Kanë kaluar më shumë se një muaj nga zhdukja e mistershme e një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në vend, Ervis Martinaj, por prokuroria e policia ende nuk kanë asnjë variant zyrtar se çfarë ka ndodhur me të. Për herë të parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, ka deklaruar se do të flasin vetëm kur të kenë prova dhe fakte.

"Mund t'ju them që strukturat e Posaçme të luftës kundër krimit, në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në nivel vendor janë të angazhuara maksimalisht. Do të flasim mbi fakte, mbi prova. Nuk mund të flasim pa pasur prova", tha Rrumbullaku.

Në të njëjtën linjë me të qëndroi edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se do të flitet kur të kenë prova e nuk mund të flasin pa i pasur ato.

"Ne do të flasim kur të kemi prova. Policia e shtetit nuk mund të flasi pa pasur prova", tha ministri Çuçi.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se policia e ka një version për fatin e Ervis Martinajt, por po punon fort për të siguruar akoma më shumë prova. Prej 11 gushtit, familja ka denoncuar se nuk ka asnjë kontakt me Ervis Martinajn.

Ky i fundit ka qenë në kërkim të policisë për disa muaj dhe ka pasur shpesh herë operacione për kapjen e tij, por forcat blu kanë dështuar në arrestimin e tij. Referuar dosjes hetimore, xhaxhai i Ervis Martinaj, Faik Martinaj thotë se zhdukja mund të ketë ardhur që pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe përfshirjen e tij më të tjera histori kriminale, duke vënë gishtin te Indrit Dokle. Pas kësaj dëshmie është marrë në pyetje Dokle, i cili ka mohuar të ketë lidhje me zhdukjen e Martinajt.

Një nga pistat kryesore të hetimit është ekzekutimi i tij. Por duke qenë se është i shumëkërkuar edhe nga autoritetet por edhe nga rivalët e tij nuk përjashtohet as pista e inskenimit.