Zhdukja e Bleona Matës, ja fotot
e rrëmbyesit të fëmijës në Kukës

Zhdukja e Bleona Matës, ja fotot <br />e rrëmbyesit të fëmijës në Kukës
KUKËS – Historia e Bleona Matës, vogëlushes të zhdukur më 22 majin e 2010-ës teksa kulloste bagëtitë në mal së bashku me 5 vajza të afërme të saj, është rikthyer sërish në skenë, pas arrestimit gjatë mëngjesit të së shtunës të një të riu të akuzuar për rrëmbimin dhe trafikimin e një të mituri. Në familjen Mata është ringjallur një dritë shprese për gjetjen e Bleonës (në atë kohë 6 vjeç), pasi në fshatin Zapod të Kukësit, aty ku vogëlushja humbi çdo gjurmë, është arrestuar një 20-vjeçar i cili akuzohet se ka rrëmbyer një të mitur për qëllim trafikimin drejt Kosovës.

Begzim Isa nga sot do të qëndrojë në burg dhe do të përballet me drejtësinë me akuzën e rrëmbimit dhe trafikimit të fëmijëve. Ndërsa hetimet në dosjen e fëmijës me inciale A.F të rrëmbyer me qëllim trafikim, si dhe dyshimet që e lidhin 20-vjeçarin me zhdukjen e Bleona Matës i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda të kryeqytetit, e cila ka përpiluar një listë të personave që do të hetohen në lidhje me zhdukjen e fëmijëve në fshatin Zapod të Kukësit. Studimet e Begzim Isës të kryera në Kosovë për infermieri si dhe lidhja me vëllain e tij, i cili jeton në Prizren kanë bërë që Prokuroria të nisë me marrjen në pyetje, edhe të kushërirës së largët të Bleonës, Qamile Martës si një ndër personat që mund të hedhë dritë mbi ngajren, pasi edhe sot publikisht mamaja e Bleonës ka thënë se ajo di gjithçka.

Sipas policisë së Kukësit, Begzim Isa pasi ka mashtruar 8-vjeçarin me inicialet A.F e ka marrë me vete dhe më pas ka tentuar të largohet me të jashtë vendit, por fatmirësisht i mituri është shpëtuar nga policia, dhe autori ka rënë në prangat e uniformave blu. Kjo ngjarje ka ngritur pista hetimi të reja edhe për zhdukjen e vogëlushes Bleona Mata, familja e së cilës jeton në të njëjtin fshat. Nëna e Bleonës ka hedhur akuza ndaj Begzim Isës, dhe ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë edhe këtë rast, e kjo për shkak të lidhjeve të gjakut që ai ka me Qamile Matën, njërën prej 5 vajzave që shoqëronte Bleonën në mal.

MOTRA E BEGZIMIT: AI S'LA LIDHJE ME RREMBIMIN E TE MITURIT, AS ME BLEONEN
Dikush e ka përgatitur këtë skenar. Kështu shprehet motra e Begzim Isës, 20-vjeçarit të arrestuar nën akuzën e rrëmbimit të një të mitur me qëllim trafikimin drejt Kosovës, e ftuar në emisionin Urbanika. Ajo ka hedhur poshtë çdo akuzë, edhe në lidhje me çështjen e hapur ndaj vëllait të saj si i përfshirë edhe në zhdukjen e Bleona Matës, vogëlushes 6-vjeçare e cila më 22 maj të 2010-ës humbi çdo gjurmë teksa kulloste bagëtitë në mal me 5 vajza të tjera të afërme të saj. LEXONI KETU te plote reagimin e motres se Begzimit

QAMILE MATA: NE POLICI BEGZIMI LUANTE ROLIN E TE CMENDURIT

Ndërkohë gjyshi i Bleona Matës, deklaron në emisionin Urbanika në A1 Report se Qamilja pas kthimit nga komisariati i policisë ku qëndroi për rreth 12 orë është ballafaquar me 20-vjeçarin dhe sipas saj ai luante rolin e një njeriu anormal.

GJYKATA E KUKESIT LE NE BURG 20-VJECARIN

Sot, Gjykata e Kukësit dha masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj 20-vjeçarit Begzim Isa në lidhje me akuzat për rrëmbimin dhe tentativën për trafikim të të miturit. Ndërkohë, pas arrestimit të tij dhe marrjes sërish në pyetje të Qamile Matës, dosja do t'i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Qamile Mata rezulton mbesa e Begzim Isës dhe njëherësh kushërirë e largët me vogëlushen Bleona Mata. Që prej ditës së zhdukjes së Bleonës, Qamilja ka qenë në epiqendër të akuzave të familjarëve të vogëlushes dhe sidomos nënës së Bleonës si personi ndërmjetës që i dorëzoi Begzimit vajzën e vogël.

Ndërkaq, pas mbërritjes në Gjykatë të 20-vjeçarit, familjarët e tij të cilët prej orëve të para të mëngjesit u vendosën para këtij organi në shenjë revolte ndaj padrejtësisë që pretenojnë se po i bëhet djalit të tyre, kanë ndërprerë protestën. Ata e cilësojnë arrestimin e të afërmit të tyre, hakmarrje të ministrit të Brendshëm në lidhje me kërkesën e tyre për dëmshpërblim ndaj pretendimit se janë pronarë të tokës ku është ndërtuar dogana e Morinës.

FOTOT E BEGZIM ISES DHE VELLAIT TE TIJ NE PRIZREN, TE DY NE HETIM
Televizioni A1 REPORT publikon fotot e Begzim Isës, 20-vjeçarit të akuzuar për rrëmbimin e një të mituri me qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës. Edhe pse i riu u arrestua vetëm gjatë ditës së shtunë, akuzat ndaj tij për trafikim të fëmijëve kanë qenë të hershme.

Bukurie Mata, nëna e Bleona Matës, vogëlushes të zhdukur në mënyrë të mistershme që prej 22 majit të 3 vjetëve më parë, teksa kulloste bagëtitë në mal me 5 vajza të afërme të saj, ka treguar në polici se Begzim Isa, por edhe vëllai i tij Fatri Isa, i cili jeton në Prizren, janë të përfshirë në trafikim të miturish, dhe i ka vënë gishtin si persona të lidhur drejtëpërdrejt me zhdukjen e vajzës së saj.

Pas 3 vjetësh, ka nisur hetimi jo vetëm ndaj Begzim Isës, por edhe ndaj vëllait të tij si të dyshuar për trafikimin e fëmijëve drejt Kosovës, si dhe të dyshuar për zhdukjen e Bleona Matës, (në atë kohë vetëm 6 vjeç).  Shikoni KETU të gjitha fotot

begzim isa
*Në foto: Begzim Isa
fatri isa
*Në foto: Fatri Isa, vëllai i Begzimit

BUKURIE MATA: PAS ZHDUKJES SE BLEONES FSHIHET QAMILJA DHE BEGZIMI
Bukuri Mata shprehet se Qamilja, mbesa e Begzimit, ka tabulate telefonike me këtë të fundit ku i ka raportuar gjithçka për Bleonën. Mata thekson se nuk ishte e nevojshme që hetimi ndaj Qamiles dhe Begzimit të zgjates kaq shumë e të niste pas tre vjetësh, pasi ajo vazhdimisht ka vënë gishtin ndaj tyre.

“Po ringjallen shpresat nga dita në ditë për gjetjen e Bleonës. Qamilja i ka bërë telefonata Begzimit dhe i ka treguar begzimit në çdo hap të lajmit të Bleonës. Aty ku humbi Bleona në malin e Pikëllimës, është rruga më e drejtë që të lidh me Kosovën… Vetëm ai din rrugët e fshatit tonë…”, shprehet Bukurie Mata për mikrofonin e A1 REPORT!

Ajo tregon më tej se Begzimi vërtet studionte për infermieri në Prizren, por se nuk e shfrytëzonte shkollën për këtë fakt, por për t’u marrë me trafikimin e të miturve, së bashku me vëllain e tij, Fatriun, i cili jeton në Prizren.

ALIBIA E FAMILJAREVE: I MITURI NIP I BEGZIMIT, S’E KA RREMBYER
Familjarët e Begzim Isës mohojnë faktin që ai të ketë rrëmbyer 8-vjeçarin me qëllim trafikimin drejt Kosovës. Nëna e 20-vjeçarit, Shpresa Isa, shprehet se ditën e arrestimit “djali ka qenë duke punuar tokën në fshat dhe nuk ka pasur asnjë lloj tentative të arratiset jashtë kufijve dhe as ta ketë rërbmyer, e për më tepër nipin e tij”, pasi prindërit deklarojnë se ata kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin e veç kësaj kishin hyrje dalje në familjet e njëri-tjetrin e marrëdhënie të mira mes tyre.

FAMILJARET: ARRESTIMI I BEGZIMIT, HAKMARRJE NDAJ NESH
Familjarët kanë protestuar para Gjykatës për padrejtësinë që pretendojnë se është bërë ndaj djalit të tyre. Nëna, Shpresa Isa, dhe vëllai i Begzimit, kanë akuzuar drejtëpërdrejt organet e drejtësisë se po hakmerren ndaj familjes së tyre për shkak të një dëmshpërblimi. Familja pretendon se janë pronarë të tokës ku është ndërtuar dogana e Morinës, dhe shprehen se për t’i mbyllur gojën ministri i Brendshëm i arrestoi djalin.

“Ne kërkojmë dëmshpërblim për këtë pronë dhe në këmbim në formë hakmarrje na është dhënë arrestimi i djalit tonë”, shprehen familjarët për mikrofonin e televizionit A1 REPORT!

POLICIA INFORMACION TE REZERVUAR
Policia e Kukësit ka dhënë informacion të rezervuar në lidhje me të arrestuarin Begzim Isa. I vetmi informacion që uniformat blu deklarojnë, është: Ndalimi i 20-vjeçarit Isa për trafikimin e një të mituri në drejtim të Kosovës. Mungesën e informacionit për mediat, policia e argumenton me faktin se dëmtohet procesi i hetimi, por nuk ka pohuar nëse arrestimi në flagranc i Begzim Isës është bërë në saj të nj ëhetimi të mëparshëm ndaj tij, apo jo.

QAMILE MATA, MBESA E BEGZIM ISES

Pas arrestimit të 20-vjeçarit, pasditen e djeshme është shoqëruar në polici, Qamile Mata, një nga 5 vajzat që shoqëronte Bleonën tre vjet më parë teksa vajzat kullosnin bagëtitë në mal. Shoqërimi i Qamiles, kushërirës së largët të vogëlushes së zhdukur, është nxitur nga arrestimi i sotëm i Begzim Isës, dhe kjo për shkak të lidhjes së gjakut që këta dy të fundit kanë me njëri-tjetrin. Qamile Mata është mbesa e Begzim Isës. Qamile Mata, (në atë kohë 14 vjeç) ka qenë në epiqendër të akuzave të familjarëve të Bleonës si personi që i ka dhënë Bleonën rrëmbyesit të saj, konkretisht Begzim Isës.

NENA E BLEONES: HETONI BEGZIM ISEN PER ZHDUKJEN E VAJZES
Bukurie Mata, nëna e Bleonës, ka hedhur dyshime të forta në atë kohë se vajza e tyre ishte rrëmbyer dhe se vetë vajzat që e shoqëronin Bleonën ishin në dijeni të këtij fakti. Dyshimet e familjarëve gjithnjë kanë rënë mbi Qamile Matën. Bukurie Mata, në një prononcim për televizionin A1 REPORT tha se lajmi i arrestimit të Begzim Isës është shumë i gëzueshëm për të pasi hedh dritë dhe shpresë në gjetjen e Bleonës. Bukuria shprehet se dyshimet e saj kanë qenë gjithnjë mbi 20-vjeçarin, pasi Qamilja është mbesa e tij.

5 vajzat vazhdimisht kanë deklaruar se Bleona u humbi nga sytë teksa ato kullosnin bagëtitë në mal, në komunën Zapod të Kukësit.

bleona mata faqja e te humburve

Bleona vazhdon të figurojë si një ndër personat në kërkim në websajtin e faqes Botërore për Fëmijët e Humbur

SHPETIMI  I  8-VJECARIT NGA TRAFIKIMI, 31 mars

Një i mitur është rrëmbyer më 29 mars në fshatin Zapod të Kukësit, nga një 20-vjeçar më qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës. Mësohet se 20-vjeçari Begzim Isa ka mashtruar 8-vjeçarin me iniciale A.F e ka marrë me vete dhe më pas ka tentuar të largohet me atë jashtë vendit.

Familjarët e të miturit të shqetësuar nga mos mbërritja e të birit në kohë në shtëpi kanë njoftuar menjëherë policinë e cila ka shkuar në vendngjarje dhe në rrugë operative ka arritur të identifikojë 20-vjeçarin si rrëmbyesin e të miturit.

Gjithashtu në banesën e të riut policia ka gjetur fëmijën e rrëmbyer duke e kthyer atë pranë familjes, ndërsa ka vënë në pranga edhe rrëmbyesin mbrëmjen e 30 marsit. Burime pranë policisë bëjnë të ditur së në momentin e gjetjes nga policia, fëmija ka shfaqur probleme psikologjike dhe ka treguar se 20-vjeçari e ka kërcënuar me pistoletë që të mos tregojë asgjë për ngjarjen.

Redaksia Online
Arsen Rusta / Greta Malaj

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie