Komuniteti shqiptar në Katar deri më tani nuk ka hasur probleme si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe sulmeve të Iranit. Sipas gazetarit Ervin Gjonaj, i cili ndodhet në Doha, situata në publik është e qetë.
“Komuniteti shqiptar në Katar është i vogël. Janë 300 ose 400 shqiptarë. Nuk kanë probleme. Janë të gjithë njerëz që punojnë. Disa mund të jenë duke punuar nga shtëpia deri sa të jepet autorizimi për tu kthyer në punë. Unë jam shtetas britanik dhe Ambasada britanike u ka dërguar mesazhe të gjithë shtetasve që në rast se situata përkeqësohet atëherë do të fillojë evakuimi i shtetasve britanikë drejt Egjiptit, ose Britanisë. Këtu janë 300.000 britanikë dhe evakuimi do të bëhet në mënyrë të orkestruar. Katari do të marrë përsipër shpenzimet e personave në hotele” tha ai në një intervistë me emisionin ‘Studio Live’ në Report TV.
Por ndonëse në Doha situata është e qetë dhe nën kontroll, kufijtë e vendit mbrohen nga avionët e Katarit dhe Britanisë së Madhe që survejojnë hapësirën ajrore.
“E gjithë popullësia nuk ka probleme këtu. Katari ka pasur një marrëdhënie shumë më të mirë me Iranin dhe vetë autoritetet e konsiderojnë të çuditshëm sulmin e Iranit në Katar. Pak më parë u rrëzuan dy avionë të Iranit që shkelën hapësirën ajrore. Ishin prodhim sovjetik. Sot pati edhe një raketë depërtoi në rafineritë e gazit, por dëmtuan një impiant të vogël gazi, që çoi në mbylljen e prodhimit të gazit për sot në Katar. Aeroporti është i mbyllur. Nga Dubai ka pasur disa fluturime që shkojnë në Oman dhe kalojnë mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit e më pas në Mesdhe” tha ai.
Komente











