Harta e re territoriale me të cilën vendi do të shkojë në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe ndryshimet që ajo i imponon Kodit Zgjedhor për zgjedhjen e këshillave bashkiakë, ka zgjuar Komisionin për Reformën Zgjedhore pas disa muajsh ‘gjumë letargjik’.
Bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylybashi dakordësuan më në fund një datë, të hënën e 9 nëntorit për t’u mbledhur e për të diskutuar mbi “detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore.”
Ndërkohë palët do të duhet të adresojnë edhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe Komisionit Evropian për një reformë të thellë zgjedhore që nuk duhet të përfshijë vetëm dy partitë e mëdha PD-PS por edhe partitë e tjera.
“Disa rekomandime të kahershme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Komisionit të Venecias mbeten të paadresuara. Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027” u tha në raportin e progresit për Shqipërinë disa ditë më parë.
Vetë përfaqësuesi demokrat në këtë komision, Oerd Bylykbashi, tha të premten se PD është për lista 100% të hapura, edhe në zgjedhjen e këshillave bashkiakë.
“Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura. Edhe këshillat bashkiakë duhet të zgjidhen me lista të hapura, në vend të listave të mbyllura që zbatohen që nga Kodi Zgjedhor i vitit 2000, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste” tha Oerd Bylykbashi
Ndërsa socialistët ende nuk e kanë një propozim mbi sistemin zgjedhor, por kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një rrugë e dakordësuar do të vijojnë të vetëm reformën.
Komisionit i përfundon mandati në fund të muajit nëntor dhe siç sërish shumica ka paralajmëruar, afati nuk do të shtyhet.
Ky komision i posaçëm nisi punën mesin e nëntorit të vitit të kaluar dhe i vetmi produkt i tij është drafti i një ligji të veçantë për financimin e partive politike.









Komente
Komento