TIRANË- Kryeministri Edi Rama është shprehur se arsyeja kryesore përse kanë shkarkuar Gledis Nanon, ishte sepse Policia gjatë drejtimit të tij nuk kishte asnjë përgjigje se çfarë po ndodhte me fatin e një prej personazheve më të njohur në botën e krimit, Ervis Martinaj. Takimin e Nanos me agjentin e Forcave Operacionale, Jeton Lami që shoqëronte Ervis Martinajn e mohon dhe e cilëson si legjendë urbane.

“Ku është Ervis Martinaj? E theksova, se kjo ishte ndoshta dhe arsyeja kryesore që ne e pamë të udhës që t’i kërkojmë një hap pas, se është e papranueshme që vendi të jetoj në një ‘Big Brother’ të kronikës së zezë,  me spekulant që hedhin versionesh dhe me median që ushqen këtë telenovelë. Shpresoj dhe besoj që shumë shpejti policia duhet të dalë me versionin zyrtar. Policia ka shumë më tepër se ca kanë të tjerët, po duhet të kenë qartësi kur bën komunikim zyrtar”, tha Rama.

Në një intervistë televizive, ai u shpreh se po mbahet i informuar nga policia, e cila e ka një version, por po vijon hetimet për të siguruar më shumë prova.

“Unë jam vazhdimisht i informuar nga Policia e Shtetit. Problemi është që duhet të ketë një version që bazohet në prova, policia ka më shumë se çfarë se kanë të tjerët, por duhet të ketë qartësi kur e bën një qartësi kur e bën një version zyrtar. Uroj që ta ketë shpejt një version sepse nuk mund të marrë kohë pafundësisht”, tha Rama.

Zhdukja e tij, për Ramën nuk ka asnjë lidhje me lojërat e fatit. Kjo pasi sipas të parit të qeverisë nuk ka një rikthim të lojërave të fatit, por vetëm basteve online. Kështu, iu përgjigjet të gjithë akuzave se qeveria ka në plan që të rikthejë lojërat e fatit në vend, duke theksuar se i qëndron ende operacionit 'Fundi i Marrëzisë'. 

“Halucinante dhe kriminale, sepse çështja e lojërave të fatit është shumë e qartë, s’ka lidhje me teoritë e konspiracionit, nuk ka shans që të rikthehen lojërat e fatit, ne kemi një problem të vetëm që ka të bëj me bastet sportive online”, u shpreh kryeministri

Ndër të tjera, përtej Ervis Martinajt, Gledis Nano u soll si një figurë e re që do të sillte ndryshimin në filozofinë e Policisë së Shtetit, por për kreun e qeverisë nuk rezultoi i tillë në terren. Ai listoi një sërë gabimesh që bëri Nano si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në rrugëtimin e tij të shkurtër në krye të këtij institucioni të rëndësishëm për rendin dhe sigurinë. 

“Që nga rishfaqja e disa parcelave me kanabis pranë zonave urbane tek duart e zgjatura te uniformave blu për të marrë ryshfete nëpër rrugë dhe tek seria e vrasjeve pa përgjigje të periudhës së fundit dhe situatën e pakëndshme në raport me disiplinimin e sezonit turistik. Të gjitha këto kërkonin shkundje”, theksoi ai.

Duke lënë pas ngjarjet e kronikës, Rama pati komente dhe për kundërshtarët e tij politik. Rama është shprehur i bindur se PD ka përdorur fonde ruse për lobim në vitin 2017. Ai i cilësoi demokratët si horra, pasi mbronin Bashën në kohën që u ngritën akuzat në fillim, por tashmë me publikimin e raportit të SHBA-së tashmë është fakt dhe se duhet zbardhur deri në fund nga drejtësia. 

Në fund, kryeministri dha dhe lajmin se Shqipëria është drejt përfundimit të marrëveshjes me Turqinë për të marrë 6 dron ‘Bayraktar që do përdoren për qëllime civile, pra për kontrolle të territorit, për ndërtime pa leje, për ndjekjen e personave në kërkim, për kultivimin e narkotikëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:07
Pse u largua Gledis Nano? Rama tregon ku gaboi: Nga korrupsioni te vrasjet pa autorë! Policia kishte nevojë për shkundje

1663414682_WATERMARKREPORTtv.01381418.Still018.jpg

Parcelat me kanabis, korrupsioni në polici, pasiguria në plazhe dhe vrasjet pa autorë. Sipas kryeministrit Edi Rama, këto kanë sjellë largimin nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit të Gledis Nanos vetëm 9 muaj pasi u emërua në këtë detyrë.

“Ai ka kryer detyrën, nu ki është vënë në dyshim as përkushtim, as përpjekja, por rezultati. Me atë rezultat dhe me atë situatë ku ne befas nisëm të shohim simptoma problematikash me të cilat policia e shtetit është ndarë prej kohësh. Që nga rishfaqja e disa parcelave me kanabis pranë zonave urbane tek duart e zgjatura te uniformave blu për të marrë ryshfete nëpër rrugë dhe tek seria e vrasjeve pa përgjigje të periudhës së fundit dhe situatën e pakëndshme në raport me disiplinimin e sezonit turistik. Të gjitha këto kërkonin shkundje”, tha Rama.

Ora 21:50
PD 500 mijë dollarë nga Rusia, Rama: Faktet janë në raportin e shërbimit sekret! Horrat e mbledhur në PD thonin që ishte shpifje e imja dhe e Sorosit

1663413764_WATERMARKREPORTtv.01304419.Still011.jpg

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar demokratët “horra” pasi mbronin Lulzim Bashën kur u ngritën akuzat se kishte marrë para nga Rusia. Teksa fliste për financimin rus me 500 mijë dollarë për PD në 2017, Rama u shpreh i bindur për raportin e SHBA duke thënë  se janë fakte që gjenden në raportin e shërbimit sekret.

“Këtë nuk e thotë më një media, por e thotë një raport i shërbimeve amerikane. E para SHBA nuk funksion kështu ku kërkon informacione  të japin informacion kur ai është i klasifikuar. Por ato kanë qenë fakte të nxjerra në media nga gazetarë investigativë të huaj që nuk janë kontestuar nga asnjë gjykatë. Këto fakte gjenden dhe në raportin e shërbimit sekret, janë para ruse është financim rus. Përjashtim karafilat, gargarelat dhe horrat e mbledhur në atë parti politike që nuk kanë as fe e as atdhe, ata që kanë marrë para ruse dhe kanë thënë që është shpifje e Ramës dhe Sororsit,  për atë e kam fjalën. Përjashto ata dhe nuk ka asnjë terren në Shqipëri Rusia”,-tha Rama.

Ora 21:13
Rama: Jemi në përfundim të marrëveshjes me Turqinë! Shqipëria do të marrë 6 dronë të armatosur 'Bayraktar'

1663874480_Screenshot1.jpg

Shqipëria është drejt përfundimit të marrëveshjes për të marrë 6 dronë  ‘Bayraktar’ nga Turqia. Kjo ka qenë edhe motivi i vizitës së fundit të delegacionit shqiptar në Ankara, ka thënë kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive, teksa ka theksuar se ato do të përdoren për qëllime civile, ku dhe renditi disa prej tyre.

“Me Erdogan diskutuam për domosdoshmërinë e dronëve. Jemi në përfundim të marrëveshjes për të marrë dronët bajraktarë. Do marrim 6 që do të shërbejnë për qëllime civile, për kontrolle të territorit, për ndërtime pa leje, për ndjekjen e personave në kërkim, për kultivimin e narkotikëve dhe kështu me radhë. Dronët i kanë pjesë të tyre kamerat inteligjente”, tha Rama.