Policia e Tiranës ka përqendruar operacionet e kërkimit për gjetjen e Eglant Koçit në zonat malore të kryeqytetit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kontrolle po ushtrohen kryesisht në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, dy zona këto që vizitoheshin shpesh nga autori i dyshuar, Armand Shakaj. Dëshmia e disa banorëve të zonës në Pëllumbas, të cilët kanë parë mjetin e Shakajt, ka bërë që policia të intensifikojë kontrollet në këtë perimetër. Sipas të dhënave nga sistemi TIMS, 41-vjeçari nuk ka rezultuar të ketë dalë jashtë kufijve të vendit, çka shton dyshimet e forta se ai po fshihet brenda.

Grupi hetimor ka mësuar se Armand Shakaj vuan nga një problem shëndetësor. Për këtë arsye, uniformat blu kanë vënë në gatishmëri edhe bluzat e bardha, duke kërkuar bashkëpunimin e spitaleve publike dhe private në rast se ai do të paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore.

Një ditë më parë, gjykata e Tiranës la në burg Enea Zyferin, kamarierin e lokalit që është në pronësi të Shakajt, por ai e ka mohuar lidhjen me ngjarjen. 

Nga provat e grumbulluara deri më tani nga grupi hetimor, rrethanore dhe shkencore dyshohet se 34-vjeçari mund të jetë vrarë. Eglant Koçi është zhdukur më 4 qershor, dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”. 

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.