund të bëjmë më sikur s’jemi të njëjtët, kur vjen puna për t’i zgjidhur çështjet bashkërisht. Nëse ky quhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, është vërtetë pozitive që këtu janë gjithë krerët e institucioneve, por këtu duhet të ishte patjetër edhe opozita. Opozita e sotme është alternativë e sotme dhe qeveria e nesërme, ashtu sikundër me radhë, sepse, siç e kemi parë e jo më kot e thashë në fillim, 11 vjet përpara është bërë aplikimi, ka qenë një qeveri tjetër, 6 vjet përpara kemi marrë statusin, ka qenë qeveri tjetër, sot kemi kuadrin negociator, është një qeveri tjetër. Nesër kur të vijë dita për të hyrë në BE, sigurisht që do jetë një qeveri tjetër, cilido qoftë dhe cilado qoftë forca politike.

Në fund të ditës, BE-ja nuk është një institucion i konsensusit në sensin që të gjithë anëtarët  BE-së bien dakord me të gjitha, por ajo që BE-në e bën një familje me nivel të lartë demokracie, me nivel të lartë standardesh, me nivel të lartë cilësie bashkëjetese mes njerëzve dhe mes forcave politike dhe që karakterizon gjitha ato vende që kemi në ekran përmes ambasadorëve, është jo sesa shumë bien dakord me njëri-tjetrin, por sesi administrojmë mosdakordësinë. Mosdakordësia e administruar me dialog, me komunikim, me qytetari, me mirëkuptim është një gjë dhe mosdakordësia e administruar me shkulje flokësh, me baltë, me jargë dhe me zjarr është një gjë tjetër. Të dyja mund të quhen shprehje lirie dhe demokracie, por kjo është arsyeja e dallimit mes të dyjave" tha Rama.


Lajmi kryesor:

'Paqe me brryla'! Meta: Zgjedhoren miratojeni shpejt! Rama: Hera e fundit që bëjmë pakte në ambasada! Mund të bënte Presidenti, në Këshillin e Integrimit edhe opozita (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Fatos Çoçoli: Viti i pagave dhe pensioneve

Fatos Çoçoli: Viti i pagave dhe pensioneve