'Zgjoi' s'u nominua për Oscar, Producenti në Report Tv: Arritëm sukses të madh, histori reale! Filmi kushtoi 500 mijë euro, ideja nisi 10 vite më parë

Filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli, nuk arriti të nominohet për Çmimin Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Producenti i këtij filmi, Paskal Semini, foli këtë mbrëmje në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj në Report Tv.

Paskal Semini, tregoi se nuk arritën të nominoheshin në 5-shen konkurruese të Oscar por pavarësisht kësaj, e quan një sukses të madh ndërsa tregoi detaje mjaft interesante, nga kostot e realizimit tek pretendimet që kishin.

“Dje u dhanë rezultatet me producentët e tjerë, e ndoqëm live. Festuam njësoj se është një sukses pavarësisht që nuk u zgjodhëm. Ishim në konkurrim me filma shumë të fuqishëm në kuptimin financiar.”-tha Semini.

Më tej, ai tha se ishin 93 filma në total nga të cilat ‘Zgjoi’ u zgjodh në 15-shen e Oscar.

“Short list quhet, pastaj lista e konkurruesve. Shpresat i kishim kur shikon që arrin në 15, pse jo dhe në pesëshe.”-tha Semini.

Ndër të tjera ai u shpreh se është punuar me shumë pasion dhe sakrifica ndërsa si ide filmi ka nisur 10 vite më parë, kur Blerta Basholli, skenariste dhe regjisore e këtij filmi, po studionte në New York.

“Në darkë në shtëpi, duke bërë punët e veta dëgjon emisionin ‘Shqip’ ku ishte në intervistë Fahrie Hoti, është ngjarje reale. Subjekti i filmit ka të bëjë me kurajon që njerëzit nuk duhet të dorëzohen pavarësisht dramave dhe ngjarjeve të jetës. Personazhi kryesor, rezulton i zhdukur, në listën e të zhdukurve dhe atëherë Fahria reale dhe e filmit në një ambient patriarkal, në fshatra sidomos, të fillonte të mendonte për të ardhmen. Ajo i vë shpatullat shtëpisë dhe merr hapin për patentën e shoferit, që ishte një çudi, një femër në atë fshat të bëhej shofere. I hyri pastaj biznesit.”-tha Semini.

Sa i takon titullit të këtij filmi, Semini tha se lidhet me zgjimin, me njerëzit që duhet të zgjohen dhe jo ta quajnë jetën të mbyllur dhe të bien në depresion.

“Jeta është shumë herë më tepër se vdekja. Duhet të zgjohemi. Bletët kanë një karakteristikë që pickojnë njeriun që nuk është i afërt. Filmi fillon me kapelën, rrjetën, që e pickojnë, në fund fare është që është miqësuar. Edhe ajo ka realizuar një pjesë të jetës, zhvillimit dhe ecjes përpara.”-tha Semini.

Për rrugëtimin e filmit, deri në mbërritjen e hyrjes në 15 filmat më të mirë ndërkomëbtarë pretendentë për Oscar, Semini theksoi se është shumë i mirë dhe se ka marrë disa çmime.

“SunDance Film Festival e kishte pranuar. Fitoi 3 çmime kryesore, filmi më i mirë, regjia më e mirë dhe çmimi i publikut. E kam përmendur që është histori për festivalin e SunDance Film Festival, është i vetmi film që në fillim të festivalit që fiton tre çmime.”-tha Semini.

Sa i takon buxhetit, producenti tregoi për Report Tv se filmi ka kushtuar rreth 500 mijë euro.

“Jemi vende me buxhete të vogla. Kam shprehur mendimin se qeveritë duhet të tregojnë kujdes dhe mbështetje. Ne në Shqipëri s’kemi arritur akoma, ndonjë film të Gentian Koçit, Bujar Alimanit, Florenc Papës që kanë fituar ndonjë çmim në festivale. Është si fëmija, nëse nuk investon, çfarë do japë nesër.”-tregoi Semini.

Pse qeveritë duhet të japin mbështetje për filmat, producenti theksoi se ai është mjeti më i drejtëpërdrejtë për të komunikuar, edukuar, argëtuar dhe për të promovuar një komb.

“I kulturës, traditave, aspekteve morale shoqërore të një vendi. Duke parë këtë eksperiencë, filmi është armë e fuqishme për të promovuar një shtet, një komb, një popull.”-tha Semini.

Ndër të tjera, Semini tha se ky film vendosi një standard për krijuesit e kinematografisë shqiptare.

“Ne vetë, unë me producentët, skenaristen dhe regjisoren Blerta Basholli, e cila ka shumë oferta nga Amerika, jemi në të njëjtën marrëdhënie të vazhdojmë bashkëpunimin për të shkuar më tej.”-tha Semini për Report Tv.

"Zgjoi" ishte në listën e ngushtë prej 15 filmash, ndërsa pesë finalistët që u nominuan në këtë kategori janë: "Drive my car" nga Japonia, "Flee" nga Danimarka, "The Hand of God" nga Italia, "Lunana: A yak in the classroom" nga Butani dhe "The Worst Person in the World" nga Norvegjia. “Zgjoi’ tregon historinë e fuqisë, qëndrueshmërisë dhe triumfit të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës, në një situatë kur dorëzimi është mundësi.

/AV/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja