Drejtoria e Përgjithshme e Doganave hedh poshtë çdo hamendësim mediatik mbi 1300 kontenierë të nisur nga Italia me detinacion Maqedoninë, por të zhdukur në territorin shqiptar.

Drejtori i Procedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Alban Dalani thotë për Report TV se Procedurat tona doganore dhe ato ndërkombëtare e bëjnë të pamundur devijimin e një mjeti të destinuar për transport tranzit nëpërmjet territorit shqiptar.

Sipas tij, devijimi i mjeteve transit është i pamundur për shkak të procedurave monitoruese që duhet t’i nënshtrohet ngarkesa nga momenti i nisjes, te hyrja në territorin shqiptar, e deri te dalja prej tij.

Çdo kontenier shoqërohet me manifestin e ngarkesës, dhe me dokumente të tjera të patjetërsueshme, të cilat verifikohen si nga dogana Italiane dhe ajo shqiptare.

"Konfirmoj mohimin kategorik në aspektin e procedurave doganore që mund të ndodhë kjo hamendësi që është paraqitur nëpërmjet një portali. Është një proces i kombinuar që nga vendi i origjinës ku mallrat janë eksportuar nga territori i BE dhe nga autoritetet doganore italiane, të cilat krahas dokumentacionit standard për kryerjen e formaliteve të eksportit, mjeti lundrues i cili transporton mallrat me mjete kontenierike nga BE, shoqërohet me manifestin enisjes së lëshuar nga autoritetet doganore. Është e pamundur të manipulohet sepse konfirmon kryerjen e formaliteteve doganore në vendin eksportues të mallrave dhe të gjitha mallrat që janë pjesë e bordit, janë të listuara në përputhje me manifestin e ngarkesës", u shpreh Dalani. 

Pas hyrjes në doganën shqiptare, mjetit transit i lihet një afat kohor për t’u paraqitur në pikën dalëse. Çdo vonesë në pikën dalëse vë automatikisht në alarm sistemin doganor shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Por sjell edhe bllokimin automatik të shumës së parave të vënë si garanci për ngarkesën nga Agjencia Doganore që ka marrë përsipër transportin.

"Operacioni i tranzitit është një operacion mbikëqyrje që nga momenti i lëvizjes së mallrave deri në paraqitjen e mallrave në destinacion. Mosparaqitja reflekton mosmbylljen e tranzitit, që do të thotë prekje e garancisë e Agjencisë Doganore e cila ka garantuar mallin në këtë regjim tranziti. Nuk ka tranzite ta pambyllura të lejuara në territorin e Shqipërisë dhe të dala me destinacion territorin doganor maqedonas", thotë më tej Drejtori i Procedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Alban Dalani. 

I njëjti nivel monitorimi ushtrohet edhe në pikën dalëse të Qafë Thanës, duke bërë të pamundur jo vetëm çdo devijim të mundshëm, por edhe vonesën më të vogël.

"Nuk mund të ndodhë, në mënyrë kategorike, sepse duhet të përjashtohen të gjitha hallkat. Por nuk janë vetëm këto hallka në këtë proces, ka edhe hallka të tjera që lidhen me transportin e mallrave, lëvizjen, konfirmin në pikat doganore të hyrjes dhe daljes. Operojnë shumë struktura ligjzbatuese nga autoriteti doganor, ai kufitar, sanitar, autoriteti portual dhe autoritete të tjera që lidhen me lëvizjen e mallrave në Republikën e Shqipërisë", thotë Dalani.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmon se në vitin 2016 kanë kaluar nëpërmjet territorit shqiptar 1120 ngarkesa me mallra kryesisht ushqimore në drejtim të Maqedonisë dhe për asnjë prej tyre nuk janë regjistruar devijime apo vonesa.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com